Gruaja në politikë, mes figurantes dhe tabelës së qitjes / Nga Luela Myftari

Gruaja në politikë, mes figurantes dhe tabelës së qitjes

 

 

luela myftari

Nga Luela Myftari

 

-Gridën e njohin tashmë të gjithë. Ajo është një ndër gratë më të bukura dhe më të kuruara në botën e politikës. Është ajo që për një kohë të shkurtër diti që të shkëlqejë me prezencën e saj në media dhe në karrierën e saj profesionale. Nga pedagoge, u bë zëvendës ministre e Integrimit. Pas, largimit nga pushteti, Grida tregohet gjithnjë e disponueshme të përgjigjet për qëndrimet e saj politike apo për debatet e javës. Por këtë herë në “Shekulli Fundjavë” Grida vjen pak më ndryshe. Ajo do të na tregojë fëmijërinë e saj duke e krahasuar atë me fëmijërinë e djalit të saj, Darienit. Nuk heziton të rrëfejë edhe rrugën e vështirë politike të një femre. Si ka qenë fëmijëria e Gridës? Brenda një shtëpie me oborr ku zhvilloja thuajse fare pak lojë, thuajse fare lojë në “lagje” siç quhej atëherë. Shumë orë lexim, shumë kohë e shpenzuar në ndihmë të prindërve që luftonin me mirëmbajtjen e pafundme të një shtëpie, që kur e shikoj sot habitem që në të vërtetë ka qenë shumë më e vogël se përpjekja jonë e stërmadhe për ta bërë gjithmonë e më komode. Një fëmijëri e disiplinuar ku bota e vërtetë ishte nga njëra anë në imagjinatën që të ngjallnin leximet dhe në anën tjetër në bashkëjetesën e anëtarëve të një familjeje të madhe, të përbërë nga njerëz fizikisht të bukur, por edhe ambiciozë dhe që herë-herë harronin që në qendër të universit nuk ishin vetëm ata.

 

Djali juaj…Si është fëmijëria e tij në krahasim me tuajën?

 

Në një farë mënyre e kundërta e times. Jo disiplinë, por motivim. Jo rregull absolut, por bisedë. Jo shumë kohë me prindërit, si unë, më pak kohë me prindërit. Jo kërkesë për perfeksionizëm, por motivim për t’u ndier mirë me aq sa bën, nëse përpiqet shumë për një gjë, pavarësisht se nuk ka marrë “shumë mirë”.

 

Kur keni filluar të mendoni se mund të jeni pjesë e politikës?

 

Thuajse gjithmonë, në kuptimin që “gjithmonë” daton atëherë kur u bëra mjaftueshëm e përgjegjshme për të menduar për të ardhmen time. Në këtë kuptim që në momentet që zgjodha që studimet e mia të para universitare të ishim në lëmin filozofik.

 

Ç’do të thotë të bësh politikë në Shqipëri? A është e vështirë?

 

Të bësh politikë në Shqipëri do të thotë shumë gjëra. Duket sikur gjithmonë e më shumë të bësh politikë në Shqipëri do të thotë të përplasesh frontalisht me njerëzit e gabuar, me pritshmëritë e gabuara, me skemat e shtrembëruara në mendjet, në shpirtrat dhe në strukturat shoqërore. Të bësh politikë do të thotë të përpiqesh shumë për të gjetur njerëzit e duhur. Dhe, në mënyrë të pashmangshme, pasi i ke gjetur, të përplasesh edhe me ta! Nuk besoj se them diçka të re kur pohoj se Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë politikë. Kjo për shumë arsye. Së pari, sepse shumë pritshmëri ndaj politikës janë të gabuara. Ne shajmë liderët, dhe njëkohësisht presim jashtëzakonisht shumë prej tyre. Shumë prej nesh kanë humbur plotësisht besimin tek demokracia, por nga ana tjetër përveç saj nuk shohin tjetër rrugëdalje. Natyrisht, këto dilema hasen në shumë vende të tjera. Por ne i ndjejmë fort ato, ne i jetojmë fort ato si shqiptarë që duam të jetojmë në Shqipëri.

