PO FRYNTE ERA E NDRYSHIMEVE / Shkëputur nga libri “Kur flet i vdekuri” të autorit Dhimitër Nica

 
Dhimitër Nica
 
 
PO FRYNTE ERA E NDRYSHIMEVE
 
Kishte muaj që shokët më të mirë kishin ikur. Ishin larguar jashtë shtetit. Disa kishin patur fatin të ndodheshin në Tiranë kur qenë hapur ambasadat. Ishin rrasur brenda dhe ashtu të ngrënë apo të pangrënë, me ujë apo pa ujë, në asnjë mënyrë s’dilnin që andej…U kishte shkuar thika në kockë.
Kishin mbaruar goxha shkolla dhe rrinin pa punë. Për ta s’po kujtohej më njeri, pavarsisht se kishin siguruar me mund e sakrifica diplomat. Vendi kishte trazira. Ishin bërë edhe disa lëshime nga lart. Me qëllim apo pa qëllim, atë punë e dinin vetëm ata, të mëdhenjtë. Megjithatë, njerëzit lëviznin në turma lart e poshtë andej nga Durrësi por policia i ndiqte këmba-këmbës, kur i afroheshin portit.
Në një nga këto turma u ndodha edhe unë, me një kushëririn tim, Astritin. E vendosëm që do të hipnim se s’bën në anije. Pastaj të bëhej ç’të bëhej, si të ishte shkruar. Por edhe aty punët qenë ndryshe. Ne që vinim nga zona të largëta, pa det, nuk i kishim parashikuar. Na qëlloi që të afroheshim me një turmë te hyrja e një anije, por policët mbinë ngado si kërpudhat pas shiut. Me kamzhik në dorë na ndiqnin këmba-këmbës. Dhe pa zënë disa nga ne, ata nuk e ndalonin ndjekjen. Unë e hëngra një kamzhik drejt e mbrapa koke dhe m’u duk se një rrufe ma çau krejt kokën.
M’u errësua bota. “Kaq e pata” – thashë me vete. Megjithatë, vazhdoja të vrapoja sepse ata s’duhej të më kapnin. Por, papritur po ndjeja se koka po më errej, një gjë e njomë më kishte lagur qafën e zbriste poshtë, këmbët po bindeshin me zor për të vrapuar. Në këto momente mendjen e kisha akoma top e po thosha se ishte punë sekondash vuajtja ime. Por ata të policisë, mu aty në rrugën e portit e në mes të sheshit, po më rrihnin që të shikonin edhe të tjerët, që të trembeshin dhe unë të bëhesha shembull për ta.
– O Zot, – psherëtiva, -në kaq mijëra njerëz mua më ra shorti të më kapin? Të më rrahin e të më qëllojnë vend e pa vend e pa pikë mëshire? Dhe si, në sytë e njerëzve, që t’më shikonin të gjithë.
Ndaj mblodha të gjitha forcat që kisha, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por këmbët po fillonin të mos bindeshin më tej.
-Ja,- thashë me vete,- erdhi fundi! Kjo qe Italia, doja Italinë, ja ku e kam tani!…E preka dhe e zura, e ta gëzoj…
Dhe dalëngadalë, fushëpamja përpara po më errej e po bëhej natë. Ndërkohë ndjeva një dorë të butë që më kapi për krahu e më tërhoqi brenda. Kjo dorë nuk ishte dora e policit, sepse ai nuk të kapte ashtu, butë dhe ëmbël. Ai dhe gjithë ata të tjerët ishin të egër dhe të ashpër. Ata po të kapnin për krahu dhe ta tërhiqnin atë, ishin në gjendje ta shkëpusnin nga trupi. Sepse kishin urdhër. Dhe urdhëri ekzekutohej aty në mes të rrugës e të sheshit.Që të shikonin të tjerët e të merrnin shembull… Kur hapa sytë, ndjeva se diçka e rëndë më peshonte mbrapa koke. Hodha dorën dhe e preka, pastaj kuptova se ishte një fasho farmacie e ngjitur në kokë. Pastaj një vajzë e re, me sy të qeshur e bojë qielli m’u afrua e më tha:
-Hë, si ndjehesh tani, a je më mirë? – Jam shumë mirë – i thashë, – po ju kush jeni dhe ku ndodhem unë?… – Unë jam Tefta- më tha ajo,- dhe ti ndodhesh në farmacinë ku punoj unë, por mos u shqetëso se kanë kaluar mbi dy orë që ti ndodhesh këtu dhe tani u përmënde. Isha unë që të rrëmbeva pothuaj me forcë, të kapa prej krahu dhe të tërhoqa brenda në farmaci. Ty po të ridhte shumë gjak dhe polici që ndodhej vetëm disa hapa larg me kamzhik në krahë, ishte punë sekondash që të arrinte. Unë si dhe shumë shitës të lokaleve përreth kishim dalë jashtë dhe po ndiqnim skenat me vëmendje. Kur ti arrite te dera ime, këmbët pothuaj s’të bindeshin fare dhe unë të tërhoqa brenda. Pastaj të mjekova dhe tashti je shumë më mirë. -Po polici,- i thashë- nuk më pa? -Të pa, por unë i buzëqesha dhe i thashë se të kam njeriun tim dhe ai iku duke mbllaçitur. -Oh, Tefta – i thashë, -ti paske sakrifikuar për mua, nuk e di se si do ta shpërblej. -Nuk nevojitet asgjë- më tha ajo-unë e bëra thjeshtë se më erdhi keq, nga njerëzillëku…Ti do ishe viktima e radhës dhe pate fat se kalove te dera e farmacisë, pothuaj me hap dhe unë bëra detyrën… -Unë do ta shpërblej,- i thashë,- po se kur nuk i dihet… Një orë më vonë unë isha rregulluar në hotelin dhe dhomën e njëjtë ku kisha fjetur disa netë me radhë me Astritin. Duke pritur atë në dhomën e gjumit papritur troket dera.
