NJË DJALË NGA QYTETI / Tregim nga Hamit Taka

NJË DJALË NGA QYTETI

 

 

Hamit Taka

Tregim nga Hamit Taka

 

Nga fillimi i verës në fshatin tonë ia behu një djalë nga qyteti, me emrin Mondi. Nuk ishte aq simpatik, por kishte trup atleti dhe vishej bukur, me rroba të reja e me stampa të huaja. Dukej shumë i shkathët dhe nuk kishte droje si djemtë e fshatit. Vajzat e shikonin me admirim. Djemtë të gjithë donin të shoqëroheshin me të. Kur mësuan se ishte vëllai i Verës, njerëzit filluan të silleshin shumë dashamirë me të. Vera kishte tri gjëra: ishte e bukur, ishte gruaja e një burri plot autoritet, që ia jepte uniforma e ushtarakut; dinte t’u bënte lajka dhe t’ua ledhatonte sedrën fshatarëve. Edhe ata ia shpërblenin me fruta e perime nga kopshtet dhe qumësht nga lopët e tyre. Duke qënë punonjëse në kafenenë e fshatit, qëkur burri i saj kishte ardhur me shërbim në batalionin e këmbësorisë, ajo e privatizoi lokalin dhe ia pa hajrin. Gjithë burrat dhe djemtë nxitonin të pinin një kafe tek lokali i Verës. E për këto edhe Mondi u bë menjëherë djali i llastuar i fshatit.

Për habinë e të rinjve Mondi më fort u lidh me Beson. Shkonte e rrinte te puna me të, pinin kafe te lokali i Verës, shëtisnin bashkë rrugëve të fshatit dhe shpesh kalonin orë të tëra në shtëpinë e Besos. Ndodhte që rastësisht të gjëndej atje edhe Neta, në shoqëri me motrën e Besos, dy vjet më e vogël se i vëllai. Mondi i hidhte vështrime mikluese Netës, ndonëse motra e Besos ishte më e bukur. Kjo ia ngrohte gjakun Netës dhe, kur Mondi ia kapte vështrimin tinzar, ajo bënte një gjest prej kali, sikur hidhte baluket lart…

Neta ishte gjitonia e Besos. Ata ishin rritur bashkë si dy binjakë. Kishin lindur në një ditë, kishin qënë në të njëjtën çerdhe, në të njëjtin kopsht e në të njëjtën shkollë. Bashkë kishin qarë, bashkë kishin qeshur, bashkë kishin lozur, bashkë ishin grindur, bashkë kishin kënduar e bashkë kishin mësuar. Edhe lule-shegën ia kishin parë njëri-tjetrit. Të dy skuqeshin kur kujtonin se në fëmininë e hershme kishin lozur lodrën e babit me mamin. Afërsia e përhershme kishte bërë të mos e dallonin rritjen te njëri-tjetri.
Fëmijëria e tyre ishte dëborë e pastër në burimin e një lumi nga më të fëlliqurit…

Edhe shtëpitë e tyre ngjanin si binjake. E njëjta arkitekturë, të njëjtat përmasa, në të njëjtën kohë kishin filluar, nga e njëjta dorë ishin ndërtuar. I ndante një avlli e vjetër e murrëtier nga koha. Ajo avlli e padepërtueshme ndante dy botë. Prindërit e Netës e të Besos, punëtorë të thjeshtë, përshëndeteshin te porta, shkëmbenin thjeshtë ndonjë fjalë për motin apo shëndetin dhe me gjysëm zëri mund të uronin për festën e Vitit të Ri. Në oborrin e njëri-tjetrit hynin 10-30 minuta, bashkë me ata që mund të hynin, vetëm në raste vdekjeje… Pasi filloi demokracia Besua i thoshte Netës: “Ra Muri i Berlinit… Mbaroi lufta e ftohtë… Uufff!…Të marrimpak frymë lirisht!… Uaa, sa ajër i pastër!” …

