EDHE NGA QIELLI TOKA JOTE DUKET MË E BUKUR. ( INTERVISTA E PARË DHE E FUNDIT E PILOTIT TË NDJERË, ANDREA GJIKËDHIMA ) / Intervistoi : Agron Mema

11164130_778075708975374_1826811133_n

 

EDHE NGA QIELLI TOKA JOTE DUKET MË E BUKUR.

 

( INTERVISTA E PARË DHE E FUNDIT E PILOTIT TË NDJERË, ANDREA GJIKËDHIMA )

 

 
Një jetë në fluturime! 25 vite në hapsirat e kaltra të qiellit shqiptar dhe të vendeve mike të asajë kohe.Në gjallje dhe në vdekje i dashuruar me qiellin:i gjallë kreu 2500 fluturime në 1800 orë në 25 vite dhe tani i larguar nga jeta ,shpirti i tij përjetsisht fluturon në qiellin që e deshi aq shumë.Ky është piloti Andrea Gjikdhima i cili tanimë nuk jeton.Duke rrëmuar në arkivin tim të gazetarit, gjej këtë intervistë të rregjistruar në audio shumë vite më parë.E dëgjoj dhe çuditem me mosbotimin e sajë, ndaj vendosa ta botoj sepse vlerat memoriolistike dhe ato aktuale qëndrojnë dhe duhet ti bashkangjiten historisë së aviacionit shqiptar.Kjo është intervista e parë dhe e fundit e tij , sepse Andrea qe modest e njeri i thjeshtë, nuk fliste kurrë për veten, por edhe profesioni si ushtarak i qiellit ja kish kultivuar më shumë genin e urtësisë dhe heshtjes dhe ata që e kanë njohur më japin të drejtë në këtë përkufizim dhe përshkrim të karakterit të tij.E mbaj mend si tani se sa u lodha për ta bindur të fliste e të sillte kujtimet e tij dhe përsëri foli shumë pak.Ai sjell këtu kujtimet e tij mbi aviacionin luftarak shqiptar, faqe të lavdishme të kësajë arme të ushtrisë popullore shqiptare, por edhe kuriozitete që nuk duhen marrë si përçmim por si vlerë , kur përmenden se kur skuadrilja aviatore shqiptare kishte avion MIG 19 dhe SUPERSONIK, vendet fqinje si Italia nuk kishin, por edhe të tjera kuriozitete të fluturimit qiellor në mbrojtje të kufijve ajrorë të Shqipërisë, kujrimet nga Kina dhe aviacioni kinez,deri në 30 mijë fluturime në vit dhe një vend me tre aerodrome në 75 Km larg nga njëri-tjetri që nuk i kanë as vendet moderne, keqardhjen për situatën në aviacionin e sotëm shqiptar si dhe sugjerimet e tij se pse Sarandës i duhet që pikë lidhse ajrore me një aerodrom, e cila ka 25 vjet që përflitet por ende dhe sot nuk bëhet asgjë, por përdoret vetëm për elekrorat.

 

 

agron mema

Intervistoi : Agron Mema

 
-Përshëndetje zoti Andrea! Duam të njohim lexuesit me disa elemente dhe ngjarje , të cilat edhe perimetrizohen në historinë e aviacionit tonë,por edhe disa detaje nga jeta juaj që nga Andrea një fëmijë i vogël i Lukovës së bukur bregdetare e deri tek kabina e pilotimit të avionit, kjo për të konkretizuar portretin dhe besueshmërinë si dhe respektin ndaj lexuesit. Pra disa episode të këtij rrugëtimi?

