Shqipëri Etnike, Shqipëri Politike apo Shqiptarët në Evropën e Bashkuar? / Nga Dr. Zeqirja REXHEPI

 

Shqipëri Etnike, Shqipëri Politike apo Shqiptarët në Evropën e Bashkuar?

 

 

doc_dr_zeqirja_rexhepi

Nga Dr. Zeqirja REXHEPI

 

 

Ditëve të fundit po debatohet më lirshëm rreth një teme, e cila ndonëse është përfolur edhe më parë, megjithatë është konsideruar tabu. Është fjala për përmbylljen e procesit të formësimit të shtetit-komb te shqiptarët. Temë kjo, që kohëve të fundit u hodh si tezë në instanca të larta kombëtare dhe tashmë vazhdon të trajtohet me seriozitet nëpër debate mediatike.

Nëse rikthehemi pas në historinë tonë, atëherë rikujtojmë se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në shek. XIX arriti ta rrumbullakësojë formësimin e kombit mbi themele të prejardhjes etnike, historisë, traditave, zakoneve, gjuhës…, elemente këto që e përbëjnë kulturën e përbashkët të shqiptarëve – një model gjerman i krijimit të kombit mbi bazë të kulturës.

Idetë e iluministëve shqiptarë të kohës së Rilindjes kishin arritur ta “trazojnë” ndërgjegjen kombëtare, të“fjetur” ndër shekuj, gjë që në fillim të shek. XX do të shfaqet me pjesëmarrjen masive në kryengritjet kundër sunduesit shekullor osman dhe luftën për çlirim dhe liri kombëtare.

Pas dëbimit të Perandorisë Osmane nga trojet shqiptare, në fazën kur duhej përmbyllur edhe procesi politik i krijimit të Shtetit Etnik Shqiptar, diplomacia e Fuqive të Mëdha u përkujdes, kryesisht për ruajtjen e interesave vetjake, duke shkelur mbi interesat shqiptare. Me këtë rast, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, të mbetur brenda sistemit jugosllav, arritën ta mbijetojnë edhe këtë sistem pushtuesi të huaj.

Tani, në fillet e shek. XXI, në rrethana krejtësisht të reja gjeopolitike, me një Shqipëri dhe Kosovë të pavarur, rihapet çështja e bashkimit kombëtar apo shtetëror?! Pra, çështja e rrumbullakësimit politik të kombit shqiptar sillet midis tri opcioneve: SHQIPËRI ETNIKE, SHQIPËRI POLITIKE apo SHQIPËTARËT NË EVROPËN E BASHKUAR:

  • Ithtarët e opcionit të parë, kryesisht etnonacionalistët shqiptarë, angazhimin e tyre e argumentojnë mbi realitetin historiko-etnik, mbi bazë të parimit të vetëvendosjes etnike si një nga parimet e njohura amerikane të fillimshekullit të XX;
  • Ithtarët e opcionit të dytë, angazhohen për unifikimin e dy shteteve të pavarura, Shqipërisë dhe Kosovës, dhe
  • Ithtarët e opcionit të tretë, besojnë në projektin e Evropës së Bashkuar, në të cilin projekt brenda shqiptarëve do të hiqen kufijtë politikë dhe administrativë.

Opcioni i parë nga pikëpamja gjeopolitike shkakton destabilizimin e rajonit dhe rihap krizë të re me përmasa të gjera në Ballkan, epilogu i së cilës është i pa parashikueshëm, me pasoja afatgjate për kombin shqiptar. Me fjalë të tjera, ky opcion do t’i armiqësonte shqiptarët me të gjithë popujt fqinj të rajonit të Ballkanit. Duhet theksuar se, aktualisht marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi principin e mosndryshimit të kufijve, princip ky që e bën të pamundur realizimin e këtij opcioni.

Opcioni i dytë, pra unifikimi i Shqipërisë dhe Kosovës, duket më i mundshëm, sepse bëhet fjalë për dy shtete sovrane me institucione të pavarura, unifikimi i të cilave pritet të ndodhë, sepse nuk ekziston ndonjë barierë juridike ndërkombëtare, e cila do ta pamundësonte realizimin në praktikë. Rreth këtij opcioni, për të cilin tashmë është deklaruar publikisht kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, aktualisht pështillen dilemat: A është e gatshme klasa politike dhe intelektuale e dy shteteve të sakrifikojë pozicionet e tyre në favor të projektit për një shtet të përbashkët? Nga ajo që patëm rastin të dëgjojmë nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Muzafer Korkuti, mundëm të kuptojmë se inteligjenca shqiptare në Shqipëri nuk shpreh gatishmëri pro bashkimit Shqipëri-Kosovë.

Ndërkaq, rreth opcionit të tretë, bashkimin e shqiptarëve në Evropën e Bashkuar, projekt tek i cili është varur shpresa e pjesës më të madhe të shqiptarëve, pështjellohen më shumë dilema nga të cilat do të përmend të parën dhe të fundit: çka, në qoftë se Evropa e Bashkuar do t’i mbyllë dyert për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në qoftë se Evropa e Bashkuar nuk do të mund t’u përballojë sfidave të shekullit XXI dhe rrënohet si projekt?!

Më duhet të theksoj se diplomacia shqiptare do duhej të mbetet në gjendje mobile te qendrat e vendosjes ndërkombëtare, duke e vlerësuar raportin e forcave dhe për të kapur “rastin” për vendimin historik.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s