Ditët kalonin e Mondi nuk largohej nga fshati. Shtroi gunën, siç thuhet në këto anë. Ndërkohë edhe Vera kishte filluar të bënte më tepër shëtitje rrugëve të fshatit, ndërkohë që në lokal shërbente vajza nën kujdesin e oficerit të liruar nga shërbimi ushtarak. Shkonte më shpesh për të pshonisur te dyqani i babait të Netës. Edhe Neta takohej pa të keq me Mondin e fliste lirshëm, falë shoqërisë së Besos me të dy.                                                                                                                       Një ditë prej ditësh Mondi iu hap Besos:
-Unë, Beso, dua të fejohem me Netën. Ti e ke gjitone, shoqe të ngushtë, gati si motër. Prandaj unë dua të jemë i sinqertë me ty dhe ti i hapur me mua…
Besua e humbi fare toruan. Nuk e priste. Në trurin e tij pak të plogët nuk e gjente dot rrugën për të vazhduar bisedën. Diçka e brendëshme nuk e linte gjuhën t’i shprehte fjalët miratuese shokut të tij rishtar dhe u largua pa i thënë as “Natën e mirë”. Mondi vuri buzën në gas…

Beson dhe Netën, sido që ishin në dy anët e kundërta të lumit të fëlliqur, vetëm shkolla e mesme i kishte ndarë. Neta ndoqi bujqësoren në fshatin e saj, Besua një shkollë profesionale në Fier. Nga ndarja vuajtën të dy, por me dhimbje të ndryshme. Neta humbi mburojën e saj. Në shkollë 8-vjeçare, sa herë e mërziste ndonjë vajzë, Besua i turrej: “Ik ti, moj shushkë!”. Kur e bezdiste ndonjë djalë, Besua i thyente turinjtë. Nryshe ishte Besua. Ai kishte mallë për Netën. Ndjente një boshllëk në kraharor, që nuk mund ta mbushte asnjë shok apo shoqe e re…                                                  Nga fundi i viteve ’90 ua varën mësimeve. Besua e la fare shkollën dhe provoi të kalonte kufirin me një grup shokësh, por shpejt u kthye në shtëpi. Në fshat filloi të ushtronte zanatin, për të cilin kishte mësuar. Bënte kangjela hekuri e porta te thjeshta llamarine. Neta e mbaroi bujqësoren dosido dhe i ndihmonte të atit, i cili kishte hapur një dyqan të përzier, me ndihmën e ca dollarëve, që ia kishte dërguar vëllai nga Amerika.

Nuk kaluan shumë ditë dhe plasi “bomba”. Neta ishte fejuar me Mondin. Kishin ndërruar unazat. Miqësia e familjes së oficerit të liruar me familjen e shitësit të ri kohët e fundit e kishte parathënë atë krushqi. Oficeri i dalë në lirim dhe babai i Netës pinin së bashku çdo ditë kafen e mëngjesit në lokalin e Verës, gjë që nuk e kishin bërë asnjë herë më parë. Verës dukej se i kishin dalë flatra. Kjo kishte çuditur pak vajzat e bukura të fshatit. Shpesh Vera hapte me vajzat temën e bukurisë, pasi e mbante veten miss. Dhe, kur Neta s’ishte e pranishme, e quante me cinizëm “Thithëlopë”. Në të vërtetë Neta ishte pak e shkurtër dhe tej normës e shëndoshë për moshën. Por shoqeve u vinte keq, pasi ajo ishte shumë e sinqertë dhe zemërpastër… Pra, paqja ishte ngritur mbi harrimin. Mondi 28-vjeçar, “shend e verë”, ksehaste tërë fshatin me “çapkënllëqet” e tij. Kurse Neta, me dlirësinë e saj, nuk e përmbante dot entusiazmin. Ishte bërë llafazane me shoqet e saj, të cilat e shikonin me zili. Edhe kur shërbente në dyqan, sendet i prekte më me dashuri, sikur i ledhatonte. Duart e Netës nuk punonin më, ato këndonin. Ndonjëherë në sytë e saj ëndërrues, dukej hapur një farë paniku: I dukej se në dorë i kishte ardhur një zog i bukur dhe ajo kishte frikë se e trembte dhe, mos o Perëndi, ai fluturonte papritur.

