PRITJA E MADHE / Shkëputur nga libri ”Ankth pritjesh” i autorit Vladimi Muça

PRITJA E MADHE

 

Shkëputur nga libri ”Ankth pritjesh” i autorit Vladimi Muça

Të jesh në pritje për një ndodhi, ngjarje, mirësi ose keqësi që nuk e di nëse do të ndodhë, do të thotë të jetosh në pragun e një mrekullie për të cilën lutesh çdo ditë që të ndodhë ose të një zhgënjimi nga i cili frigohesh.
Mes ëndërrimeve, mundohesh çdo ditë të të ndodhë ajo mrekulli dhe nga kjo pritje e gjatë çdo ditë mbetesh i zhgënjyer.
Mbase kjo mrekulli sjell me vete shumë mirësi prandaj vonon aq shumë…ose Hermesi ( perëndia e mistereve) dhe Feb-Apoli( zoti i dritës) grinden me njeri tjetrin. Nga kjo grindje mos vallë kjo pritje është kthyer në Labirinthin e Dedalit..?
Ne ndoqëm atë rrugë që gjetëm tek prindërit tanë, me këmbëngulje e besim edhe sikur vetë djalli t’i kishte çuar drejt një shtegpritjeje, në një dënim të zjarrtë.
Në këtë pritje- jete, si luftëtarë të paepur ilirë, na prijnë përpara urtësitë e Biblës se idhujtaria është padrejtësia më e madhe në rrugën e njerëzimit.
-“Ndiq veprën dhe jo idhujtarinë”, – më thoshte me urtësinë e tij im atë.- Dhe nëse një vepër peshon sa një kokërr gruri, fshehur nën një rrasë guri, besimi në të do e mbushë hambarin tënd.” Thjeshtë imagjino e ëndërro që një ditë jeta jote të ndryshojë. Rutina do shuhet para syve të tu e ti do të shijosh çdo çast që kalon.
Nuk do e imagjinoja jetën pa ëndërra pritjesh. Pritjet të stisin gjykimin për një meditim të veçantë dhe njëkohësisht të gjithëanshëm, të nxisin shprehinë e ndjesive më të vyera, në një kohë e vend të pacaktuar, dhe Ti, ashtu i murrosur mes katër mureve, pret në heshtje…
Një heshtje që vlon në erupsion dhe të vjen si me bubullimë, po aq kumbuese, si bing- bengu i një bote që lind brenda kozmosit tënd.
Ndonëse ” të afërmit e tu” nuk do të ofrojnë mbështetje në atë çka dëshiron. Ti mbas një pune të lodhëshme, e përsëri nuk të ndihmojnë në përballimin e këtyre ndjesive, çliruar nga kjo botë që ti kërkon, atëhere po, ke të drejtë të ndjehesh vetëm…
Asnjë për të mbështetur!?
Bing- bengu jot zjarrmohet në furrën e heliumit tënd…Ti duhet të presësh, të presësh, koha me këto pritje është e çmuar dhe s’mund t’a çojmë dëm.
Pritje, pritje e pritje..!
Por, në këtë pritje – thoshte gjyshi im Nebi- kush punon me dorë përtace varfërohet, ndërsa dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasur.
Begatia e kësaj pasurie bën shtëpinë, qytetin, shtetin më të fortë, ndérsa shkatërrimi në këtë pritje të gjatë, në këtë tranzicion humbamendës, sjell vetëm varfërinë, shkatërrimin tonë. Këtë fund-pritjeje t’a kërkojmë, t’a gjejmë në veten tonë, në atë tokën e lënë djerr. Kush punon tokën e tij do të ngopet me mirësi, ai që shkon pas kotësive, është i varfër në shpirt e në mend.
Kjo pritje e gjatë, pa kufi, i ngjan atyre njerëzve që vështrojnë qiellin dhe numurojnë yjet, duke u zhytur në zhgënjimin e tyre pa kufi. Edhe unë që po shkruaj tani, nuk është fakt se jam murrosuar në veten time, në një vend jo fort dinjitoz, ku kundërmon aroma e lagështisë së tepërt.
Këtë lagështi e ndjej të depërtojë në kockat e mia me egërsinë e reumatizmës së shpejtë gërryese. Mbyllur në vetveten time, jo si në “Kështjellën” e Kafkës, dëgjoj zhurmat e mbytura të një grupi njerëzish, që ndoshta nuk e dinë se unë gjendem aty kaq pranë tyre, por dhe aq larg, sa ata nuk dëmtohen dot nga zhurmimi dhe moskënaqësia e tyre.
Ata s’e dinë se sa ngrohtësi mund të përftohet dhe nga ky cak i lagësht e i ftohtë, duke e krahasuar me indiferentizmin e pashmangshëm të botës së tyre, të thatë e të shterpë, si viktima të injorancës e të padijes…
Unë rri e punoj, pres, vëzhgoj, meditoj në qoshkun tim. Edhe sikur një ditë të më yshtë ideja e nisjes në një vend më të begatë, nuk e di nëse do e bëja, pasi më tundon kjo ide e pritjes. Më shfaqet një ndjenjë, që më pengon të largohem. Shumë mirë e di, se kësaj hereikje s’do të jetë për dikë a për diku ku kam lënë gjurmët çdo mëngjes të fëmijërisë apo do më thërrasë zëri, që vjen nga varri i prindërve.
