Poezi nga Agron Shele
 
 
Në fshehtësitë e mia

Në fshehtësitë e mia
gjithçka rrjedh si një lumë i trazuar
rrëmbimit të shirave të vjeshtës
shkarje dhe rrëzim,
pastaj një valë e bardhë
që përngjan me dredhat e një bukurie të pa rrëfyer
turfullimit të muzës e krela flututuruar nëpër erë
lagur nga loti i dhimbjes së reve
dhe grisur qiellit mbi qilimin e verdhë të stinës.

Në fshehtësitë e mia
kaosit të përditshëm ngre perdet e shpirtit
vallëzuar në ujëra të turbullta,
si një shkulmë që zhvendos pamjen e heshtur,
në të fundit kthjellim
shfaqur për të zgjuar çastin e vetmisë
dhe larguar brigjeve, pa mëshirë.

Në fshehtësitë e mia ka një botë
ka dhe një ngjyrë
ajo e perëndimit të diellit pas horizonteve
dhe zogjve të harruar shtegtimit.
 
 
Rreshti shtatë
 
Tashmë jam tek i njëjti stol
rreshti shtatë
kolona shtatë dhe e njëjta kupolë
ajo e një engjëlli që fluturon nëpër qiell
shenjëtëruar prapë tek e njëjta pamje, që zografi e pikturoi plot dëshirë e dhimbje.
 
Jashtë sklupturat e grimcuara lahen nga shiu
ose uji i bekuar i Perëndisë,
ndërsa përkulja e thellë dhe bindja e plotë
janë më shumë një tundim për paqen në amshim.
 
Dikush ka gabuar
shenjtores së re i kanë zbuluar hiret,
ndërsa ajo lutet me pslame dhe blasfeminë e memories së kryqëtarëve të kthyer.
 
Jam tek i njëjti stol
ndoshta përkon me lutjen e dikurshme të Bodlerit,
që dhe pse e dëbuan për demonët në kokë
ai falej prapë tek Shën Mëria!
 
 
Xhakonda
(Mona Lisa)
 
Bukuri e heshtur
me hire të plota,
por sy që përngjajnë kodit të Da Vinçit
prizmit dritë
që e studijonë për qindra vjet
në kuadrate të fytyrës së panjohur
dhe së fundi
ndalojnë në penelatën ngjyrë të piktorit që e portretizoi.
 
Shpikja e fundit
një shënim më tepër në aneksin e deshifrimit
së piktura u krijua nga dora e majtë,
pra karahut të zemrës
dhe ajo fytyrë engjellore nuk ishte thjesht një model
por një përfytyrim i piktorit
që i merrte linjat e kompozimit nga shëmbëlltyra e trupit!.
 
Kënde gjeometrile
matin hapësirën e shkëlqimit që s’ ka mbarim
arrijnë gjer tek dora
matje e re për tjetër vëzhgim,
ndërsa ajo udhëton
njëlloj si dikur,
si nesër sigurisht;
një magji e kthyer trajtave njerëzore
që mahnit botën me tiparet jetësore!
 
 
Mbretëresha e Diellit!

Mbretëria e saj nuk ka fund
sepse kurrë dielli nuk perëndon
sa feks një muzg në qiellin *Bukingam
një tjetër qiell pëndrit agun në tjetër oqean.

E madhe mbretëresha me kurorë
tek shtrin krahet e magjisë përmbi botë,
si shenjë e ardhur nga shpatat e ndritshme
dhe vendosur rreth tryezës së kalorësve në Kamelot.

Magjia e saj nuk njeh kufij
teksa udhëton rrëfimit nëpër botë
një nënë mbretëreshe e lindur nga plejadat
një nënë mbretëreshë që udhëheq shekujt!

* Mbretëresha e Diellit – Mbretëresha Elizabeth – II
 
 
Virgilius

Deti blu….!
Shpirti blu…!
Dhe rrema që kurrë nuk arritën të sosin të gjallë *Virgilius në ujdhesën e shkuar
ku *Ebe shërbente nektarin e zotave
ndërsa tek tokësorët e thjeshtë ngrihej flaka deri ne Olimp
me një Trojë të djegur
pa Hektorin dhe Akilin,
por me bekimin e Zeusit të heshtur
tjetër perandori e Çezarëve të rinj do ringrihej.

