Fjalime të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës.

 

Albin-Kurti-per-publikim

Albin Kurti

 

Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës lidhur me Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, mbajtur më 7 prill 2015.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Në pikën 2 të memorandumit shpjegues të Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, dialogu në Bruksel quhet dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Pra, ky dialog quhet ashtu siç e quan Serbia e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës. Natyrisht që kështu dialogun e quan edhe Brukseli, mirëpo në këtë projektligj edhe vetë Qeveria e Kosovës po heq dorë nga cilësimi i dialogut si Kosovë-Serbi.

Në pikën 4 të memorandumit shpjegues thuhet që “Natyra e pavarur e AKP-së, strukturat e saj aktuale me ndryshime të kufizuara dhe me përkrahjen e vazhdueshme të donatorëve ishin paraparë që të mbesin siç janë, në mënyrë që dëshira e palëve për zbatim të shpejtë dhe për funksionim të konkluzioneve të dakorduara nga dialogu teknik i datës 2 shtator 2011 të plotësohet.” Së pari, konkluzionet e dialogut teknik të datës 2 shtator 2011 e bënin Kosovën shtet kopje, sepse Qeveria pajtohej që të marrë kopjet e dokumentacionit kadastral i cili paraqet element thelbësor të shtetndërtimit dhe sovranitetit.

Së dyti, mundet Qeveria e Kosovës ta shprehë dëshirën për plotësim të konkluzioneve të dakorduara por nuk mund të flasë për dëshirën e palëve, sepse nuk ka pasur as dëshirë e as vullnet të Serbisë për këtë. Dhe, së treti, nuk ka kuptim të flitet për dëshirë për zbatim të marrëveshjeve siç bëhet këtu, por vetëm për obligim ose detyrim të zbatimit të tyre.

Neni 6 i këtij projektligji, parasheh që Bordi mbikëqyrës i Agjencisë, të përbëhet prej pesë anëtarëve ku tre prej tyre i emëron Përfaqësuesi Special i BE-së ndërkaq dy anëtarë Kuvendi i Republikës. Mandej, në nenin 8, pika 2, thuhet që Komisioni për kërkesa pronësore, përbëhet prej tre anëtarëve nga të cilët dy janë ndërkombëtarë që u vazhdohet mandati, kurse vetëm njëri emërohet nga Kuvendi i Republikës pas propozimit nga Kryetari i Gjykatës Supreme.

Më tutje, në nenin 9, Komisioni për Verifikim dhe Vendosje për Prona, thuhet se do të përbëhet prej 5 anëtarëve ku tre emërohen nga PSBE-ja ndërsa dy nga Kuvendi i Republikës pas propozimit nga Kryetari i Gjykatës Supreme. Rrjedhimisht, ky Projektligj e nënshtron Kuvendin e Republikës dhe Kosovën të shpallur shtet i pavarur ndaj Përfaqësuesit Special të BE-së për shkak të dialogut në Bruksel.

Me këtë nënshtrim, i cili shihet në raportet 1 me 2 dhe 2 me 3, vendorë ndaj ndërkombëtarëve sipas emërimeve, Kosova edhe është Republikë e pakicës, edhe vend të cilit nuk po i zvogëlohet diktati ndërkombëtar por po i shtohet ai. E thënë ndryshe, këso projektligje nuk sjellin shtetet e pavarura e republikat parlamentare por kolonitë vasale e krahinat e varura.

Pika 3 e nenit 10, tregon që jo vetëm emërimi por edhe shkarkimi i anëtarëve të Komisioneve mund të bëhet vetëm nga autoriteti përkatës që i ka emëruar, e që do të thotë se ky projektligj e vulos përgjithnjë dyzimin institucional përbrenda Kosovës me komplet Kuvendin e Republikës të dominuar nga një zyrtar i vetëm ndërkombëtar, PSBE-ja.

 

 

Në planin praktik, dështimi i garantuar i kësaj trupe të instaluar vërtetohet më së miri me funksionimin e paraardhësit të tij, Agjencisë Kosovare të Pronës. Gjatë gjithë mandatit prej se është themeluar kjo agjenci, ajo shquhej si vendtakim i pazarllëqeve në mes të palëve, asaj posedueses dhe pretendueses për të drejtën e pronësisë. Jo pak zyrtarë të kësaj agjencie, kanë shërbyer si ndërmjetësues të këtyre pazarllëqeve për transferim të pronave. Tani, me natyrën konfirmuese për kopjet e librave kadastral, këtij agjencioni i mundësohet që nga ndërmjetësuesi ta marrë edhe rolin e ekzekutorit.