Nëse ndonjëherë më është dukur mrekulli të largohem, të harroj gjithëçka, të le pas botën time. Tani jam në kundërshtim me veten për atë cakun e varfër, por të ngrohtë. Jam i mendimit se ajo pjesë e vetes time që më thotë “jo”, po fiton betejën e qëndresës. Kam kaluar çaste të “bukura” në këtë cak. Ai u bë një ngushëllim për mua, një mik i mirë për argëtim në kohë të vështira. Ka qenë vendi ku kam derdhur lotët e mjerimit tim fëminor, aty kam qenë ai çunak adoleshent, ku mezi prisja të lexoja ” Taras Bulbën” apo ” Shpellën e piratëve”, të shkruaja fjalët e para të një lumturimi prej krijuesi, e një njeriu që le pas botën filozofike fëminore, mendon si më i rritur dhe hidhet në veprim për një argëtim mëse njerëzor.
Ai këndi im është i bekuar, është me dhurata të çmuara të qiellit e të tokës, me vesën e mëngjesit rrezeartë, me ujërat, pyjet, pamëritë që gjenden nën humnerën e një pritje të gjatë.
Eshtë vendi i amëshuar, ku mbushem me optimizëm për të ardhmen tonë, duke ngritur muret e fantazisë me skema të shumta, me “Tre muskëtjerët” të shumë e shumë profesioneve ëndërrimtare. Këto ëndërra, i vendosja aty, si në shpellën e Ali Babës, me mendimet se kur të vijë dita, do jenë aty duke thirrur: ” Hapu Susam” duke pritur shpirtin dhe ndjesitë e mia, trandur nga vështirësitë e jetës.
Nga mendimi se nuk mund të gjej një vend kaq të mirë se ky cak, kam frikë se do të jem në një dilemë në zgjidhjen e mrekullisë të shumëpritur të pritjes. Kam frikë se mbas gjithë këtyre ecejakeve nëpër botë, lundrimit në detin e ëndërrave pa kufi, do të jem po unë Ai, që do nëpërkëmbin në mendimin:”pritje e gjatë, pritje e kotë”.
Në këtë godolesh pritjesh, shpirti im është si mes dy luanëve. Njëzet e pesë vite jetoj në Pritjen e Madhe, mes njerëzve që e ndërruan me dhjetra herë lëkurën, që vjellin zjarr në rrugën time të pritjes. Kameleonë në shoqërinë njerëzore, me dhëmbët shtiza dhe vështrimet pendë kerubinësh në mitingje, mes udhëkryqeve.
Gjuhën shpatë e mprehin mirë duke gjurmuar fitimet e tyre. Si masë sigurie a kurthi, hapin një gropë, e mbulojnë me rrjetë kamuflazhi në rrugën time. Unë eci i kërrusur si kërkimtari i minave në fushë luftime. Jam i sigurtë se në atë gropë, një ditë do të bien vetë e prap do të më luten për shpirtin me figurën time.
Eh, pritja ime, pritja e gjithë pritjeve. Unë rizgjohem me frymën time dhe me psalltitë kah zoti im, rizgjoj agimet.
Oh, Pritja e Madhe..!
Kam besim se një ditë do isha në qoshkun tim, ndoshta me dhimbshuritë më të mëdha, duke më dhënë mundësinë të jetoj më mirë në qoshkun tim. Atëhere ligji yt o Pritje e Madhe, do të jetë kënaqsia ime. U ngatërrofshin “mendjemëdhejtë” në udhëkryqet e tyre. Unë do mendohem më shumë tani për mendimet kasandra të tyre. Do ta dua më shumë të vërtetën e ligjit, si përsiatja e dëshirës time dhe gjithë mirësive.
Mësuam shumë nga kjo pritje. Mësuam se, ata që na çuan nga robëria në robëri, n’a kërkuan fjalën e një kënge nëpër mitingje, ndërsa ata që n’a shtypin me punën e mëditjeve, kërkojnë këngën e gëzimeve tona për veten e tyre, duke n’a lënë në mjerime, mes kërcënimeve. Ndoshta, unë, nga mendimi se nuk mund të gjej në këtë qoshk të vërtetën e të vërtetave, kam marrë vendimin: -të mos tundem edhe kur ai të mbytet në frymën e shpirtit tim.-
Mbase ky është vendimi i kësaj pritjeje, mbase ai ka kohë që bluhet në mokrën e qenies time fëminore, mpleksur keqas prej një të rrituri, ndaj desh u bëra një humbës i përhershëm.
Mbase një pjesë e mirë e njerëzve, që më është kundërvënë në prirjet e mia, ka pasur të drejtë. Mbase njerëzit që më rrethojnë kanë dhe ata të drejtën mbi të drejtat e mia.
Jetojmë dhe absurdet shoqërore siç i krijoi ” perëndia” . Mbase mundohem kot së koti për atë çfarë pretendojmë në këtë jetë me ambicien, optimizmin e pakufi. Prirjet për të arritur “diku” si dhe ajo pjesë e vetes që mundohet të shkojë poshtë, thellë varreve të të parëve, mbetet veç një tërheqje e tokës, drejt cakut të plogësht, të ngrohtë, me thelbin pezimist të tij…
Mbase do të mbetem stacionar…në pritje të asgjëje …sërish në pritje…
Sërish me filizofinë asnjanjëse të ëndërrimeve e pezimizmit, apo të një optimizmi amorfter, asnjanjës, sërish me atë që quhet boshllëk.
Presim e presim në hanin e një bote të ndërmjetme. Më mirë të jem një në këtë qoshkun tim të fëmijërisë, këtu, ku janë gjurmët e të parëve që thërrasin:
-Kthehu! Kthehu këtu! Këtu i lindëm dhe i rritëm, ndër shekuj breznitë.-

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s