Më kot shkuleshin flokë bregut të detit
kurorat digjeshin qiellit të tymtë,
pas rrënoja që i përngjanë sot vendit tim
dhe shkronja të arta që flasin më shumë se një pikturë.

Kohë të largëta
të rejat kalojnë përmes syrit të *Denaideve,
ku një udhërrëfyes ndjek gjurmët e harruara
dhe një *August përulet në heshtje
për çdo gërme dhe fjalë të shkruar.

Deti blu..!
Shpirti blu..!
Një Virgilius që kapërcen epokat
dhe një botë pëherë e trazuar!

*Virgiulisus – autori i veprës së famshme Eneida
* Ebe- shërbëtore që u sherbente nektarin Zotave
*Denaide – bijat e Danaut, personazhe të Eskilit
*August – Perandori August
 
 
Kryqëzatë
 
Atje në tokat e mesme
bota duket më se e mërguar
në kërkim të paqes së shprishur e dhimbjes biblike
e ashtu përulur
ndaj fatit dhe arratisjes pafund
takohet me prizmet e botës
një *izraelite që e pëqafon me dashuri
dhe një mik të panjohur
që i kthen buzëqeshjen në buzë.
këtu në tokat e Perëndimit
 
Bota është një oqean i hapur
ku velat shtrijnë krahët e përshkojnë largësi
e kështu izaelitja e bukur
e përqafon fatin e hidhur të mureve memorie
në dëshirat e heshtura që bota e djallit e quan harram!
 
Atje në tokat e mesme
ngrihet një çember, për t’ u mbrojtur nga dunat që levizin shkretëtirës,
ketu në Perëdim fryn një erë lirie, që i pranon me bujari të gjithë.
 
Toka e Babilonisë dhe ylli Davidit
takohen herët në agim,
si shenjë e paqes mes njerëzve të lirë
dhe hakmarrjes së dishepujve, që s’ dinë të lexojnë fatin e shkruar.
 
 
Kukulla e braktisur

Deti shushurin
dielli mbledh rrezet në skeptër të dhimbjes
me një kukull të braktisur qirinjve të ndezur
për vogelushen që prehje do ketë vetëm në krahët *Poisedon,
jo ato të tallazeve dhe dallgëve ngritur në furtunë
as despotit që nuk njeh lot e dert,
por ato të ndëshkimit të mizorisë
ku i pret fati i vendosur nga më i tmerrshmi *Had!

E mori mituraken e përkorjes së jetës
dhe e përfshiu një nimfë në gji,
ndërsa anijet ulën velat në heshtje
dhe u larguan,
për të mos u kthyer më kurrë.

Po nata,
avitur kaq mistike dhe lëkundur faqes së Hënës
që pa reshtur refketon thellësinë blu
ngelur atje, si shëmbëllim i përjetshëm
dhe tunikë e rrëmbyer nga më i madhi *Hy!

Psherëtin bregu
pulëbardhat regëtijnë për velat e shuara
pafajësisë, që prehje nuk gjen
shpirtit të vogëlushes coptuar nëpër det.
 
 
Julius
 
Ata kishin të njëjtat Perëndi
të njëjtë dhe orakujt
të njëjtë dhe famulltarët që luteshin për paqen,
por flaka e urrejtjes ishte ndryshe
tek digjte dhe shuante shpresën e besimit mbi dhe,
atë të Zeusit
që linte pas shkretinë e një qyteti
dhe Itakën e largonte vorbullave të errëta pa fund!
 
Ata u quajtën heronj
pse dogjen gjer në themel një botë
për t’ u endur më pas furtunës së dhimbjes:
dikush mori shtizën në thembër
tjetërkush vdiq nga dora e një gruaje të pabesë,
ndërsa i fundit u orvat detrave pa fund
tokës së barktisur
rrjetës merimagë, ngatërruar endjes në një unazë të hekurt.
 
Ata kishin të njëjtën Perëndi
veç epokat ndryshonin
të parët shkrumbuan një Trojë
të mbijetuarit rikthyen një Julius në Romë!
 