 
-Fillimisht unë dua të falenderoj juve dhe median tuaj që më jep këtë mundësi të shprehem për herë të parë publikisht për aviacionin, profesionin dhe kolegët e mi.Jam pak i emocionuar, sepse më jepet rasti të flasë për veten time që në përgjithësi nuk e kam bërë këtë në jetë.Jam nga Lukova e bukur bregdetare. Nga ajo perlë që kush ka kaluar dhe nuk është mahnitur me bukurinë që natyra ja ka falur, me punën dhe thjeshtësinë e këtyre njerzve, me qiellin dhe detin e kaltër, me gjithshka që mbretëron dhe është në të…me portokajt e ullinjt gjelbërosh gjithvjetor, me hardhitë që me verën e rakinë karakteristike presin e përcjellin miqët duke u dhuruar kënaqësinë , me pemët e shumta e të shumllojshme, me shumë e shumë të tjera…Kjo është Lukova nga më të bukurat e Shqipërisë, pjesë e Sarandës sonë shumë të bukur, ku kalova edhe fëmijërinë time dhe mbarova shkollën fillore, ndërsa atë 8-vjeçare e kam bërë gjysmën në Piqeras dhe gjysmën në Nivicë-Bubar, dy fshatra të bukura të bregdetit jonian.I mbarova katër vite e shkollës 8-vjeçare në këto fshatra sepse aso kohe nuk kishte shkollë në Lukovë, qenë vitet 1957-1960, vite kur i përket edhe fëmijëria ime dhe si unë dhe bashkëmoshatarët e mi, me shumë mund e me shumë vështirësi, mbaruam shkollat dhe sotë jemi hapur në gjithë atdheun, punojmë sipas profesionit tonë.Pasi mbarova shkollën 8-vjeçare në Nivicë, shkova në shkollën “Skënderbej”.Një shkollë e madhe, një shkollë me traditë, një shkollë që të formon e të kalit, të jep mundësi për shumë zgjedhje në jetë.Ky qe një fat për mua, sepse siç e theksova, shkolla”Skënderbej” të jep mundësi për rrugë të ndryshme në jetë.Këtu mu dha një mundësi për të bërë analizat, për tu testuar për aviacion.Isha mirë me shëndet.Prindërit më kishin rritur mirë e po kështu edhe fshati më kishte mbajtur mirë.Kështu që gëzoja shëndet të plotë dhe të gjitha mundësitë për tu shprehur në aviacion.Dola me sukses dhe kaluam në shkollë të aviacionit të cilën e mbarova në vitin 1971 pasi e fillova në vitin 1969.Pra dy vjet e kam bërë shkollën e aviacionit.Ishte një eksperiment që u bë për herë të parë me grupin tonë, pasi të tjerët e kanë bërë tre vjet.Pas mbarimit të shkollës së aviacionit kam shkuar në Kinë ku kam fluturuar rreth një vitë e gjysëm.Më mbrapa jam kthyer dhe kam vazhduar karierën time në aviacionin luftarak shqiptar.

 

Më falni që po ju ndërpres! Ruani ndonjë kujtim të bukur nga Kina?

 
-Detyrimisht!Edhe atje jetojnë njerëz.Njerëz që punojnë.Të urtë.Që më dhanë leksione dhe në ç’fardo pozicioni të jemë me ta, leksionet e tyre kanë qenë shumë të vyera për mua.Jo që janë një popull me traditë, një popull me shumë kulturë, të cilën e kishin shumë të zhvilluar në krahasim me ne.Mora shumë prej tyre:mora përvojën, mora aftësitë intelektuale të cilat mundëm ti shprehnim në atdheun tonë kur u kthyem.
Kur erdhëm nga Kina , fillimisht u vendosëm në Kuçovë në vitin 1972, ku qe një aerodromi ndërtuar në vitin 1953, aerodrom shumë i mirë.Deri në vitin 1976 kam fluturuar në aviacionin dhe aerodromin e Kuçovës.Ndërsa më mbrapa shkuam në veri të Shqipërisë, ku u hap një aerodrom i ri në Gjadër të Lezhës.Aty kam fluuruar nga viti 1976 deri në vitin 1992 kur u largova nga aviacioni.Kjo është një jetë e madhe, realtivisht e gjatë se shokët e mi kanë edhe më shumë akoma, pasi unë fatkeqësisht e lashë herët aviacionin.Kështu fluturova 22 vjet dhe tre të shkollës , 25 vet në qiell në të cilat kam kryer 2500 fluturime me 1800 orë dhe këto të ndara në tipe, tipe avionësh që ka patur si MIG 19, 15 etj.

