Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

SHTATË KRISMA

Më kujtohet si sot 
Se asnjë fëmijë s’kishte lindur
Atë ditë në lagjen tonë
Ishte e diel
Ndoshta e pritnin lirinë

Kambana na dukej disi si një nuse e re
Që kishte mbërri në fshat
Ishte ulur si burrë
Këmbëkryq në kambanore
Shikonte thembrat e ushtarëve dezertorë

Nuk e kam të qartë
Por asnjë fëmijë nuk u lind atë ditë
Pritnin ikjen e ushtarëve
Pakëz më vonë
Në shtatë lagje i dëgjuam shtatë krisma.

 

MBLODHA NGA NJË BLE FLOKËSH


Erën e mykur të barotit
Intimisht e përjetova 
Si vdekjen time
Vetë me këto duar prej skeleti
Varrosa një kohë të hidhur
Të cilën
Kurrë më s’dua ta përkujtoj

Kalova nëpër udhët e trishtimit
Kudo nëpër ledhe
Mbolla nga një copë asht
Mbolla dhembjen e një populli
I cili me mijëra vite
Mbi shpinën e kërrusur të atdheut
Duroi djallin e birit të djallit

Ju thashë vetë i përjetova
Rëniet e qepallave të drurëve
Mblodha nga një ble flokësh
Për ta ngritur
Kalanë e pathyeshme të lirisë
Vetë rrash në humnerë
Dhe vetë dola në dritë nga honi i zi.

 

SE SI VDISTE AJRI I ZHURITUR

Sa shumë zëra vdiqën mbrëmë
Dhe asnjëherë më
Nuk i dëgjuam nëpër fushat e mëllenjave
Gumëzhitjet e përditshme
Të fëmijëve bonjak

Nëpër shkretëtirat e Anadollit
I kërkuam eshtrat
Nuk kishin as varre burrat
U zhdukën
Thua se s’kishin ekzistuar asnjëherë

Mbi plagët e pashëruara të atdheut
Pritnin kthimin e shtërgjeve
Por fluturimet çdo ditë e më shumë
Filluan të rrallohen
Mbi qiellin vjedhur të Arbërisë

Askush s’beson por ne pamë
Se si vdiste rëra e zhuritur
Vdisnin edhe pemët
Nga vringëllimat shpatave
Dhe të mëzdrakëve vdiste ajri i mykur.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s