*Augusti (Latin: Imperator Gaius Julius Caesar Augustus; 23 shtator 63 p.e.s – 19 gusht 14])
 
 
Mund të presësh
(Bashkëbisedim me Gabriel García Márquez)

Mund të presësh
100- vjet vetmi nuk janë pak,
por as shumë
nëse do mendosh dashurinë në kohën e kolerës
ku një trup shtriqet pritjes së re
e tjetër botë mbledh mëkatet e fundit.

Mund të presësh
100- vjet vetmi nuk janë shumë,
nëse shkon me shkopin i kërrusur rrugës së varrezave
dhe aty le shpirtin tënd të mbajtur peng.

Mund të presësh
mjelmat e Lorkës do kthehen një ditë
ato në pranverën e tyre të re
ndërsa ti në meshën e të Dielës së Krishtit!
 
 
Mëshirë

Koha per t’u endur në gjurmë të patreguara
prehet po njësoj,
me të njëjtën pamje
që njerezit të shkruajnë historinë,
e kështu në sytë e mi
historia jetë,
që nuk është trekëndësh i Bermudës,
por një trekëndësh që ka për bazë një pyllnajë
ku prehen heronjtë,
një lumë të krijuar nga bora ndër hone
dhe nëntokë, ku prehen nimfat e kryqëzuara nga betejat me shigjeta që shponin nën lëkurë
e shpata që ndrinin fisnikërinë,
të një kali të bardhë tërhequr drejt orakullit,
shtegut të fatit
menhirit të ngritur,
ku Guri i lashtë sa zemra e malit
pret rrufetë dhe drejtësinë pagane të vendosur
në zemrat e thjeshta njerëzore.

Shikoj atë udhërrëfyes
që shkel përmbi shkrepa dhe ndjek vrikthin e një pëllumbi,
atje ku bashkohen bëmat e përplasjes së Pellazgëve me Atlantët
përtej shtegut të shkëmbinjve mbetur në det
dhe përfund një botë e tërë e shembur
e një oqean që fsheh një kontinent pa jetë.

Shikoj dhe fatkeqët e sotëm
liparakë të endjes së frymës
për pak mëshirë skllavërie e bukë të hedhur ndër këmbë
zvarritur shpirtit të ngratë,
mjerimit, si shpagim të shtizës në fyt
e turp që shtatë pashë nën dhe më fut,
aq sa zemërimi nuk njeh kufi
e të mohoj të gjithë këtë histori.

I madhi *Zot,
dhe guri im pagan që mbahesh ende në këmbë
për këta personazhe të Hygoit:
Mëshirë
dhe vetëm mëshirë!…
 
 
*Ganga

Lumi është atje
i zbritur nga legjendat
e një fëmije të braktisur
rritur larg lavdisë së kurorës
bëmave të fatit
fuqisë hyjnore të rikthimit në dishepull
dhe dallgëve flokë të së bukurës *Ganga!

*Ganga- lumë në Indi
 
 
Atje dhe këtu…!

Në kufijtë e një tjetër bote
me të madhe se vetë imagjinata
shikoj eliksirin e jetës
me krahët që kalojnë çdo perëndim
dhe zemër që ndjek një regëtimë
endur nëpër qiell
shpresë dhe ngadhënjim
të shpesit që është mësuar të flutorojë i lirë
dhe folesë së vjetër
që e fton të kthehet për çdo dite!

Atje dhe këtu
zog i shpëtuar furtunës së dimrit
për të rrëfyer klithmat e harruara
të një krahu të rrëzuar
dhe fluturimit në të tjera horizonte
përjetë udhëtare përmbi detra
bijë e viseve të largëta
dhe mall i patreguar që nuk e fshijnë dot shekujt!
 
 
Mirësi…!

Atje në tokat e lashta
tisit të verdhë
është një botë e madhe
sa jeta vetë
me hapësira që i pëshkruajnë kuajt e egër
dhe një lumi që pikon në lot,
e madhe Ganga,
poshtë fshehur serm dhe flori,
ndërsa sytë e një vashe bregut të ujërave të trazuara
falen me nje *Namaste të bukurës madhështi.

