PESHA E FJALËS NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS Nga: Vasil Tabaku

 

 

PESHA E FJALËS NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS

 

 

Vasil Tabaku -1

Nga: Vasil Tabaku

 

Përsëri, një prurje sa origjinale aq dhe e suksesshme në poezinë e Adem Zaplluzhës, me një peshë  të çmuar fjale, ku mesazhi është i qartë dhe tepër i  thjeshtë, “Jetoni jetën, duajeni atë dhe bëheni të bukur me dashuri, dritë në shpirt dhe guxim” Natyrisht, nuk ka si     të ishte ndryshe edhe në librin e tij më të ri  “Fluturimi I gjinkallës” Adem Zaplluzha vjen I sigurt  në vargun e tij, plot mendim, trajtesë filozofike dhe mesazh të kthjellëta. ka një ligjërim të ëmbël dhe imponues, ku shpaloset jeta me të gjithë përmasat dhe problemet e saj, me dashurinë dhe ëndrrat, me pasionin dhe shpresën , me dhimbjen dhe trishtimin, me mallin dhe kurajon për të jetuar dhe mbi të gjitha me vlerat e rralla të jetës së shqiptarëve kudo që janë. Ai  paraqitet me ketë libër dinjitoz si poet dhe magjik si ligjërues i një vargu lirik, plot dritë dhe emocion, ku natyrshëm zgjohen mendime, që e kanë burimin tek poezia e veçantë, origjinale dhe me patos e Adem Zaplluzhës. Sepse këtij poeti vërtet unikal i duhen pak shumë pak për të shkruar një poezi, sepse atij poezia i buron  nga brendia e shpirtit.

Shumë pak fjalë

Më duhen për një poezi

Pakëz diell në syrin e pemëve

Edhe më pak shi

Në ashtin e pathyeshëm të tokës

 

Nga poezia “Shumë pak më duhet për të shkruar një poezi”

 

adem

Adem Zaplluzha

 

E kam theksuar edhe në një trajtesë tjetër për poetin Adem Zaplluzha, ka vetëm një univers dhe ky univers është poezia. Autori ndërton situata dhe dimensione të reja në çdo krijim, ndaj edhe në këtë libër gjejmë një seri prurjesh të reja poetike si në konceptimin artistik, ashtu dhe në mesazhet që autori përcjell. Ai ndërton kohën dhe realitetin përballë nesh me një mjeshtëri të dukshme dhe magjike. Adem Zaplluzha duket si një organizëm i lindur për poezinë, një krijues i pashtershëm dhe plotë vlera artistike të rralla. Këtë e dëshmon më së miri edhe libri që autori paraqet për botim “Fluturimi i gjinkallës”. Një libër që mendoj se do të jetë edhe një kontribut më tepër për poezinë bashkëkohore i Adem Zaplluzhës. natyrisht, autori është  i ndërgjegjshëm për peshën e fjalë së vet poetike, njëherësh është edhe entuziast se e di, gjithçka e poezisë së tij i përket vlerave, i përket Kosovës, i përket Shqipërisë dhe gjithë hapësirave ku jetojnë e punojnë shqiptarë. Adem Zaplluzha ndërton me mjaft elegancë, me finesë dhe me dashuri, një figuracion të shkëlqyer që ngërthen vlerat e vërteta të poezisë së tij të bukur, befasuese dhe mbi të gjitha me mesazhe të qarta dhe tepër domethënëse.

 

“Rruga është e gjatë

Por ne do ecim deri në pafundësi

Atje i kemi ëndrrat tona

Secilin hap që do hedhim

Do jemi më afër një ëndrre

 

Ju thash se ne jemi nisur…”

 

Nga poezia “RRUGËS NUK I DIHET ASNJËHERË”

 

…sepse poeti e di mirë dhe këtë e nënvizon si një lajtmotiv të madh të kohës, asnjëherë nuk ka kthim, ka vetëm ecje përpara dhe vetëm përpara.