Kjo agjenci krahas asaj që në kuptimin politik dhe juridiko-kushtetues paraqitet si mutacion brenda sistemit tonë shtetëror, ajo do të paraqesë edhe pengesë në procesin e zbatimit të së drejtës.

Në planin teorik, e i cili do të aktualizohet në praktikë, kjo agjenci paraqet cenimin e vet kuptimit që në konceptin e së drejtës quhet e drejta subjektive. Pra, Komisioni për Verifikim dhe Vendosjen e Pronës, bazuar në nenin 13 të këtij projektligji, sipas fuqisë ligjore (ex lege), vihet në veprim të vërtetimit të krahasimit të gjendjes faktike dhe asaj juridike të servuar me kopjet e dokumenteve kadastrale që janë dërguar nga Serbia. Kjo qasje vjen në kundërshtim me të drejtën në diskrecion të qytetarëve që të drejtën e tyre subjektive të karakterit absolut ta mbrojnë sipas vullnetit të tyre. Mirëpo, ky karakter që i është instaluar kësaj agjencie tregon më së miri se letërkëmbimi në mes të Presidentes Jahjaga dhe Baroneshës Ashton është bërë burim kushtetues dhe ligjor. E, ky burim në kuptimin material nuk e paraqet vullnetin e forcës që krijon të drejtën, por vullnetin e Serbisë që të harmonizojë normativën e Republikës së Kosovës me kërkesat e brendshme kushtetuese dhe ligjore të saj në një raport ku ajo veten e konsideron si republikë ndërsa Kosovën si krahinë.

Përfundimisht, dialogu teknik e politik me Serbinë, jo vetëm që e ka shtuar fuqinë e Serbisë në Kosovë duke e bërë Serbinë palë për aq shumë çështje e gjëra të brendshme të Kosovës, por edhe e ka zvogëluar fuqinë e Kuvendit të Republikës karshi instancave ndërkombëtare mbi Kosovën të cilat, me këso ligjesh, vetëm sa po trashen, dy vjet e gjysmë pas asaj që u quajt përfundim i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

 

 

 

Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës mbajtur më 3 prill 2015 lidhur me Programin Qeverisës të Qeverisë së Kosovës

 

 

Deputetë Kuvendit të Kosovës,

 

Këto 100 ditë kanë qenë ditët më të mira të Kosovës me këtë qeveri. Ditët pas këtyre 100 ditëve do të jenë vetëm më të këqija e gjithnjë e më të këqija. Pra, ditët më të mira me këtë qeveri tashmë i kemi parë. Ato njëmend ishin shumë të këqija, por ditët në vijim do të jenë edhe më të këqija. Mbase nuk mund të jetë ndryshe me një qeveri e cila është themeluar me Marrëveshjen e Rashkës së 9 dhjetorit 2014. Atje e gjejmë këtë qeveri e jo këtu në programin e saj qeverisës.

 

Kjo Qeveri do të hap pakrahasimisht më shumë vende pune në Serbi sesa në Kosovë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për transportuesit e shqiptarëve nëpër Serbi për në Hungari e as për hotelet e restorantet në Suboticë ku lajmërimet jepen edhe në gjuhën shqipe. E kam fjalën për lejimin që këta do t’ia bëjnë mallrave të Serbisë në Kosovë. Serbia për çdo ditë i merr së paku një milion euro në ditë nga Kosova, sipas shifrave zyrtare. Në këto 100 ditë i ka marrë më shumë se 100 milionë euro.

 

Mustafa tha se fluksi i migrimit në dy muajt e parë të këtij viti ka mbetur ende i pashpjegueshëm në pikëpamje të faktorëve që e kanë shkaktuar. Mirëpo, kjo është dëshmi e asaj thënies popullore se i ngopuri të uriturit nuk ia din. Nga kolltuku qeveritar në zyre ose në xhip, ose nga dhoma e ngrohtë në pallat nuk mund ta kuptosh as atë që e sheh: ikjen e atyre që janë të varfër e po varfërohen dhe fëmijët e të cilëve nuk kanë shansë të hapin biznese me kompani sigurimesh, gurthyes apo shitblerje veturash sado i lirë e i hapur të jetë tregu sepse as ushqim të mjaftueshëm nuk kanë në baza ditore.