Sa shpirt i madh
sa mirësi
diell i ngritur në agun e parë për të feksur yllin e fundit
për të ndrituar të vetmin shpirt
atë të zjarrit që vlon në gji
për kohën e lindjes së zotave
dhe shëmbëlltyrave në bukuritë e heshtura
falur thjeshtësisë jetë
bekuar përjetë, si bijë e nënës Indi!
 
 
Si një qiparis…

Sot ndoqa të tjera nuanca
blu dhe shenja qielli
rrëmbyer nga shpirti i dëlirë
humbur bashkë me erën
gjethes së fluturuar nga pema
endjes dhe prehjes në park
ashtu, në të tjera kolore
por prapë me të njëjtin vështrim.

Mendon se je larg?!
Afër më shumë sesa mendon…?!
Ti një pikë vese lindur qerpikut të diellit
e fjetur në lulen e sapoçelur.
Mua më duhet të shikoj përtej jetës
të zbres shkallë imagjinare ku presin centaurët,
të shkrihem një me kufijtë e akullt
dhe prapë në shpirtin tim
të rilindësh e kthehesh si di Ti !

Sot të shikoj ndryshe
se e di që do bashkohemi sërish
ti në lëndinën e luleve poshtë malit
dhe unë një ortek i shkrirë,
që krojet të oshtijnë ujin e borës
dhe bredhat të ngrihen mbi shkëmbinj
ashtu përpjekjes për të rendur
tek i pari ynë, një prister!

Ktheje vështrimin një moment?
Braktisi mermeret e qëndisur me lule?
Atje ku rrënjët ushqehen nga sakrifica e dhimbjes
zogjtë do ringrenë foletë sërish,
pemës që do zbutë diellin përvëlim
por edhe mbrojë nga më i ftohti thëllim,
ngjitur aq lart nëpër qiell
si më i bukuri *Qiparis!
 
 
Do të vij nesër, sigurisht…!
 
Do të vij nesër, sigurisht…!
Sapo perëndimi të shfaqet në horizont dhe muzgu i parë të shtrijë krahët mbi qytet,
kur dielli të shkëmbehet me yjet
e ne të flasim për një tjetër botë,
atë të puthjes së qiellit me tokën,
dhe shkulmës që përpin një det.
 
Do të vij nesër, sigurisht…!
Si dikur, në livadhet ku bleronte pranvera,
që lotë të mos ketë bashkë me shirat e vjeshtës
se më tretin …, e fshijnë njëlloj si gjethet.
 
Do të vij nesër, sigurisht…!
 
 
Zjarri

Zjarri lindi si flakërimë shpirti
derdhur në rrufetë e Zeusit
në hakmarrjen e zotave që gozhduan Prometeun
dhe sërish në të kuqen e tunikave të veshura,
që flaknin në det mbeshtjelljen e kuqe,
kur anija e trimfit fundosej e përmbytej
dhe shkëmbit të vetmuar nuk aviteshin më nimfa.

Zjarri lindi meteorëve
që digjnin dhe rilindnin një epokë
të krijesave të thjeshta e të çastit
tek shikonin vetëm përflakjen nëpër pyje
e nxitonin të ndiznin një pishtar
për të ndritur errëtinë e tyre,
por kurrë se kuptuan rilindjen e zjarrit në gji
që erdhi nga shpirti i një gruaje.

Zjarri është masakra e valles së çmendur
kërcyer për heroin e të fundit, Zotit tim
ardhur nga shkëlqimi i Diellit
dy turra drush dhe një britmë e lukunisë së ujqëve
që s’ dinë nëse vajtojnë ose kërcejnë
pengut të tyre të frikës,
por flakërimë përmbi shekuj
ngrihen besimit të tyre.

Zjarri është ritmi i tokës
ku ne dënohemi të shkelim për çdo ditë
është marramendja e yllit që ndriçon në feksje
por dhe gjaku që venave lëvrin
e kështu ti hyjneshë e tokës që ne përunjur falemi
me sy smeraldi pëmbi jetë
shkëlqe ditën e falur
dhe zjarrin pëmbi qiell më lart e ngre.
 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,201 hits

November 2022
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List