Poezi nga Alma Zenellari

Poezi nga Alma Zenellari

 

***

Kur ti i privon hapat e mi të nisen drejt teje
kur ti ma lë puthjen pezull,
diçka e qelqtë kristalore thyhet brenda meje,
syve më përzihen yje dhe mjegull…

Kur ti m’i lë krahët pa përqafime
dhe shpirtin s’ma puth me fjalë të ngrohta,
Unë ndjej si kthehem sorkadhe e hutuar
që trembet nga erërat, stuhitë e forta..

 

***

Nëse vjen,
Rrezen e diellit që shndrit syrit tënd
(e shoh),
lërma në pëllëmbë të duarve,
ta ndjej si ngroh,
vendosma mes kraharorit,
të më shkrijë cipën e akullt
rreth zemrës.
Nëse vjen,
Lëre të bjerë i prushtë
buzëve të mia, petal i trëndafiltë,
prej puthjes tënde,
se vetëm kështu zgjohen sytë marrok të bukuroshes së fjetur.

Lëri gishtat e tu të rrëshqasin mbi tinguj të heshtur,
fshehur damarëve që pulsojnë…
duke nxjerrë prej aty
klithmën e një note të pakënduar,
Lëri të trallisen ëmbël drejt shtegut të fshehtë,
mes ujërave dhe pyllit gjelbërosh,
aty ku nimfa gjokszbuluar këndon.
Thithma fort aromën e trupit
poreve të tua,
krihmi flokët me qërpikët e mëndafshtë të syve,
shndërromë në sirenë
me aromë të trazuar deti,
Dhe ndjeu Poseidon…