 

Është interesante qysh në raportin për 100 ditëshin e punës së Qeverisë, Mustafa nuk e përmendi shkarkimin e Jabllanoviqit. Shtrohet pyetja: pse? Kjo është e vetmja e arritur e tij reale. Si bëhet që kryeministri nuk e përmend vendimin e tij më të madh e më të mirë? Natyrisht, pa ato 20 protesta nëpër Kosovë dhe pa protestat e 24 dhe 27 janarit, e sidomos pa paralajmerimin për protestën e 4 shkurtit, pa dyshim që nuk do të shkarkohej Jabllanoviqi me 3 shkurt. Mirëpo është një padrejtësi e madhe që Mustafa ia bën edhe vetvetes kur nuk e përmend të arriturën e tij kryesore. Unë do ta kisha pyetur pse nuk e përmendi suksesin e tij real, ndërkohë që flet për suksese përgjithësisht të dyshimta?

 

Ky program qeverisës është prozë e dobët e premtimeve të përgjithësuara. Po them prozë e dobët dhe jo shumë e dobët, për shkak se nuk është kollaj që t’i shkruash plot 84 faqe e të thuash kaq pak. Pra, e do kjo punë një lloj talenti, sado pervers që mund të duket ai. Është e natyrshme që kur shkruhen 84 faqe të shpërfaqet një përmbajtje e substancë sado kudo e konsiderueshme – gjithsesi nevojitet ca talent që kjo të mos ndodhë siç është bërë në këtë program.

 

Në tekstin e këtij programi dhjetëra gjëra nga më të ndryshmet thuhet se do të jenë prioritet këtu e atje, kjo prioritet, ajo prioritet, pra: prioritet gjithçka! Kur ka shumë prioritete, kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se nuk ka fare prioritete. Mbase edhe një dëshmi më shumë se kësaj qeverie prioritetet do t’ia caktojë dikush tjetër: burokratët ndërkombëtarë e qeveritarët e Beogradit, Gjykata Speciale në Holandë e Gjykata Serbe në Mitrovicë.

 

Sigurisht që nuk mungojnë as formulimet, le t’i quajmë ekzotike, si psh. dallimi midis ‘shtyllave kryesore’ dhe ‘shtyllave të rëndësishme’ siç thuhet në këtë program apo edhe shprehjet si ‘një ndër prioritetet parësore’ thua se kjo nënkupton që ka prioritete joparësore dhe se ka joprioritete parësore, dhe, atë, disa sosh, natyrisht.

 

Se ky nuk është program për treg por se tregu vetë është programi të cilit i nënshtrohemi e pranoi vetë kryeministri Mustafa kur tha dje që nuk ka shifra e numra në program sepse ato na i përcakton tregu i lirë! Vetëm në paragrafin e parë të programit qeverisës përmendet ekonomia sociale e tregut, e më vonë kjo harrohet tërësisht: fjala ‘sociale’ zhduket dhe mbetet gjithandej vetëm ekonomia e tregut. Kjo qeveri është në treg, është në pazar, prandaj ajo do që edhe Kosova, edhe shteti e vendi ynë të jenë veçse në treg. Pra, në njërën anë, kemi të bëjmë me një fundamentalist të tregut të lirë. Mirëpo, në anën tjetër, kemi të bëjmë edhe me hipokrizi, apo jo? Sepse, shtrohet pyetja: si bëhet që në fushatë zgjedhore jepeshin premtime me shifra, psh 120.000 vende pune, kurse tash nuk bën të jepen numra sepse ato i jep tregu në fund?

 

Ky program i shkruar në kohën e ardhme është përplot premtime – kjo qeveri do të promovojë, do të forcojë, do të angazhohet, do të insistojë, do të stimulojë, do të marrë parasysh, do të reflektojë, do të sigurojë, do të punojë, do të përkushtohet, do të funksionalizojë, do të operacionalizojë, do të rrisë, do të mobilizojë, do të ndërtojë, do të adresojë, do të hartojë, do të trajtojë e deri te do t’i shikojë mundësitë, por s’ka as shifra të sasisë e as të afateve kohore askund për asnjë çështje për të cilat premtohet se ‘do të’.

