Shpend Sollaku Noé, një poet i puthur në ballë prej perëndisë Apollo.
Nga Stelvio Mestrovich Wotninsky
Kurrë sʼkam lexuar nje poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngjeshur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh, menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shejnta; kaq të përditshme, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq shpuese e therëse saqë të vjen të veshësh dorashka para se tʼa shfletosh».
Pas një sërë librash të një niveli superior (i fundit, sipas kronologjisë, është fenomenali “Abysses-Voragini”, USA 2009), poeti shqiptar Shpend Sollaku Noé na prezanton tani poemën e labirinteve “Barkodë”.
Autori, profesor, gazetar, shkrimtar dhe sidomos Poet (me P të madhe), për ta diferencuar nga sharlatanët dhe shitësit e vargjeve të mërmëruar (gjithmonë e më shumë të pranishëm), jeton në Itali si azilant politik që prej 1992-it. Bashkëpunon me gazeta dhe revista të rëndësishme; veprat e tij i gjen të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Sh.S.Noé është shumë aktiv në mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, sidomos të emigrantëve dhe të refugjatëve politikë.
Ky presantim nuk është i kotë. Është esencial për të kuptuar Atë që ka shkruar “Barkodë” dhe përse e ka shkruar. Është një uverturë për të depërtuar në vepër.
Në shkrimin e poemës “Codici a Barre”, Shpend Sollaku Noé është puthur në ballë e bekuar prej Perëndisë Apollo, preçektor i shpirtit të Artit, Muzikës e Poezisë, Perëndi e Dritës, nënkuptuar si njohje shpirtërore dhe profetike. Dhe profecirat në këtë poemë gjenden me bollëk.
Barcodes
Poeti Ynë shqiptar ngren zërin, qorton, paralajmëron, ndëshkon mëkatarët e epokës që jetojmë. Zihet ngushtë vetëm se çfarë të zgjedhë, por kërkon të jetë afër të të braktisurit, të të varfërit, të emigrantit, të të ikurit prej luftrave, të azilantit politik. Shfryhet me forcën e një cikloni, vërsulet kundër bankave, kundër demokracive të rreme, kundër marksizmit, kundër kapitalismit, duke tundur gishtin tregues minchelaxhelian sidomos kundër kalbësirës, tashmë të përditshme, duke dënuar pa mëshirë:
“[…]Kafkë mbi kafkë,/eshtër mbi eshtër,/fertilizues për gjëmbaçë e grëmëra,/ hiç xixëllonja,/ zero mëllenja,/ zhdukur bretkët/ pak vetëtima./ Shi shtiran,/ bosh kujtesa e aromave,/ por nuk mungon e pamëshirshmja:/ nuk kishte lindur idiot,/ vdiq i çmendur[…]”
Vargje të dhunshme, ku shpërthen zemërimi dhe trishtimi për realitetin që na bren pak nga pak. E më tej:
“[…]Ngarkoj mbi shpatulla sarkofagët e të pyes ty,/ fantazmë e përheshme/ e nëntokës,/ si nuk ke ditur/ Pegazin e interesave të kalërosh,/ të mjelësh/ apo të milesh prej financiareve/o tout court/ të nxjerrësh bukën e gojës?![…]”
Këtu autori bëhet therës, këtu poezia ulet e paftuar në kronikën mondane, por gjithmonë e mbyllur në një kornizë të artë vargjesh të habitshëm.
Për një azilant politik, burgu është i parapëlqyer, është i pari dhe i vërteti atdhe:
“[…]sepse atje jashtë bota të është/ si një banjo penale: /programuar si të lindesh,/ programuar përse të jetosh,/ programuar kur të shfarosesh.”
Dhe shpresa ku është? Sh.S.Noé regjistron: […]“të vegjetojmë e të jemi gati/ për t’i shërbyer providencialit bankomat,/ të flemë si gjithmonë të fundit/ e si gjithmonë të zgjohemi të parët,/ të konstatojmë që trupi ynë/ është akoma lumturimisht i tëri,/ kur sytë / kapsalliten për kredinë e shtëpisë,/ këmbët / vihen në lëvizje për të shlyer këstet e autos,/ krahu i djathtë përkëdhel/ kuzhinën e re,/ dhe i majti/sallën e ngrënies;/ kur për të pasur subvencionim/ mendon zonja Vaginë,/ dhe ndonjëherë duhet të behet ganimed/ edhe zoti Penis./ Për iPhone-in e brezit të fundit/ parashikon treguesi i djathtë,/ për të vjedhur nga interneti videoklipet/ konsumohet sharësi i majtë,/ për të bërë të mbijetojnë hipertregjet/ turbinon zonja Bythë,/ dhe për boutique-ët/ kafka e trurit kaçak.[…]”
Shpend Sollaku Noe lartësohet si Dante Aligieri i shekullit të 21-të: në poemë nuk gjen lugje dhe rrethe të ferrit, por vizioni është po ashtu ngjethës. Ndihemi më se të mallkuar, buratinë të vërtetë që qarkullojnë në botën-ferr ku, në vend të flakëve, janë informatika, kreditë për tʼu paguar, fajdexhinjtë, bankat-shushunja, cmira, xhelosia, mania për të rënë në sy, besimet fetare të rreme, injoranca, historia e falsifikuar, burokracitë e çnderuara e pagdhendja.
Zoti nuk gjendet. Ndoshta edhe ai është bërë mason. Aty-këtu rigon ndonjë cifël qiellore në Terrin Apokaliptik. Hullì kometash shkojnë nxitimthi dhe zhduken në Hiç. Sepse edhe paralajmërimet vlejnë një Hiç: Shkoni, o njerëz, të zvarriteni/ si horra të kënaqur/ të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,/ tʼu lëpini këmbët/ administratorëve bankarë,/ të gërvishni gjunjët në kllapi/ drejt Vegimit Hyjnor,/ e nën kafkë të kamxhikoni të keqen,/ të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur./ E përjetshme lutja e shenjtë qoftë:/ Banka Jonë që je në Tokë..
Me këtë retiçenzë përfundon Poema “Barkodë” e Shpend Sollaku Noé-së.
Kurrë sʼkam lexuar një libër kaq të bukur, por ngjethës; kaq të ngjeshur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh, menjëherë pas këtij, Shkrimet e Shejnta; kaq të përditshëm, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq depërtues e therës saqë të vjen të veshësh dorashka para se tʼa shfletosh.
(Parathënie e Stelvio Mestrovich Wotninsky-it për librin “Barcodes-Codici a barre”, botuar ne SHBA, në italisht e anglisht, në vitin 2010).