Neta nuk shquhej për ndonjë bukuri kushedi, por ishte vajzë e dlirë dhe e qeshur. Të gjithë e respektonin për komunikimin dhe mirësjelljen e ëmbël të saj, ama askush nuk ndiente gjë për të. Vetëm Besos i ngjante si e bukura e dheut. Besoja ishte një djalë i gjatë, kockëtrashë dhe babaxhan. Kur filloi të merrej me hekura, vuri muskuj dhe krahët iu forcuan sa asnjë djalë i fshatit nuk guxonte të bënte më kthim dore me të. “Ta dinte ujku sa të trashë e ka qafën”, thonin burrat në fshat, kur e ngacmonin djemtë e tjerë. Po Besua nuk e shpërdoronte forcën edhe kur ndonjë trimosh ia bënte borxh. Ai bëhej agresiv vetëm kur dikush ngacmonte Netën. Për punëtor, s’i dilte kush në krah. Fshati ringrihej dhe punë kishte boll. Punishtes i vinte kyçin vetëm kur shkonte në dyqanin e babait të Netës. Njerëzit s’kishin shumë para dhe klientët në dyqan ishin të pakët dhe babai shpesh linte vajzën. Neta mërzitej vetëm midis atyre sendeve të ftohta pa zë dhe gëzohej kur shihte Beson te dera. Besua blente kot gjëra jo të domosdoshme, që të rrinte pak me të. Dyqani i Netës ishte një ishull paqeje dhe dashurie për Beson. Por, pas fejesës me Mondin, ai u shmangej takimeve me Netën. Shumë rrallë shkonte në dyqan, sa për të mos rënë në sy. Ndërsa për Netën, në marrëdhëniet me Beson, nuk kishte ndryshuar asgjë. Trishtimin, mbylljen në vetvete dhe tretjen e Besos e vërenin të gjithë, veç Netës. Vuajtja e Besos ishte e pastër, që asnjë lloj pendimi nuk mund ta ndryshonte. Brengat e gëzimet lindin nga kënaqësitë më të pafajshme!

Dita e dasmës u caktua shumë afër me këmbënguljen e motrës së Mondit. Ftesat kishin mbritur deri në Amerikë dhe xhaxhai i Netës erdhi duarplotë një javë para dasmës. Midis të tjerave solli edhe një makinë për babanë e Netës. Mondi dinte ta drejtonte Xhipin dhe kjo qe mrekullia më e madhe që ai shpalosi para Netës dhe të rinjve të fshatit. Xhaxhai kishte shumë mallë për vëndlindjen. Dukej hapur se ishte më i përmallur për vendet se për njerëzit, të cilë ishin gati të panjohur për të. Mondi e çonte kudo me entusiazëm. “Eshtë me fat Neta jonë. Një djalë si Mondi, s’e kishim parë as në ëndërr”, i pëshpëriste mamaja e Netës të shoqit sa herë shihte Mondin në timon.

Dasma u bë e madhe. Me shumë njerëz e shumë shpenzime. Këngë e valle dy ditë e dy netë. Haje e pije plot. Xhaxhai i derdhi lumë dollarët për mbesën. Por, po ta shikoje me syrin e një kamere të ftohtë, dukej sikur gëzimi dhe hareja ishin më shumë për xhaxhanë e Netës se për çiftin e ri. Të gjithë i kishin sytë e veshët nga ai. Dukeshin të magjepsur prej tij. Vetëm Neta lundronte në re trëndafili dhe nuk i dallonte nuancat gri në dasmën e vet.

Një javë pas dasmës, xhaxhai dha lajmin se do të ikte pas dy ditësh. Të gjithë: vëllëzër, motra, kunata, kunetër, nipa, mbesa, dhëndurrë, nuse e krushqër prisnin gojëhapur fjalën e fundit të tij. Çfarë do t’u premtonte? Nuk ishte treguar kurnac. I ndihmoi dy motrat dhe dy vëllezërit, sipas dëshirës së secilit. Dikujt i dha para të thata, dikujt i bleu një tufë me bagëti, ndonjërin e ndihmoi për të hapur punë. Mirëpo nipat e mbesat prisnin oferta më të mëdha. Ata synonin Amerikën. Xhaxhai ua kishte mësuar dëshirat gjatë ditëve të qëndrimit, secili ishte rrëfyer para tij. Pasnesër, u tha, unë do të nisem, por shumë shpejt do të kthehem prapë. Mundet, si ta gjykoj, të hap ndonjë biznes në Shqipëri. Vendi është i virgjër nga konkurenca kapitaliste dhe krahu i punës është i lirë. U ndihmoj dhe juve me punë këtu në vendin tuaj… Të rinjtë gremisën kokat… Në Amerikë do të marr vetëm një nip dhe një mbesë. Ju mendojeni, bini në ujdi sipas nevojave, dëshirave dhe aftësisë për të ndihmuar dhe të tjerët. Gjejeni me njëri-tjetrin. Kur të vij herën tjetër do të jemë i përgatitur për t’i marrë. Kjo ishte si rrufe në qiell të kthjellët për ta. Sidoqoftë shpresa mbetej e hapur. Të gjithë prisnin mëndjengrehur.