 

Ku ndiheni më mirë, përpara studentëve apo në një debat televiziv?

 

Ka pasur debate, ndonëse shumë pak nga të cilat kam dalë me shumë rimendime dhe shije jo të këndshme. Ka pasur auditorë nga të cilat kam dalë me pak trishtim për sa pak lexohet dhe sa pak arrijmë t’i bëjmë studentët të lexojnë, por në raport me shpeshtinë shumë më pak auditorë se debate. Femrat…

 

Çfarë është shqetësuese për ju dhe ndoshta edhe për femrat në tërësi në shoqërinë shqiptare?

 

Ndonëse çështja e gruas është bërë objekt i gjatë diskutimi, mendoj që në planin historik ajo çka ndodh është fare normale. Ju mund të habiteni ndërsa e them këtë, por për fakt të thjeshtë social është kështu. Gruaja në mbarë botën, qoftë edhe në atë më të zhvilluar perëndimore, ka shumë pak kohë që po konkurron në hapësirën publike. Nëse burri ka bërë thuajse mijëra vite politikë dhe ka vendosur për fatet e shoqërisë apo familjes prej mijëra vitesh, gruaja ka dalë në arenën publike vetëm prej disa dekadash, nëse këtë e kuptojmë si fenomen jo si raste grash që bëjnë përjashtimin. Kështu ajo që shpesh media e trumbeton si lajm tërheqës është e ashtuquajtura “lufta e gruas kundër gruas”, kjo është krejt e natyrshme të ndodhë, siç edhe ndodh. Mbi të gjitha sepse gruaja duhet të vërtetojë që ia del të fitojë garën brenda grupit të vet dhe më pas të konkurrojë përtej tij. Është një strategji e gabuar, por është deri diku e natyrshme. Duke ndier që konkurrenca me burrin zhvillohet me rregulla loje që avantazhojnë burrin, ajo nis me garën brenda grupit të vet gjinor.

 

Sa e keni ndier ju luftën e femrës kundra femrave? Po në raport me meshkujt?

 

Për mua shqetësues është fakti se në Shqipëri gruaja vazhdon të shihet dhe të trajtohet nga një pjesë e mirë e politikës si diçka midis figurantes dhe tabelës së qitjes. Për të ardhur keq që në skuadrën e snajperëve që mbajnë nën shënjestër gratë e suksesshme, disa nga qitëset më të angazhuara janë gjithashtu femra. Shqetësues është qëndrimi i meshkujve dhe femrave ndaj gruas në politikë. Gruaja politike vazhdon të shihet si një fenomen, si një specie e rrallë, pikërisht sot kur kjo “specie e rrallë” duhet të jetë diçka po aq e zakonshme sa një burrë në politikë.

 

Demokracia dështon, faji është i “intelektualëve”

Në këtë intervistë për “Shekullin” Grida Dumën nuk mund ta ndanim tërësisht nga politika. Ajo vajza mediatike që di gjithnjë të thotë shumëçka për politikën do të na rrëfejë sot sa e vështirë ka qenë dhe është për të të bërit politikë në Shqipëri. I kujt është faji kur dështon demokracia?

 

Nëse demokracia dështon, faji nuk mund të gjendet tek injoranca dhe marrëzia e turmës. Nuk mund të gjendet faji tek ata që janë anëtarë të thjeshtë të një partie. Faji qëndron tek intelektualët, apo ata që mbahen për të tillë, të cilët nuk e kuptojnë demokracinë, por vazhdojnë të etiketojnë njerëzit. Dështimi i intelektualëve është i rrezikshëm, sepse ai shkakton konfuzion në media dhe kudo.

 

Çfarë nënkupton Grida me të qenit militant?

