Poezi nga Dhurata Haxhiu Kasa
Ardhja e Zojës!
Atë natë!
Ra mbi të si dikur,
kur u kris në shpirt,
e shikoi, shikoi, shikoi,
jo për ta njohur,
por për ta shijuar, shijuar, shijuar,
sepse Ajo,
ia doli!
Shkiti mbi të tërë mallimin,
i lëmoi flokët e gjatë herë herë të trembur nga ngadhënjimi,
i foli ndër qafën hollake fjalëza të pathëna prej kohësh,
kish shumë njerëz dhe s’kish njeri,
në atë sallë ku s’rreshtën së pari shkëlqimin e vetes,
nën tingujt e tangos u ngritën veç të dy,
si gjithherë të parët,
si gjithmonë veç një ftesë,
zonjë!
Sharmi i rikthimit në buzë,
duart besueshëm mbi bel,
hijshëm puthnin sytë në shikime,
ata të dëlirët e vjeshtës.
Vjeshtë edhe tani në ardhje,
një fustan i artë,
me sytë tek ai në kërcimin kurorëzues,
një vjeshtë e përkorë kjo!
Fjalë të veshura me qiell!
Fjalë të brishta plot besim,
oksiomoron i njeriut fisnik,
dalin nga shpirti thellë,
latuar në maja heshtash drejt qiellit!
Sa i mënçur ai,
qielli…..
zbutësi i shkrepëtimës,
që veladon nën vete ka mjegullinë,
fisnik si përherë i dërgon dashurinë e kaltërsisë,
dhe rrufeza shndrrohet në yje nënshtruar,
që feksin pendim!
Përulësia e yjeve,
konstelacion i fuqisë së qiellit,
ai është aty,
mjegulla kalon,
era ikën,
shiu mbaron,
pyjet digjen, thahen, mbijnë,
ai përsëri aty,
kaltërsi a jo,
nuk ka rëndësi.
Shpirti fisnik shikon gjithmonë lart,
dhe qiellit i mbesin sytë poshtë,
tek ato fjalë modeste dhe të dlira,
që zbusin xhunglën dhe veshin shkretëtira,
me palma të jeshilta,
fisnike në lulëzim dhe përulëse në flatrim.
Hirëplotë fjalët ngjisin ajrin,
rrugëtojnë durimin,
pamje e mrekullueshme mendjekaltra,
prore qiellore dhe guximvlerë,
kur fjalët janë bekim i së drejtës.
Fjalë të veshura me qiell,
marrin sytë e dashurisë,
shpirti fle në duart e fisnikërisë!
Shuhem!
Pasi mbarojnë gërmat në buzë,
kur ikin pleqtë e mënçur,
dita kur zymtësi njerëzish ka,
atëherë e vërteta ulur në gur mendohet për shpirtin.
Dhe dashuria një ikonë varur,
arratiset në malin e shkretë,
kotësia i zbraz të tëra dilemat,
në oazin e zbrazëtisë së vet.
Xhama që vishen me frymë zhgënjimi,
gjethe që kanë frikë të bien,
sy që shohin mëkatin e vet,
në sytë e tu të qelqtë!
Kur dielli lind duke qarë,
pas resë fsheh lotë të pa rënë,
thikë mbi kurriz të malit,
plandoset një pëllumb.
Ahere shuhem si një thëngjill,
bëhem një embrion ekzistencial,
bie me gjethen frikamane,
mbi vete,
dhe fal!




























Leave a Reply