Shkathtësia e Mondit nuk kishte kaluar pa lënë mbresa te Xhaxhai i Amerikës. Mondi ishte treguar më i shkathti dhe të tjerët u bënë xhelozë. Sipas fjalëve të xhaxhait, dukej sikur ai ishte më afër realizimit të ëndërrës. Mondi, Neta, motra e Mondit dhe oficeri i liruar shend e verë.                  Ndërkohë Mondi dhe Neta u vendosën përkohësisht në shtëpinë e Verës. Shtëpia kishte hapësira të bollshme, pasi ishte godina e një reparti ushtarak, të cilën e kishte privatizuar kunati i Mondit, kur u lirua nga shërbimi ushtarak. Por ajo që kishte rënë më shumë në sy ishte fakti se Mondi dhe Neta nuk bënin hap pa Beson, i cili shkonte pas tyre sikur hiqte kufomën e tij zvarrë. Si djalë i qetë e i mbyllur, e vuante shumë ndjenjën dhe pasionin për Netën. Ndërsa ajo, me pafajsinë dhe naivitetine saj, tregohej e pakujdesëshme ndaj tij. Nuk nguronte ta manifestonte para Besos tërë gëzimin e lumturinë pasmartesore me intimitetet e çifteve të reja.
Pas 8-9 javësh gjendja shëndetësore e Netës ndryshoi shumë. Ndihej e këputur, s’kishte oreks, shpesh pështinte pa takt, i vinte për të vjellë. Nëna e Netës dhe Vera i njihnin shenjat e shtatëzanisë, por e mbanin ende të fshehtë gëzimin e tyre. Edhe Neta e kishte   ndier ndryshimin e dukshëm të Verës në kujdesin ndaj saj. Edhe oficeri i liruar nga shërbimi ushtarak nuk përtonte t’i afronte gjërat e nevojshme nuses së kunatit. E kujdesnin Netën si atë vazon e argjëntë që do të mbante lulen-pjellën e tyre.

Përgjigjja e xhaxhait nga Amerika s’po vinte. Mondi fliste në krye të javës me të dhe nuk ia kursente elozhet. Vazhdimisht i shprehte mallin për të dhe brengën për Amerikën. Gjthmonë në fund të bisedës, i thoshte: Fol pak me Netën, se këtë s’e zë gjumi tërë javën. Pret me padurim të shtunën, të flasë me xhaxhain. Neta ishte e drejtpërdrejtë. Ajo i thoshte hapur xhaxhait se Mondi s’mund të priste të shkelte tokën e bekuar të Amerikës. Thoshte fjalët që përsëriste shpesh Mondi: “Ky vend nuk bëhet, shpresën e kemi vetëm te ju, xhaxhi”. Dhe në fund ia merrte prapë telefonin Mondi, për t’u përshëndetur me xhaxhain. Përgjërimet ishin aq të shumta, sa bënin efektin e kundërt. Ndaj pas çdo bisede bëhej më pessimist.

Një ditë, fare papritur , Mondi e provokoi Beson për ndjenjat që ruante ndaj Netës:
-Thjesht e kam shoqe që nga fëminia. Veç miqësisë dhe keqardhjes, që do më ikë bashkë me ty, nuk ruaj asgjë tjetër për të.
Mondi e kuptoi shumë mirë atë që e dinte. Besoja e donte për vdekje Netën.
-Mos ki droje nga unë. Unë e di se ti e do Netën aq sa do edhe jetën tënde.
-Si e di ti? Nga e di ti? Pse je kaq i sigurtë në ato që thua?-Besua dyshonte në ato që thoshte Mondi, por mos ishin të vërteta, mos ia kishte thënë vetë Neta?…
-Më ka thënë vetë Neta, -iu përgjigj Mondi, që e psikologjiste me një vështrim Beson. Besos i shkëndijuan sytë dhe një valë e ngrohtë gjaku ia përshkoi trupin.
-Edhe ajo të do ty. Po të mos ishte martuar me mua, ajo do të martohej vetëm me ty dhe askënd tjetër. Duke mos i ditur mardhëniet tuaja, unë hyra midis juve dhe e ndiej se kam bërë një krim. Por tani… s’di si ta shlyej.
Beson, të cilit instinktivisht i vinte të përdorte grushtat, sa herë takohej me Mondin dhe dëgjonte broçkullat e tij, këtë herë e çarmatosi sinqeriteti i dhëndërrit të ri. Filloi t’i vlonte gjaku, iu errën sytë dhe iu turbullua mëndja.