 

11160239_778075902308688_1753225796_n

Me familjen

 

 

-Ç’farë ndiet kur tokën tuaj e patë nga lart dhe cili është kujtimi më i bukur?

 

-Tani ta përshkruash tokën tënde nga ajri, është pak e vështirë, pasi jo të tërë e kanë këtë fat.Si koncept dua të bëj edhe një krahasim të vogël që njerzit duhet ta kuptojnë se ç’farë është ajri.Nëse të tërë e shikojmë ylberin përballë, e shikojmë si një hark, po ta shikosh nga ajri, ylberin e shikon me një vizë.Në përgjithësi , duke parë tokën tënde nga lart, të jepet një përfytyrim tjetër që nuk e ke parë ndonjëherë.Është shumë më bukur, diçka shumë e bukur.Por vendi ynë ka një veçori tjetër, jo vetëm se është vendi jot dhe si i tillë është më i shtrenjti në botë, por Shqipëria ka gjëra të veçanta që nuk i kanë vendet e tjera.Shqipëria është një vend shumë i bukur me drejtim të veçantë.Drejtimi i Shqipërisë, po ta krahasosh në hartë, nga alpet dinarike thyen me një bregdet shumë të bukur e me male të larta, pyje të gjelbra që rrahin nga lindja në perëndim.Të tërë këto i japin një pamje shumë të bukur, një ndjesi që shtë shumë e vështirë ta gjesh në vende të tjera dhe ta përshkruash me fjalë.

 

11139835_778075008975444_2033833360_n

Me kolegët e tij, pilotë

 

-Thatë se keni qëndruar 25 vite në fluturim.Pas sa kohësh keni fluturuar mbi Lukovën tuaj dhe si tu duk ajo?

 
-Fluturimin mbi fshatin tim e kam pasur ëndërr.Jo për të treguar se kush jam unë, por thjeshtë kërshëria për të parë fshatin tim nga lart.E kam parë edhe nga mali që kemi mbi fshat se aty jem rritur, por është ndryshe kur e sheh nga qielli dhe për fat , më është dhënë ky rast në vitin 1974.Dhe e kam parë shumë afër.Thjeva edhe disiplinën se u ula më tepër, për ta parë më nga afër fshatin tim.Fshati im është shumë i bukur!Ndaj kur e shikon sot në gjendjen që është katandisur, më vjen pak keq, por po flasim për atë që ka qenë dikur.Që do bëhet prap , do bëhet, nuk diskutohet dhe këtë unë e shikoj me optimizëm dhe aspak me pesimizëm.

 

-Edhe diçka tjetër!Kjo puna e fluturimit ka dy anë:njërën e thatë se ç’farë ndjetë kur fluturuat për herë të parë, po kur u larguat ç’farë ndjetë?Cila ishte rrugëzgjidhja për veten?

 

