Poezi nga Edmond Shallvari

 
Poezi nga Edmond Shallvari
 
 
SINQERISHT TË PYES
 
Sinqerisht të pyes, ndonëse e di përgjigjen
Ma ke dhënë e stërdhënë, për dy mijë e ca vjet
Unë prapë se prapë, të pyes me shqipen
Meqë di dhe greqisht, greqisht të pyes.
 
Si ndjehesh, më thuaj, moshës së sotme?
Besoj i ke harruar plagët mbi kryq
Veç ne t’i kujtojmë me filma e llogje
Me lutje dhe lotë, mëkatesh pa fund.
 
Sinqerisht të pyes, për çfarë u ringjalle?
Nuk pres përgjigje, përgjigjen e di
E mbajmë ndezur qirinjsh çdo Pashke
E tretim pastaj, më keq se qirinjt’.
 
Si ndjehesh, më thuaj, pranë Atit tënd?
Unë pranë timit jam më krenar se Ty
Për mua im Atë dhe Mëma janë Shenjt’
Veten kryqëzuan për mua mbi kryq.
 
Sinqerisht të pyes, më kupton çfarë them?
Pas ringjalljes tënde, gjithë bota në hell.
 
 
Mos prisni!
 
Mos prisni fundin e botës
Falje nga Zoti mos prisni kot
Eshtë thjesht pjesë e lojës
Me engjëj, djaj dhe një Zot.
 
Mos prisni jetën e parajsës
Jetës së ferrit mos ju trembni
Ferrparajsën e jetojnë të gjallët
I vdekuri jeton të vdekurin.
 
S’u lodhët së luturi çdo ditë!?
Së heshturi çdo ditë, s’u lodhët!?
Nëse janë të vërteta Perënditë
Jemi ne e pavërteta e botës.
 
 
E PAKTA JOTE
 
E pakta jote sa shumë më jep
Në të paktën fjalë, në puthje, në prekje
Mundohem ta tejkaloj, por mbetem vërtet
Gjithnjë një fitues, i dyti pas teje.
 
Ma thuaj dhe mua magjinë e të paktës
Si mundet të ketë brenda saj kaq fuqi?
Kur unë kaq i ndezur i shtoj flakën flakës
Dhe prapë flaka jote, më tret si qiri.
 
Më mirë mos ma thuaj, harroje ç’të thashë
Vazhdo me të paktën, pse ka vallë më tepër?
Harrova të parën herë kur të pashë?
Sa pakëz më pe, për t’u parë gjithë jetës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s