 

Edhe atëherë kur fjalët i paralajmërojnë numrat sërish nuk i gjen ata. Në program thuhet se do të bëjnë: caktimin e një kuote, caktimin e një përqindjeje për aplikimin e pushimeve tatimore, Fond të veçantë për zhvillim të teknologjisë informative dhe komunikuese, së shpejti do të sigurohet financimi për fabrikën e trajtimit të ujërave në Pejë, të rritet ndihma për invalidë, familje të dëshmorëve e veteranëve, do të themelojnë Fond për bursa për studime të avancuara, do të themelohet dhe funksionalizohet Agjencia për kërkime shkencore dhe zhvillim, do të themelohet Qendra nacionale e kërkimeve të avancuara, do të ketë rritje të buxhetit për Teatrin Kombëtar, Qendrën Kinematografike, Filharmoninë, Baletin, Ansamblin ‘Shota’, për skenën e pavarur kulturore, për librin dhe veprimtarinë botuese, për teatrot dhe bibliotekat e qyteteve, për prezantim në festival e panaire nëKan, Berlin, Venedik e Frankfurt, për gërmime arkeologjike, për restaurim të monumenteve të trashëgimisë kulturore, do të ndërtohet Teatri i Operas dhe i Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor, do të renovohet plotësisht Teatri Kombëtar, Muzeu i Kosovës, i Bibliotekës “Pjetër Bogdani”, i objekteve të artit e kulturës nëpër komuna, mandej fond për ndërmarrësi të rinisë, për subvencionim të organizatave rinore për aktivitete rinore, për KQVR, për KLVR, për qendrat rinore, modernizim i infrastrukturës sportive, palestrave, pishinës olimpike, shtigjeve të atletikë, stadiumit me standard të UEFA/FIFA-s, poligone sportive në shkolla dhe lagje, më tej rritje e mbështetjes financiare për Komitetin Olimpik, për Komitetin Paraolimpik dhe federatat e sportit, fond i veçantë për bursa për studentë të mjekësisë në universitetet perëndimore si dhe mbështetje e projekteve të hulumtimeve shkencore etj.etj. As buxheti i Zvicrës nuk i mbulon dot këto përralla të qeverisë se lëre më ai i Kosovës.

 

Në faqen 7 thuhet që “Qeveria do të aplikojë një politikë tatimore të thjeshtë, me procedura të thjeshta të deklarimit të tatimeve…” dhe, më tutje, “kujdes i veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së thjeshtësisë së sistemit tatimor të Kosovës, faktor ky me të cilin është karakterizuar Kosova deri më tani”. Deputetë e qeveritarë të Kosovës, thjeshtësia në politika shtetërore nuk është vlerë. Budallai është i thjeshtë. I mençuri është i sofistikuar. Thjeshtësia përveçqë nuk është vlerë, nuk është as fuqi. Shtetet e thjeshta nuk janë të fuqishme. Shtetet e sistemet e sofistikuara janë të fuqishme. Nuk ka më thjeshtë se shteti ynë me tatime përgjithësisht të sheshta, me buxhet që kryesisht mbushet në kufi e jo në brendi e me Forcën e Sigurisë që rregullisht rri në brendi e jo në kufi. Kjo është shumë thjeshtë, porse edhe shumë dobët njëkohësisht. Thjeshtësia nuk është as seriozitet. Sepse thjeshtësia është pandjeshmëri. Në Kosovën ku është rritur shumë pabarazia të keshë sistem tatimor të thjeshtë do të thotë të jeshë i pandjeshëm, sepse do të thotë të mos keshë ndjeshmëri ndaj atyre që janë në gjendje më të rëndë dhe të cilët ia kanë nevojën më së shumti shtetit.

 

Veriu i Kosovës në këtë program përmendet për herë të parë vetëm në faqen 38, pra gati te gjysma e programit, ndërsa në faqe 50 tregohet që Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i kemi për jashtë vendit, pra, në misione të huaja (sic.). Në faqe 48 thuhet se do të luftohet terrorizmi dhe ekstremizmi fetar nëpër botë, por jo edhe ai i Serbisë në veri të Ibrit. Kjo politikë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit i përngjan atij airbag-ut në veturë për të cilin thuhej se funksionon në mënyrë të përsosur përveç në rast aksidenti.

 

Komunat me shumicë serbe përmenden, merreni me mend, vetëm në faqen 82 nga 84 faqet e programit. Mbase, ato mendojnë t’ia lënë Asociacionit të komunave dhe shteti i Kosovës s’ka pse i konsideron ato pjesë të Kosovës më.

 

Një teoricien i psikanalizës dinamike thotë që shakaja është gjithmonë për diçka tjetër. Kjo Qeveri është një shaka, sepse kjo Qeveri nuk është për këtë program qeverisës. Kjo Qeveri është për Gjykatën Speciale, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe, për rehatim të qeveritarëve me klikat e tyre partiake e biznesore. Kaq dhe vetëm kaq. Andaj kjo mazhorancë njëmend i ka numrat por me një këso programi që gjithsesi s’ka se si të ketë numra.

 

Ju falemnderit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s