LIS ME DEGË NA U RRËZUA… (Poemë për babanë ) / Nga Bardhyl Maliqi

LIS ME DEGË NA U RRËZUA…

 

(Poemë për babanë )

 

 

Bardhyl Maliqi

Nga Bardhyl Maliqi

 

 

 

  1. ORLA

 

Mbi shpinën e malit Orlë varet një re e bardhë,

një re si shpresë e mekur, e palëvizshme, e ngrirë.

Prej dy muajsh baba, orla brenda teje është shtrirë.

Shpend ndjellakeq, ç’do prej tim ati ti, vallë?

Ti orlë që malet nguros dhe lisat rrëzon me klithmë të keqe, krrokamë?!

Ç’është kështu?

Pse dëgjoj nga Filati, pse dëgjoj një oshtimë:

“Të shtrinë, o Ali Maliqi, o lisi me degë, të shtrinë…”?

Erdhi zonja Vdekje.

 

 

  1. ERDHE, QË MOS ARDHSH?!

 

Erdhe, që mos ardhsh, heu, t’u mpifshin këmbët?!

Mbetsh si plakë uloke,

boll e mbolle Pllajën e Vasiliqisë,

poshtë Përrallit t’Hasanit,

te kthesë e Qafëbotës.

Erdhe, që mos ardhsh, heu, t’u thafshin këmbët?!

Pse ma merr tim atë, ç’të ka bërë vallë?

Nata zë e ngjethet mu te Qafë e Madhe,

nëpër Likojan ujku qan ngadalë,

mu në Mesogun, ku Bertin na e vranë.

Gjyshja shkoi e para, dhemb humbja pa skaj,

në sirtarë kujtimesh flenë fotot e saj,

por sa herë që nusërojnë bajamet,

era derën hap, çapa dëgjoj pastaj,

nëpër agullimë çelin sytë e saj.

Pastaj iku dajkua dhe hallat të dyja,

Thonë “i desh në dasmë vetë Vasiliqia”.

Im’ ëmë e shkreta, harruar mbi dhe,

ç’pate Zonjë e Madhe, ç’pate që e le!

Fati i jetimit s’tjetërsohet dot,

dhe në qeshtë një çast,

humb në gjak e lot…

Por tjetër plagë na mblodhi,

shpirti ther tani,

Kreshmoi, kreshpërohet

Prilli – helm i zi!

 

 

  1. NJË LIS ME DEGË NA U RRËZUA

 

Babai ra.

Një lis me degë na u rrëzua,

por ti, mor bir, mos u tremb prej tij.

Unë Uilliami s’jam, por një fjalë të them:

 “Të vdekurit dhe të fjeturit nuk janë veç piktura”,

por më tepër se kaq… shumë më tepër se kaq.

Janë balli i vrenjtur i babait për djemtë vanë e më s’u kthyen;

për të tjerë që këtu ishin, e s’kishin më zë,

që në rropama refugjatësh vërtiteshin poshtë e lart,

që në molin e pavëmëndjes u mykën pa shkak.

Eh, ju baballarë të dëshiruar për bijtë e munguar,

që veç telashe ju sollën për ditë e nga pak,

që iu vrisnin me egoizëm dhe sherre pa cak,

që ju dogjën me mallin e të qenit aq larg….

E dimë.

Nuk ka veç një fajtor

dhe në është një, ai është i pafaj,

në kurthin e kohës ne ramë si në çark,

– Na fal baba, që të munguam kaq gjatë!

Ty durimi t’u sos dhe hapi t’u mpak,

por s’e pranonim dot, na dukej tejlarg

dita kur do ta përhapnim lajmin kob të zi,

të merreshim me letrën e lajmërimeve

arkivolin, granitin, fotografinë,

të duronim kujën e grave, të përcillnim vakinë,

dita kur më dysh do ta ndanim historinë:

 

 

  1. ME TY BABA… BABA PA TY!

 

Vëllezër dhe motra, ç’ndodhi me ne vallë?

Prind me 5 fëmijë, babai i padjalë!

Pse dreq hiena e nëmur të hyri në mushkri.

Dhe rrëzoi dritën syri dhe syri u përgjak

dhe re si lis me degë, mu atje në prag!

Oh,

një lis me degë ne na u rrëzua,

pa pritur, pa kujtuar!

Dhe mbet hardhia nëpër erë, përmbi hon epuar…

Dhe unë thur dhe shthur:

 

 

  1. DIALOGË ME KUNDËRSHTARËT E MUNGUAR

 

Të lutem, vare në mur fotografinë ti, mor bir!

Ai burrë s’ishte dokushdo, ai burrë s’është njeri i harruar!

Është babai yt, është babai im,

Në republikën e vogël të familjes

Ai është president i përhershëm,

është Ylli Ynë Polar,

e Jona Dashuri!

