Kadrush Radogoshi
UDHËTIM I PAHARRUESHËM PËRMES KAOSIT, ERRËSIRËS DHE ÇMENDURISË DREJT DRITËS
Kadrush Radogoshi: “Liria ishte vetëm një ëndër”, 2022
Kadrush Radogoshi, poeti i mirënjohur dhe shumë i nderuar shqiptar me origjinë nga Kosova, që tani jeton në Edmonton (Alberta, Kanada), përjetoi tmerret e luftës, që nisën me pushtimin e Kosovës nga diktatori Slobodan Millosheviç. Ai, si shumë nga bashkëqytetarët e tij dhe bashkatdhetarët e guximshëm, përjetoi shtypjen e lirive civile, dhunën sadiste dhe burgosjen e padrejtë, të gjitha këto ndryshuan përgjithmonë mënyrën se si ky profesor-poet prej kohësh e shikonte vendin e tij nën të këqijat e autokracisë, autoritarizmit, dhe aparteidit.
Për fat të mirë, Radogoshi i mbijetoi asaj, që ai e ka përshkruar si “Sodoma e ringjallur ose Ferri i Dante Alighierit” dhe pavarësisht nga të gjitha vuajtjet, ai më pas qe në gjendje të shkruante me elokuencë dhe pasion për këto kohë brutale dyzet e katër nga poezitë e këtij libri të titulluar “Liria ishte vetëm ëndër”, të cilat fillimisht u shkruan dhe u botuan në gjuhën e tij amtare, ndërsa tani atyre iu bashkohen edhe 12 poezi të reja, të shkruara së fundmi (2020-2021) në shtëpinë e tij të re e të ngrohtë kanadeze në Edmonton.
Kjo përmbledhje e re dhe e angazhuar poetike fillon me një poezi-prolog për miqtë e tij poetë (në tanishmen edhe në të kaluarën) me një aludim për Platonin, i cili i përzuri poetët nga “Shteti ideal” i tij për arsye politike për të kufizuar të drejtat dhe liritë e individëve, të cilët kundërshtojnë dhe për të penguar kritikat e tyre, ashtu siç bëri vetë Millosheviçi duke filluar nga viti 1989. Poezitë e këtij libri zbulojnë një konflikt thelbësisht politik midis forcave sodomike ose apokaliptike dhe një republike poetike më të drejtë dhe ideale, të bazuar në lirinë dhe humanizmin. Janë këto dy vizione dhe këto dy botë, që përplasen apo përleshen në mënyrë të vazhdueshme në dyzet e katër poezitë e hershme të përmbledhjes poetike “Liria ishte vetëm një ëndërr”, meqenëse Millosheviçi iu kundërvu dhunshëm popullit të qytetëruar shqiptar dhe kulturës së tij, të cilin e sundoi dhe e shtypi pamëshirshëm.
Dyzet poezitë e para të këtij libri poetik dolën drejtpërdrejtë nga konfliktet e mësipërme dhe u vendosen në perspektivë nga këndvështrimi më i gjerë i Radogoshit për kulturën dhe qytetërimin perëndimor, pasqyruar në aludimet e tij të shumta nga Bibla, mitet greke, Komedia Hyjnore e Dantes dhe historia. Ai gjithashtu aludon për shumë njerëz të famshëm dhe personazhe letrare si Homeri, Laokooni, Centauri, Prometeu, Platoni, Sokrati, Galileo, Macbeth, Iago si dhe për vende si Sodoma, Troja, Ferri dhe Guernika, poqese duam t’i përmendim disa nga më të spikaturat. Me gjithë këto referenca të zgjedhura me shije, Radogoshi dokumenton me sukses tragjeditë e vendit të tij në kontekstin e qytetërimit dhe historisë perëndimore.
Gjithashtu, po aq të shquara janë poezitë “Një pendim publik”, “Një konflikt” dhe “Izolim” nga takimet e tij personale me të këqijat e regjimit të Millosheviçit, që e kërcënuan jetën dhe karrierën e tij si poet. Udhëtimi i tij poetik përfshin gjithashtu referenca prekëse nga familja e tij (gruaja, vajzat, motra e madhe, babai dhe nëna, e të tjerë). Për më tepër, në mënyrë efektive, ai fokusohet në viktimizimin e grave në kohë lufte, pos bukurisë, dashurisë dhe mësimeve të jetës së tyre.
Poezitë e tij të fundit në këtë përmbledhje kanë të bëjnë gjithashtu me përshtatjen e tij me jetën pas Kosovës dhe atë që ai ka mësuar në planin afatgjatë për bukurinë, të vërtetën, drejtësinë, mbijetesën personale dhe përballjen me vdekjen. Radogoshi ka më shumë se të drejtë për të gjitha këto epifani; ai ka paguar prej kohësh detyrimet e tij si studiues, poet i dashurisë, poet politik, luftëtar lirie, familjar i devotshëm dhe kërkues i sinqertë dhe i vazhdueshëm i së vërtetës dhe mençurisë.
“Liria ishte vetëm një ëndërr” është një udhëtim i gjatë, por i paharrueshëm përmes kaosit, errësirës dhe çmendurisë drejt dritës, një lirie të merituar dhe, së fundi, paqes së mendjes. Libri është një kujtesë për të gjithë lexuesit sot se çfarë ndodhë, kur errësira vendos dorë mbi dritën, si dhe mbi gjithçka, që është e mirë në jetë, e cila vazhdon ta kundërshtojë duke mbijetuar pavarësisht nga forcat e pandërgjegjshme të së keqes.
(Autori i këtij shkrimi është poet i shquar kanadez, kritik dhe historian i letërsisë, kitarist dhe kantautor.)
Edmonton, 17 shkurt 2022

Nga: Richard Davies




























Leave a Reply