Që nga ajo bisedë Mondi nuk linte asnjë ditë pa e takuar Beson bashkë me Netën. Kur Neta rrinte në dyqan, Mondi bënte ç’ishte e mundur ta çonte atje. Ai nuk druante ta linte Netën vetëm me Beson edhe në vende që një tjetër i posamartuar do të hezitonte. Bile shpesh sajonte pretekste për këtë. Bënte ca akrobacira që ata të dy të përplaseshin trup me trup. Vërente drithërimat e konvulsionet ndjesore të Besos dhe indiferencën e Netës. “Kjo s’është femër”, thoshte me vete… Ishte e dukshme se Mondi nxitonte për diçka që as Neta dhe as Besua nuk kishin mundur ta kuptonin.        Një ditë, pas një bisede gjatë kafes në lokalin e Verës, Besua tha me vete: “Diçka kurdis ky”. Po atë pasdite, duke bërë të ndrojturin, Mondi foli dhe me Netën:
-Besua vuan shumë. Më vjen keq për të.
-Pse, ç’ka Besua. Me shëndet është mirë. Lekë merr plot dhe puna me hekura ia ka forcuar muskujt, si luan.
Ajo fjala“si luan”, në çast i shkaktoi një rrënqethje instinktive Mondit, por shpejt asaj ndjesie ia zuri vendin urrejtja për të.
-Beson e ka zënë prej kohësh qymyri…
-Ashtu! S’e dija. Mos ta ka treguar të adhuruarën e tij?
-Po. Unë tani e di.
-Hë, cila është?
-Nuk ta themë, deri sa s’ta ka thënë vetë ai.
-Po, hë të shkretën, thuaje!… Të keqen!… T’u bëfsha!… ma thuaj, se më përvëloi kureshtja!
-Çfarë të themë tjetër? S’të kuptoj. Ti e di mirë. Bën sikur s’e di.
-S’është e vërtetë. As më ka thënë gjë as më ka pyetur. Si shoqe duhej…
-Ai ma tregoi mua, -nxitoi Mondi, -por më porositi të mos i tregoj Netës.
-Po mirë mos ma trego, nuk jam shumë kureshtare për jetën e të tjerëve, qoftë edhe vëllai im.
Mondi heshti pak, thithi fort një cigare, sikur do të thoshte diçka shumë të rëndësishme:
-E adhuruara e Besos është Neta.
Aq e pavëmendëshme ishte vajza, sa nuk lexoi vetëm tekstin, jo nëntekstin e Mondit.
-Cila Netë,more? -pyeti ajo e habitur.
-Neta Lumani, mbesa e xhaxhait në Amerikë. Dhe ti mos më bëj të paditurën. Ai ty të adhuron. Këtë e kam kuptuar me kohë, por ti përpiqej ta fshehësh, për shkak të lidhjes me mua.
-Ç’janë këto fjalë, Mondi? Mos je gjë i pirë! Këtu s’ka asgjë të vërtetë. Dhe unë nuk kam thjeshtë lidhje me ty, unë të dua. Kot u jep udhë bisedave të tilla me mua.
-Pse është keq të të dojë një mashkull! Nuk ka asgjë për t’u habitur dhe as për t’u fyer. Aq më tepër kur është djali, që e ke pasur në krah gjithë jetën.
-Jo,po…-nisi diçka të thoshte Neta, por Mondi i kyçi buzët më gishtin tregues, se po vinte mamaja e saj.