-Tani, para se të ndalem tek përgjigjia e pyetjes, dua të them se kam një kujtim shumë të bukur:-Atë vite bënim edhe ndjekje ajrore, kishte shkelje dhe provokacine herë pas here.Kur ishim në Gjadër, më ra fati se kishte një shkelje në Himarë.Unë isha në drejtim të avionit dhe më drejtojnë nga komanda qëndrore për të ardhur drejt vendit që mendohej se kishte shkelje.Ishte koha në të mugur dhe duke shkuar drejt jugut errësirra e natës thellohej dhe bënte punën e vet.Duke ardhur mbi Llogara më doli përpara gjithë bregu i detit me fshtrat e tijë rradhë si margaritarë me dritat që pak a shumë ndriçonin.Kërkoja me sy të gjeja fshatin tim dhe më në fund e gjeta.Nga ndriçimi i dritave.Është fhstai i fundit kur vjen nga Llogaraja , i fundit buzë detit.Vajta mbi fshatin tim dhe mundohesha të gjeja shtëpinë time dhe pak a shumë e gjeta dhe mendova:Këta janë bashkfshatarët e mi që flenë të lodhur nga puna e tyre, shlodhen për të nesërmen.Dhe unë në ajër bëja punën time.Sejcili bënte punën e tij.Ky është një shans ndjesor që rrallë dhe rrallëkujt i jepet duke parë fshatin tënd natën nga qielli.Për fat qe një natë e pastër, një natë e bukur dhe diku aty poshtë Lukovës, ca varka peshkimi lezetonin atë natë peizazhin bregdetar të Lukovës.
Kur jam larguar nga aviacioni, me dhimbje!Me shumë dhimbje bile , sepsee kam dashuruar profesionin tim , kam qenë shumë pasionant për të dhe mendoj se arrita diçka në jetë.Unë, jo se u bëra kushedi i madh, por i përkas atij brezi sëbashku me shokët e mi, që kemi lënë shenjë në aviacionin luftarak shqiptar.Në disa drejtime kam pasur edhe aftësi shumë të mira si në bombardime, qitje, fluturime etj.Kam pasur rezultate shumë të mira.Këto më bënë që unë të bëhem komandant skuadrilje në aviacionin luftarak shqiptar.Po dhimbja më e madhe ka qenë se si do ndahesha me avionin.E kam përkëdhelur me dorë…e kam përkëdhelur me dorë dhe çuditërisht unë që nga ajo ditë nuk kam hipur më në kabinë dhe në avion.S’kam fluturuar më sepse kur mendoj kabinën e avionit tim emocionohem shumë, ishte shtëpia ime e dytë.
Integrimin në jetën civile fillimisht e pata të vështirë, shumë të vështirë sepse isha mësuar në aviacion, pranë një jete të programuar e të disiplinuar.Kështu që mundohesha të miresha më shumë me veten time për të kuptuar që kisha dalë në një pozicion tjetër.Dhe një vit e pata shumë të vështirë, por me ndihmën e njerzve të mi, të shokve, munda ta përballoj.Po më shumë me dhimbje jam ndarë nga shokët.Duke qenë në Sarandë, shokët i kam shumë larg.Shokët në aviacion janë gjëja më e shtrenjtë.Me shokët në aviacion kalon momentet më të vështira.Shokët e mi janë gjëja më e shtrenjtë e imja.Ata i kam pasur krahë dhe më kanë pasur krahë.Nuk veçoj asnjrin me emra.Të tërë në ajër.Të tërë në tokë.Bashkë në lojra sportive e shfaqje artistike.Bashkë në menxë.Bashkë në fluturime.Bashkë në punë.Ishim kudo bashkë.Shokët i kujtoj se i kam larg.Në mënyrë të veçantë kam ndjesinë për ata shokë që nuk jetojnë më, ata që janë rrëzuar në fluturime dhe ata që në mënyrë natyrale janë larguar nga jeta dhe sotë prehen në varreza.Ata i kujtoj me nostalgji…i kujtoj me dhimbje…sepse kam kujtime shumë të bukura me ta.Me shokët e largët komunikoj dhe në përgjithësi sejcili e ka gjetur veten e tij.Kurse puna që bëj sot, kambizmi,e vështirë!Punuam me njerzit në atë kohë e sistem dhe kambizmi është një art, jo të tërë mund ta bëjnë.Me njerzit duhet të jeshë korrekt, ti kuptosh dhe tu kryesh atyre nevojat dhe duke kryer nevojat e atyre, ke zgjidhur edhe interesat e tua.Pra korrektësi e sinqeritet me ta, ndoshta në një moment duhet të gëlltitësh edhe diçka të pahijshme prej tyre.Në këtë mënyrë, kambizmi nuk ka qenë i lehtë për mua, por s’kam pasur tjetër punë dhe kam qenë i detyruar ta bëj këtë.Për aq kohë sa punova në kambizëm, rrita dhe shkollova fëmijët.Qe një periudhë e vështirë, por e kaluam, e bëmë!

