BALADA PËR BABANË DHE MOTRËN BAHRIJE / Nga Shefqet Dibrani

 

sh

 

BALADA PËR BABANË DHE MOTRËN BAHRIJE

 

 Në përkujtim të babait tim Rifat Dibran Dibrani,
vrarë nga serbet më 18 prill 1999, në Gërdoc të Llapit.

(Tim Eti vrarë më 18 prill 1999 )

 

 

shefqet dibrani

Nga  Shefqet Dibrani

 

 

Uturimë shkoi fshati atë mëngjes prilli
Barbari vuri putrën në gardhe dielli

U trandën dhe të vdekurit në varre
Si teh kose befi vdekja bizare

Bija tha: “Barbarët erdhën, kullat po i kallin”
Babai iu përgjigj: “Nuk braktis shtëpinë pa e pëlcitur ballin”

Bija ia ktheu: “Ikim Baba nga serbët e tërbuar”
Babai iu përgjigj: “Udha të shpie… matanë mali s’është rrëzuar”

Ec moj bija ime luginës së përroit, kujdes, pa panik
Qëndron, pragu i shtëpisë nuk më lë të ik…

 

Motra ia puthi ballin Atit atë ditë prilli
Në ndarjen tragjike sikur pushoi dielli

Shpejto drita ime, rrënjë e ardhmërisë
Babai po shkon në altarin e lirisë

 

Motra mori malin nën breshëritë…
Babai mbyllte dyert nga hordhitë

Njerëzit shumoheshin në zbrazjen e katundit
Lamtumirë Troje për herë të fundit

 

Babai tha: “Nuk iki sa të jem gjallë”
Bija ia ktheu: “Nuk zhbihemi as nga ky djall”

 

Qëndroi im At’ pas pragut të shtëpisë
Ah, qe thyer vetë kulmi i gjithësisë

Gërdoci pëlciti dyerve iu vunë skllapë
Vetëm Babai e Xhaxhai kanë mbetur zhapë

 

Me bastun në dorë ah sikur malin ta kishte mësyrë
Në ninëzat e syrit nxinte një mynxyrë

 

Ecte Bahrija si zog i plagosur në përpjetën e malit
Apo mbi dhembjen e gurtë në ballin e Babait

 

Sa shekulli zgjati ajo ditë
Bjeshka largohet, bjeshkë më prit!

 

Në çdo krua Motra lëngonte
Të Atin e vet mbi ujëra shikonte

 

Kaluan ditët, hekur, hekur, hekur
Pa marrë lajmin për t’Et se ka vdekur

 

Babai ra në pragun e shtëpisë
Motra u kthye në agun e lirisë

 

Me duart e saja varrin ia zbuloi
Plagët e plumbta me lot ia mbuloi

 

Mortjen e sollën plumbat e barbarëve…
Ndjesë pastë në tokën e të parëve

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s