Dhe mos e harro fjalët e Uilliamit:

“Të vdekurit dhe të fjeturit nuk janë veç piktura”,

por më tepër se kaq, shumë më tepër se kaq.

Janë hijet e lisit që na flladitin ballin,

paçka se i rrëzuar;

janë fijet e rigonit që kundërmon në çdo hap,

janë lulemendrat dhe lulemullagat

e fëminisë sonë, që u rrit në këtë prag.

Dhe unë nuk di pse mendoj:

 

 

  1. KALOI NJË VIT…

 

Kaloi një vit dhe ne i qasemi babait edhe më pranë,

gjersa të vijë dita të mbërrijmë në moshën e tij,

të shuhemi si ai,

të rilindim si ai.

Po vallë, a do t’i afrohemi dot dinjitetit të tij?

A do të jemi, vallë, njerëzorë sa ai?!

Dhe mos harro, se ai ishte njeri,

njeri si unë, njeri si ti,

njeri si fëmijët e fëmijëve tanë,

të atyre që ende s’kanë mbërritur,

Njeri!

Babi ynë fjalëpakë, ai që s’u ankua kurrë,

që në këtë pyllnajë ishte më i larti burrë!

A gjendej bashkëbisedues më i mençur në këtë kaza?

Ti dyshon?!

Më tepër respekt për njerëzit,

kushdoqofsh,

se në zyrat e shtetit ai s’bezdisi njeri,

për gjysmëpensionin kurrë s’u ankua,

s’ishte si çdo veteran që troket në çdo derë

për pak para më shumë, për më shumë drejtësi.

S’ishte nga ata që ju ta përcillnit me buzëqeshje ironike:

“Duku nga pasnesër, xhaxha!”

dhe me kolegët të pëshpëritni:

“Sa të ngjitur këta pleqtë, mor zot…”

Ju, nëpunës kafkianë, që emra të paqenë keni si pasuord!

Oh, im atë, ishte tjetër hapësirë,

babai im, qiellori, që unë s’mëdyshem ta quaj kështu:

 

 

 

  1. BABI IM – HAPSIRA IME BLU!

 

Baba,

firmosi hapësirat e gjelbra dhe qiejt që sot rigojnë shi,

se ti na mësove se drurët degëzohen e gjethojnë,

se ti na mësove se lulet duan të çelin,

dhe jepju hapësirave, jepju baba, hapësirave blu!

Ajo që iu përket barit dhe piklave të vesës si kristale,

të përket edhe ty.

Ajo që iu përket tokës dhe ujit

të përket edhe ty.

Pasioni i bukur dhe nevoja njerëzore

Ushqenin zemrën tënde,

ndryshe nuk do të çarteshe pas një gërmadhë të harruar,

për të kapur foletë e zogjve të dashurisë njerëzore,

babai ynë i mirë, i paharruari baba!

Një thënie kam kujtuar gjithmonë për nderin tënd:

Fytyrat e bukura na qetësojnë shpirtin,

dhe ti ishe i bukur, veçanërisht i bukur!

Mendjet e bukura na kthjellojnë trurin,

dhe ti kishe mendje të bukur, etalon për urtësi;

se ti ishe pronar i dy magjive të kësaj bote:

Bukurisë dhe Mençurisë!

Ti e dije: ajo që i përket dheut dhe pjellorisë

ka lidhje parësore me diellin;

dhe na mësove se ajo që i përket qiellit dhe fluturimit

ka lidhje parësore me laureshat.

Kam qenë symbyllur, baba,

dhe ti më solle dritën me kreshpërim, diellor, të egër.

Baba, ti më përket jo thjesht se të dua,

jo thjesht si baba ti më përket,

ti më përket se rrezikove prej bukurisë që vret,

ndaj i largohem pyllit dhe dal në rrugë,

ndaj i përvidhem dallgës dhe dal në breg;

Shëndodhrin kam përballë

dhe Qafëbotën përbri.

Baba, a e di?

S’ka më bukur se një përqafim mes drurëve,

ku flokët të shpleksen nëpër erë,

ku aromat e tokës e të gjirit tënd

i shtojnë shijen stinës së bardhë të dashurisë njerëzore,

e bëjnë pranverën të kundërmojë aromë blirësh

dhe hapësirat blu i veshin me dritë,

ndaj e ngre zërin

dhe thërras me gjithë shpirt:

 

 

  1. ÇOHU, BABA, MOS RRI I SHTRIRË!

 

Çohu, or burrë i dheut,

çohu siç ishe, si lis,

çohu dhe hapësirat blu veshi me dritë sërish!

Baba, ne jemi këtu, erdhën edhe vëllezërit,

robër të përhershëm të kalvarit të pambaruar

në kurbet, tej kufirit të mallkuar.

Jemi të gjithë të përlotur, këtu,

në këmbët e tua.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s