 

Të jesh ideologjikisht i majtë apo i djathtë nuk do të thotë të jesh inferior. Unë i qëndroj fort kësaj, pavarësisht nga zërat që shpallin “vdekjen e ideologjive”. Shumëçka thuhet sot kundër personave që angazhohen në partitë politike. I quajnë “të politizuar”, “militantë”, “në kërkim të vendeve të punës”. Shumëçka nga ajo që sot thuhet për njerëzit që mbajnë partitë politike mbi shpatullat e tyre, thuhet gabim. Të përbuzësh njerëzit që militojnë me gjithë shpirt nëpër parti, t’i përbuzësh ata sepse shprehin pikëpamjet dhe anësitë e tyre politike, do të thotë t’i hapësh gropën demokracisë.

 

Pra, politika shqiptare nuk është në terezi, sipas jush. Çfarë i nevojitet asaj?

 

Që politika shqiptare të funksionojë, asaj nuk i duhen as 200 petrita, as 2 milionë Aristotelë, as 1 milionë shuplaka. Funksionimit të demokracisë në Shqipëri i nevojitet organizimi efektiv i një komuniteti socio-politik prej 3 milion njerëzish, në mënyrë që ajo të jetë e ndjeshme ndaj problemeve të tyre. Që organizmi i këtij komuniteti socio-politik të jetë efektiv, njerëzve nuk duhet t’u thuhen broçkulla. Atyre nuk duhet t’u thuhet se shqiptarët nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja, se të djathtët janë statistikisht më budallenj se të majtët, se të majtët janë më “specialistë” se të djathtët apo se të lënë në mëshirë të fatit, si të djathtët, ashtu edhe të majtët se janë të paaftë të nxjerrin qimen nga qulli.

 

“Të bëhem gati dua më shumë se gjysmë ore”

Si është një ditë e zakonshme e Gridës?

 

E zakonshme! Konsideroj se luksi më i madh imi është që oraret e leksioneve apo ekspertizave nuk më detyrojnë të zgjohem herët, por kjo nuk do të thotë aspak që e mbyll ditën herët. Një pjesë e konsiderueshme e kohës shpenzohet në takime me njerëz të profesioneve të ndryshme dhe përfaqësimeve të ndryshme.

 

Sa kohë i kushton vetes, pamjes, ushqimit?

 

Përpiqem të jem e vëmendshme në atë që ha, për shkakun e thjeshtë: sepse lëviz pak. Por prej pak vitesh nuk dal kurrë nga shtëpia pa ngrënë mëngjes. Pamja ka vëmendjen time vetëm në mëngjes e ndoshta të bëhem gati dua më shumë se gjysmë ore.

 

Cilët janë dy autorët që i këshilloni të rinjve të lexojnë?

 

Stefan Cvajg, absolutisht. Thuajse gjithçka nga Cvajg është një leksion jete që nuk i mungon as ndjenja, as historia, as humanizmi dhe as realizmi. Ndërsa për të kuptuar sfidat e asaj që sot e quajmë shoqëria e “parasë” por për të parë anën ndërtuese të kapitalizmit dhe jo vetëm shkatërruese të tij, do të këshilloja Ayn Rand.

 

Kohët e fundit na keni prezantuar familjen tuaj. Mirëpo, ajo që na bën përshtypje është fakti që ju nuk mbani mbiemrin e bashkëshortit tuaj. Ka ndonjë arsye për këtë?
Kam lexuar që kjo çështje është kthyer në shkak për të shkruar diçka për mua dhe kam menduar që çdo shkak për të shkruar për mua është i mirë, pavarësisht se sa domethënës është. Në dijeninë time ka pa fund raste kur një grua vijon dhe përdor mbiemrin e saj të parë dhe thellësisht të vërtetë. Kjo herë – herë ndodh edhe sepse njerëzit e njohin me atë mbiemër se sa me një të dytë që ndryshon diku në jetë dhe që nuk kuptohet realisht pse duhet të ndodhë. Unë nuk mendoj që kur një njeri martohet ai ndryshon vetveten sikur e mëparshmja të mos vlente, përkundrazi kushdo hyn në martesë me idenë se do të jetë më i plotë dhe më mirë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s