 

-Zoti Andrea!Si e shikoni gjendjen e aviacionit sot?A duhet të ketë një aeroport Saranda në fushën e Vrionit?Ose sipas jush a duhet të ketë ndonjë variant tjetër përveç vrionit?

 
-Sot aviacioni jonë ka mbaruar!Nuk ka më!Gjithmonë krahasimisht me atë që ishte.Dua të flasë pak me shifra:Në atë kohë, ne si aviacion, bënim 20-30 mijë fluturime në vit.Sot ka disa helikopterë dhe disa pilotë që fluturojnë në ta aipas detyrave të shtetit shqiptar.Në të arthmen ndoshta do ringrihet, por sot në përgjithësi , në krahasim me atë që ishte, po e përsëris, aviacioni shqiptar ka mbaruar.Ky është mendimi im, se unë vajta vite i larguar dhe nuk kam shumë informacion të sakt për ato që ndodhin dhe bëhen në aviacion, por nuk jam ptimist.Në aviacioni shqiptar, që nga viti 1951, është një përvojë e madhe, është një shkollë e madhe të cilën nuk më vjen mirë që po e humbasëm se të humbasësh është e lehtë, por është shumë e vështirë për ta fituar përsëri.Shqipëria ka edhe tre aerodrome në distancë 75 Km. nga njëri-tjetri, gjë që nuk i kanë vende të fuqishme në botë e jo më komshinjtë tanë.Dua të sqaroj një diçka për të pasur një kuptim tjetër:Kur ne kishim avion SUPERSONIK, Italia nuk kishte.Ky është një shembull konkret, i argumentuar dhe me vite.Në vitin 1960 ne kemi pasur MIG 19, Italia dhe vendet fqinje nuk i kishin.Pyetjet që mund të bëhen se ç’na duheshin, pse duheshin, si duheshin etj, janë pyetje që i takojnë një epoke tjetër, një periudhe tjetër të cilën nuk mund ta gjykojmë neve sot.
Saranda, të vijmë tek gjysma e pyetjes suaj, sot është një qytet turistik me zhvillime dhe ritme të mëdha që rritet dita-ditës, madje me orë dhe sy i tillë ka nevojë për një portë të re, një aeroport.Fat që në ato vite ka pasur një të tillë.Në atë kohë qe i vogël, por funksiononte dhe sot mund të kthehet në një aeroport të madh në një qytet me lëvizje shumë herë më të mëdha.Se si zgjidhet teknikisht kjo, është tjetër gjë.Unë kam shkuar në vend dhe e kam parë dhe them se të paktën me një drejtim hyrje nga pista, zhvillohet një aeroport shumë i mirë dhe ka mundësi lidhse për Sarandën me të gjithë vendet e botës me një kohë shumë herë më të shpejtë.Fillimisht duket si e pa realizueshme, por është e mundshme plotësisht.Këto mundësi i ka se është aerodromi që ka qenur.Mund ti ndryshohen pak kurset e uljes, por si vend ekziston, kështu që bëhet dhe është një gjë shumë e mirë për qytetin tonë , nëse ndodh.

 

Zoti Andrea, ju falenderoj!
Faleminderit dhe juve dhe gazetës suaj!

 
SHËNIM: Intervista është bërë në gjallje të autorit dhe botohet për herë të parë, pas vdekjes së tij. Ajo ndodhet e inçizuar në audio.

3 thoughts on “EDHE NGA QIELLI TOKA JOTE DUKET MË E BUKUR. ( INTERVISTA E PARË DHE E FUNDIT E PILOTIT TË NDJERË, ANDREA GJIKËDHIMA ) / Intervistoi : Agron Mema

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s