Mondi kishte filluar të dukej gjithmonë i menduar dhe i zymtë. Nevrikosej për hiçmosgjë dhe bëhej i padurueshëm. Neta e çiltër vrazhdësinë e tij në sjelljet me të e lidhte me padurimin e tij, për të ikur në Amerikë. Por shumë herë ai e përbuzte dhe e fyente hapur. Ajo vetëm stepej pak dhe pastaj i buzëqeshte. Nga bisedat telefonike Mondi prej kohësh e kishte nuhatur se nuk ishte i preferuari i xhaxhait të Netës.Më në fund xhaxhai e dërgoi haberin: do të merrte vajzën e motrës, të cilës i kishte vdekur burri, të cilën do ta marrtonte me një ortakun e tij shqiptar dhe djalin e vëllait të vogël. Pas kësaj “mandate” Mondi s’ishte më as në tokë as në qiell. Vërtitej nëpër dhomat e korridoret e mëdha të ish-repartit ushtarak, si bishë e tërbuar. Nuk tregonte më as vlerat më elementare të mirësjelljes me askënd. Netën nuk e shikonte dot me sy. Vetëm e fyente dhe bëhej gati ta godiste, por përmbahej nga frika, se mos Neta i tregonte familjes dhe shkonte fjala në vesh të Besos, gjë që Neta s’kishte ndërmend ta bënte kurrë. Ajo kurrësesi s’mund ta pranonte se Mondi asnjë herë s’kishte ndier gjë për të. S’mund ta kuptonte se çdo gjë që e gëzonte Netën, atë e zemëronte. S’mund ta imagjinonte se krenaria e saj dhe çdo gjë që e bënte të lumtur, atë e neveriste, ndonëse ditët e fundit i ishte lëkundur besimi te gangsteri nga qyteti nuk ishte martuar me të vetëm me motivin që ta përdorte atë “vajzë të shpifur” si karrem për të kapur Amerikën…

Shqetësimet shëndetësore të Netës vazhdonin. Për të ëmën dhe Verën çdo gjë ishte e qartë. Vera i shpjegoi diçka edhe Mondit. Që atë çast Mondi u bë bishë. Shpërthente pa shkak mbi Netën. Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë, ulërinte ai para motrës e kunatit. Kjo nuk i pëlqente as Verës as oficerit të liruar. Në fund të fundit shtatëzaninë e Netës ata e konsideronin një hallkë më tepër për ralizimin e synimit. Sa më thellë të hyjë grepi, aq më lehtë kapet peshku, thoshte oficeri i liruar. Prindët e saj e çuan Netën për vizitë në qytet me një shpresë të ëmbël në gji. Nuk kishin sit a dinin se ç’mendonte Mondi. Neta nuk u tregonte asgjë për sjelljen burracake të tij.

