
Poezi nga Ramiz Kuqi
PAS TUNDJEVE
Stina u vesh me lumni
Buza
Nis udhëtimin e vet në vargje
Shpresa e thyer
Po hyn në kullë lumnie
Më prit
Ëndrra ime atje në Jug
Ku dielli e shiu takohen rrallë
E vjeshta
Zverdh shpejt gjethet nëpër degë
Lypsarët enden me pelerinë
Mbi supe
Rëndon qielli
Për një copë bukë
Më shumë se dje
Pas tundjeve Atdhe!
NJË ËNDËRR
U tret nëpër rrugë
Si hije
Fëmijë bonjak
Pa kasollë mbi kokë
Shtrat i përgjumur
Nëpër stinë
Kush ta mori buzëqeshjen
O varg i kryqëzuar?
Një gotë verë desha ta zbraz
Nata
Të shdërrohej në lumë
Si zjarr i pashuar!
Një ëndërr…
NUK I BASHKOI …
As vargjet poetike
Netet e gjata
Fjalët e shkruara pa thonjëza
Deri të një pikë centrifugale
Sa presje fjali dëshirore
Fjalë
Deri të Ura e Gurit
Pritje të gjata imagjinare
Nuk i bashkoi
As metafora e mallit
Sa larg kanë ikur
Orët
Si dallëndyshet mbi Bardhan
Poezi
Ti që bashkon ura e ura
Harta të grisura shekujve?!