-Erdha- i fola nga brenda dhe duke përtuar hapat, u ngrita t’i hapja derën Astritit.
Por ishte hotelxhiu. Ai ishte një burrë rreth të pesëdhjetave. -Si do bësh për vendin tjetër të mikut tënd- më tha, – do ta mbash apo të dërgoj të tjerë, se ka kërkesa të shumta?
Dhe vërtet ashtu ishte. Njerëzit dilnin e qarkullonin në turma ato ditë në Durrës. Nuk e bëra dy fjalën dhe nxora nga xhepi një dyqind e pesëdhjetë lekëshe të vjetër dhe i thashë hotelxhiut ta mbante kusurin.
Ai iku i kënaqur dhe më tha që të rrija i qetë. Por Astriti nuk u duk asaj nate. As ditën tjetër. Unë e prita edhe disa netë e ditë të tjera e në të njejtën kohë plaga në kokë po shërohej, por veç ai s’po dukej. Ai nuk shfaq u shfaq gjëkundi. Ai nuk është shfaqur ende edhe sot.
Humbi pa nam e nishan. Ishin ditë të vështira, ishin kohë të vështira. Në ato ditë ikje si qeni në vresht…Të vrisnin e s’përgjigjej askush, s’të paguante njeri.Të mbysnin e thoshnin se u mbyt vetë. Humbja e tij më ka
ngelur plagë në zemër. E kam llanguc në shpirt…Më duket se edhe unë kam një pjesë të fajit.
Unë, Astritin për herë të fundit e mbaj mend vetëm disa metra përpara meje në atë turmë përpëlitëse që kërkonte t’i shpëtonte bishës që e ndiqte këmba-këmbës. Dhe mua më jepte zemër. Edhe pak, më thoshte, edhe pak… Si dukej e kishte venë re që unë isha goditur në kokë. Pastaj unë nuk e pashë më. Nga ajo ditë e zezë e deri më sot, nuk e kam parë më… Tani që kam mbi njëzet vjet në dhė të huaj, sa herë që shkoj në atdhe nuk harroj të shkoj edhe në Durrës. Shkoj edhe te rruga që ka mbetur legjendë në zemrën time.Te ajo rrugë ku na ndiqnin këmbë për këmbë policët.Te ajo rrugë ku humba njëherë e përgjithmonë njërin nga njerëzit e mi më të afërt e më të dashur. Njërin nga ata djem që ishim rritur bashkë që në muajt e parë të jetës. Dhe që donim e dëshironim të rriteshim e të pleqëronim po bashkë. Çdo gjë në jetë e kuvendonim dhe e bashkërendonim. Ndaj kishim vendosur që edhe rrugëve të kurbetit të ishim e të rrinim bashkë, ashtu si në fëmininë e hershme.
Por fati e donte dhe ishte shkruar ndryshe.Unë të vazhdoja i vetëm kurbetin, ndërsa ai, vëllai im më i mirë, të humbiste tutje erërave të forta që sillte deti i Durrësit. Dhe nuk dihet se si!…Nuk dihet se ku!…Unë sa herë që shkoj në Durrës, nuk harroj maratonën e vrapit të atyre ditëve. Në vend të farmacisë së atëhershme, tani është ngritur një lokal lluksoz. Megjithatë, aty diku në një vend të gjetur mirë, në një cep apo qoshe të atij lokali, apo të farmacisë sime të atëhershme, unë nuk harroj të lë një tufë me lule me një kartelë të shkruar e të futur brenda petaleve:
“Për Teftën që më shpëtoi jetën…”
Ndoshta nuk i dihet. Një ditë, apo në një nga rastet që unë shkoj në Durrës, Teftës së vërtet mund t’i bien në dorë lulet e mia. Dhe ajo do të kujtoj tmerret e atyre ditëve kur era e detit dhe e ndryshimeve frynte e fortë dhe pa mëshirë. Do t’i kujtoj ato ditë dhe së bashku me to edhe mua, që i ngelem mirënjohës në jetë të jetëve. Dhe nëse do t’i bien vërtet në dorë lulet e mia ajo do të shprehet me krenari:
“Eshtë ai djali nga Berati, që i shpëtova jetën…”
Dhe nuk i dihet. Ndoshta Zoti e ka shkruar që ta gjej sikur edhe një herë në jetë e ta falenderoj për gjithë këto vite që s’jemi parë e takuar kurrë…!
 
Shkëputur nga libri ” Kur flet i vdekuri “

A bunch of translated poems about Ukraine / Translated into Bengali by Dr. Masudul Hoq

  Dr. Masudul Hoq     ইউক্রেন নিয়ে একগুচ্ছ অনূদিত কবিতা (A bunch of translated poems about Ukraine)   অনুবাদ : মাসুদুল হক   শিরোনামহীন (UNTITLED)   মূল: অ্যামেলিয়া ফিল্ডেন   রাশিয়ার বোমাবর্ষণে একটি হাসপাতাল ধ্বংসপ্রাপ্ত   নারী, শিশু, বালক-বালিকার … Continue reading

Shokhida Yusupova (Uzbekistan)

    Shokhida Yusupova (Uzbekistan)   Shokhida Yusupova is one of young poetesses,translators and journalists from Uzbekistan. She has been rewarded with the State Prize of “Zulfiya”.Shokhida is an ambassador of the International Federation of Culture and Arts of Singapore … Continue reading