Besua dhe Mondi rrinin ulur në verandën e lokalit të Verës, secili në mendimet e veta, kur vetura ndali para tyre. Mamaja e Netës u hodh e para nga makina dhe iu drejtua djemve:
-Mondi, kemi një sihariq të madh për ty… –e lëshoi zërin vjehrra që larg tërë hare, që ta dëgjonin edhe gjitonët. Ajo nuk e dinte se Mondin e kishte informuar Vera, por e ndjeu se Mondit i hipën xhindet.
-Po shkrepe, moj vjehërza ime! Ç’farë ke në mëndje? –foli ai me shpoti.
– Neta është shtatëzënë…
Mondi u tërhoq prapa, i shtrembëruar dhe dyll i verdhë në fytyrë, sikur e vjehrra do ti hidhej në qafë, siç e kishte zakon dhe do t’i ngjiste sëmundjen e lisë.
-Ashtu! Pse s’thua se Neta do të na lindë Krishtin… “Kjo ishte gjëmë, moj bastarde, jo sihariq”, tha me vete. Vjehrrës i pëlqeu t’i mirrte si shaka alla Mondi ato fjalë.
-Shkojmë në shtëpi, vjehërrza ime, ta marrim vesh punën e Krishtit pa baba, – e vazhdoi Mondi fjalën dhe i futi krahun vjehrës. Ajo ia hoqi krahun.
Sa mbritën në shtëpi, Mondi filloi sherrin.
-Qënke shtatëzën ti, moj… shën Mëri? –iu drejtua me përbuzje Netës, duke përtypur me dhëmbë fjalën “zhabë”. Neta dhe e ëma buzëqeshën, duke i dhënë përshtypjen Mondit se i merrnin për shaka maskarallëqet e tij.
-Po si u bëre shtatëzënë ty, moj pëllumbeshë? Me frymën e shenjtë, si Shën Mëria!… Në se je e sigurtë se je shtatëzënë, trego me kë e ke dobiçin.
Gratë vështruan njëra-tjetrën syshqyer. Netës i iku fytyra. U zbardh si gëlqerja e murit. E ëma, ndonëse e fundosur në një dyshim të madh, u hodh se mos i binte të fikët vajzës. Kur e uli në divan, iu drejtua Mondit me një zemëratë prej ulkonje:
-Ti s’je në vete sot. Mund të kesh pirë. Ik qetësohu një copë herë.
-Jam shumë i qetë, vjehërza ime. Mos më mëso ti se ç’do të bëj unë!
-Atëherë, po je esëll, ty të ka ikur mëndja. Shko thyej qafën! Mos guxo t’i flasësh vajzës sime si rrufjan! E di ti kush jemi ne dhe kush është babai i saj apo jo!
Mondit as i shkonte në mëndje një reagim i tillë nga ajo “pulë e sëmurë”. Bëri sikur qeshi me të madhe si karagjoz. Mllefi që kishte brenda, me që nuk realizoi dot vajtjen në Amerikë, ia kishte fshirë çdo nojmë njerëzore. Tani donte ta hiqte atë pengore nëpër këmbë, martesën me Netën, të ikte nga sytë këmbët dhe t’i fshinte ata njerëz të pagdhendur nga memorja e tij.
-Nuk është fëmija im dhe pikë, -tha dhe bëri të dilte jashtë.
-Ajo është martuar me ty dhe s’është nga ato që do të na tregosh ti! – vjehrra ishte gati t’i hidhte thonjët në fyt. -I kujt është atëherë, kur e ditke që nuk është yti?
-I Besos. Shko pyete , po të duash, nënokja ime, -lëshoi bombën Mondi dhe doli nga shtëpia me nxitim. Njerëzve që s’janë në gjëndje të duan, asnjë poshtërsi s’u duket e tillë… Nënës i erdhi shtëpia rrotull. Neta ra në divan e alivanosur.

Mondi me vrap u gjënd te punishtja e Besos.
-Beso, më trego të vërtetën, pa droje: E do Netën?
-E,e, e… e kam dashur, por tani e do ti.
-Po e do me gjithë mend, dili zot të adhuruarës tënde.
-Si t’i dal zot, nuk e kuptoj,-pyeti i habitur Besua.
-Ta shpjegoj unë. Neta është shtatëzënë.
-Si është shta-të-zë-në!… E pastaj? Ai është fëmija yt…
-Prit, ky durim. Fëmija nuk është imi. Ç’rëndësi ka se i kujt është fëmija. Prano që është fëmija yt dhe gjithçka merr fund…
-Si!…Si!…S’e kuptoj…Po Neta çfarë do thotë?-pyeti Besua i shtangur me dyshim mos edhe këtë e kishte pranuar Neta.
-Këtë që them unë.
Besua mbeti i hutuar. As kuptonte gjë as ishte në gjëndje të arsyetonte dhe të merrte një vendim të çastit, se çfarë duhej të bënte…
Ndërkohë Mondi shkoi në lokalin e Verës. Mlodhi alabakët e fshatit, të cilëve kishte 5-6 muaj që u kishte hedhur trurin e gomarit . Ua shtroi me raki e meze dhe i bindi me ato marifetet e tij të përhapnin fjalën se Neta ishte shtatëzënë me Beson dhe ai e kishte pranuar vetë para tyre… Fshati aq donte, filloi thashethemnaja: “E poshtra, priste një fëmijë dhe iu ngjit atij bukuroshit nga qyteti”… “Jo, s’janë Neta dhe Besua të tillë”. …“Iu ngjit ai vagabondi Netës, për të vajtur në Amerikë”… Por grave të fshatit, mikesha të Verës, u pëlqente më shumë varianti i parë.