 

14463627_1232747553444358_1138792167_n

Fluturimi i gjinkallës

 

Mesazhe këto që burojnë nga realiteti i Kosovës dhe vet kohës. Autori në të gjithë librin është përpjekur të ndërtoj një realitet poetik të përafërt me atë që jetojmë përditë dhe e prekim me duar tona, me shpirtin tonë me ndijesitë tona që poeti i sendërton në poezi brilante dhe me vlera gjithëkohore. Autorë të nivelit të Adem Zaplluzhës janë të pakët dhe me vlera, pasi jo gjithkush mund të mbart kaq shumë art dhe mesazhe, kaq shumë dashuri dhe shpresë, kaq shumë dritë në shpirt dhe guxim. Në librin  e tij  poetik “Fluturimi i gjinkallës” Adem Zaplluzha  paraqitet edhe si një prurës i madh risish poetike, me një figuracion të pasur dhe tepër të realizuar. Adem Zaplluzha është një mjeshtër i vërtetë i metaforës dhe  aliteracionit poetik, i krahasimit dhe epitetit, por edhe i metonimisë artistike. Kjo e bënë librin të jetë tejet i  afërt me lexuesin dhe padyshim edhe më të realizuar dhe me vlera të spikatura.

 

“Ajo nuk ishte një njeri

Po ashtu nuk ishte as poezi

Kalonte në heshtje mes lirikave

Dhe në fund të çdo ecjeje

I përqafonte metaforat e kujtimeve”

 

Nga poezia“KUR U PAMË PAS NJËQIND VJETËVE

 

Një  libër  që poeti e sjell me shumë pezëm dhe dashuri, me shumë shpresë dhe guxim, për të krijuar një terren të ri artistik. Nuk mund të themi se poeti është tërësisht i ndërsjellët, pasi në një numër të madh  poezish gjendet  me shumë kujdes ëndrra e Autorit për të kënduar për Atdheun, tokën, njerëzit dhe dashurinë, dhe  unë do të thosha se autori këtë gjë e ka realizuar me mjaft përkushtim dhe mjeshtëri artistike. Duke lexuar me mjaft kujdes librin më të ri të autorit mund të them se Adem Zaplluzha ka bërë dhe një punë të mirë me gjuhën dhe  funksionin e saj në shërbim të shprehjes së mendimit të tij të thellë dhe mitikopoetik. Gjuha e poetit është mjaft e pastër, e kultivuar bukur dhe me ngjyrime të mëdha artistike si rrallë kush autor tjetër. Pastërtia stilistikore dhe morfologjike krijojnë një harmoni brilante mes vargjeve të poezive të librit, duke krijuar një atmosferë të këndshme për lexuesit e gjithfarë kategorie edhe për njeriun e thjeshtë edhe për atë elitar apo akademik. Autori është i pranueshëm për të gjitha shtresat dhe nivelet, një vlerë koj tepër e rrallë dhe e çmuar. Nisur nga të gjitha këto arritje të poetit, me të drejtë dua të theksoj faktin se kemi të bëjmë më një autor serioz dhe të suksesshëm, krijues mjaft kërkues dhe dinjitoz, që i ofron lexuesit një poezi mjaft cilësore dhe të realizuar artistikisht dhe me mesazhe të mrekullueshme. Libri i ri i Adem Zaplluzhës mendoj se është dhe një kontribut i ri në lëmin e krijimtarisë së tij të gjerë letrarëartistike,  pse jo dhe me risi të spikatura, Ndër të tjera edhe me atë opusin e madh dhe të gjerë të librave të autorit botuar në një shtrirje kohore të madhe. Pa as më të voglin ngurrim, mund të them me bindje se kjo është edhe një përvojë e çmuar dhe e suksesshme, e cila i shton padyshim vlerat poezisë bashkëkohore moderne shqiptare. Ky autor preston të jetë kështu një emër mjaft tingëllues dhe mbi të gjitha me vlera të larta artistike në këtë lami të artit të të shkruarit, ku unë theksoj edhe faktin se Adem Zaplluzha është kështu një dimension i ri i poezisë sonë moderne dhe një prurës i ri i risive letrare përmes një figuracioni të spikatur,brilant dhe domethënës. i uroj suksese autorit me këtë libër të ri poetik dhe begati krijuese.

Tiranë, 11 Nëntor 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s