Të nesërmen pasdite nëna e Netës vuri ulërimën në oborr të shtëpisë: Ndihmë! Ndihmëëë!… Po më vdes vajzaaa!… Ishte vetëm fare. Gjitonet dolën te shkallët, te portat, në ballkone e dritare dhe vështronin të tronditura sa nga shtëpia e fqinjës, sa njëra-tjetrën. Ndërkohë Besua kapërceu avllinë dhe ra këmba-doras në oborr. Nuk kishte kohë të kalonte nga porta.
-Ku vete ti, budallai i fshatit. Ti ma mbyte vajzën. Ik, zhduku, se të rashë me sopatë në kokë!-ulëriu nëna e Netës, por fjalët i ngecën në grykë. Beson e kishte si djalin e saj dhe Neta e kishte si vëllain e vet. Pa ai as i kishte dëgjuar fjalët e saj. Me dy hapa e përshkoi oborrin dhe u gjend në dhomën ku ishte Neta.
-Netaaaa!…Netaaa! -thirri ai sa kapërceu derën dhe e kapi me të dy krahët te kofshët. E ngriti menjëherë lart trupin e saj si një ari i fortë, deri sa pesha e trupit nuk binte më në litar.
-Afro tavolinën shpejt! -i thirri mamasë së Netës. Ia vendosi këmbët vajzës mbi tavolinë, pastaj hipi edhe vetë. Ngadalë ia liroi litarin dhe donte ta përqafonte, por prania e nënës së saj e ndali. Neta mori frymë. O Zot! O Zot! thirri nëna dhe ia dha të qarit. Besua e uli poshtë trupin e vajzës, e shtriu në krevat dhe, duke mos u përmbajtur dot, u shtri edhe vetë pranë saj për ta ndihmuar. Nëna humbi ndjenjat.
-Pse e bëre këtë, Netaaa? Për kë deshe t’i jepje fund jetës, për atë gangsterin?…Ai u martua me ty për Amerikën! Unë prisja ta kuptoje, pastaj le të martoheshe me kë të doje, -i thoshte Besua Netës. E la Netën e shkoi te mamaja e saj. E goditi me pëllëmba faqeve dhe preu me shpejtësi një qepë. Ia afroi te hunda deri sa nëna erdhi në vete.
-Ik tani, lere vajzën! – tha nëna sa mori veten. Ishte instinkti mbrojtës i nënës për vajzën. Besua u bind vetëm kur Neta i hapi sytë dhe mori frymë lirisht. Ajo e vështroi e habitur, sikur të mos e kishte marrë vesh se ku ishte. Besua bëri hapa prapa drejt derës. Kur doli jashtë dhomës, u kthye sërish dhe tha, si një përbetim:
– Unë të kam dashur, Neta. Tani nuk dëshiroj gjë tjetër veçse ti të jetosh. Nuk dua as të jetosh e turpëruar. Fëmija, që mban në barkun tëd të bukur, s’ka si të jetë imi, siç thonë gojët e çthurrura, por unë e pranoj atë fëmijë sikur të ishte imi… Po të pranosh të martohesh me mua…Me gjithë atë, ti pyet veten dhe bëj si të thotë zemra… Për mua ti do të mbetesh ajo që ke qënë… Ndërsa atij horrit të poshtër do t’ia thyej turinjtë, -dhe doli si i tërbuar nga shtëpia.
-Vëlla, Beso, pse s’më le të vdisja, -tha Neta, duke e përcjellë me sy të frikësuar. Ndërkohë Mondi kishte paguar një taksixhi trafikant, për ta çuar në Greqi.
Pas disa ditësh Vera dhe bashkëshorti mblodhën plaçkat e ikën nga fshati me turp.

 

 

Botimet Toena sjellin në shqip fituesen e Çmimit Europian për Letërsinë – 2010, Iris Hanika / Nga: Irena Toçi

  Botimet Toena sjellin në shqip fituesen e Çmimit Europian për Letërsinë – 2010, Iris Hanika.     Botimet Toena & Instituti i Librit dhe i Promocionit me mbështetjen e Programit “Europa Krijuese” bënë të mundur përkthimin, mikpritjen e autores dhe promovimin … Continue reading

Poezi nga Festim Liti

Poezi nga Festim Liti     ILUZION MAKABËR    Rrëmbeva një kandil të ndezur, flakadan, Nga varri i bardhë në varreza, Ndjesë i kërkova, robit të urtë që s’ besonte, poshtë pllakave të mermerta, kallkan. Desha të ndriçoja, Botën misterioze, … Continue reading