85-VJETORI I SHKRIMTARIT VULLNET MATO
 
12 nëntori i këtij viti, trokiti në dritaren e kujtesës së lexuesve të tij të shumtë, me 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të mirënjohur Vullnet Mato. Dua të theksoj së pari, se poezia e këtij poeti të shquar, qëndron mbi një shtrat të fortë strukturor, me bazë të gjerë konceptesh të përpunuara në mënyrë të përkryer, nga pena e fuqishme e këtij mjeshtri të madh. Në aspektin etik të përcjelljes së mesazhit, përpunimi i vargut, ndërtimi i strofës dhe i gjithë shtrirjes ideo-artistike, bëhet me stilizime nga të gjitha llojet e ngjyrave letrare dhe me shtrirje idesh, nga realiteti i thjeshtë, deri në filozofi. Mesazhi i vargëzuar i tij, shpreh madhështinë e një mendjeje, e cila di të zgjedhë fjalët e kuptueshme për lexuesin e gjerë.
 
Në poezitë me temën e dashurisë për atdheun, ky autor shprehet: ”O zëra të rinj të kësaj toke me gërxhe thepisur!” Thirrje e një shpirti, ku vagëllojnë hapësirat e një kombi të shpërbërë nga lakmitë historike të fqinjëve e të shpërndarë në disa shtete. Vargjet e tij lapidare, rrokin kohërat, nga rapsodive të lashta, të legjendave të kreshnikëve, deri në ditët tona, të braktisjes së vendit nga emigrimit i moshave të reja… Shpërthimi i shpirtit të këtij poeti, është sinonim i një atdhetari me ndjenja të thella kombëtare, që penën nuk e lëvron vetëm si mjet të talentit, për të hedhur ndjesitë poetike, por shkon përtej perceptimit të formateve standarde të poezisë… Ky kapërcim i guximshëm, bëhet i ndërtuar me një metrikë epiko-lirike, i konceptuar si format me shumë dritare, nga ku mund të shohësh pa fund horizontet lineare të shtrirjes së atdheut. ”O krijesa të shkëmbinjve me kollitjen e barutit!”. Nuk është vetëm ndërtimi ideo-artistik i vargut luftarak të tij, por edhe mënyra e konceptimit të gjithë shtratit poetik, me përdorimin e disa figurave letrare, që nuk njihen ose nuk vihen re nga shumë krijues… Përdorimi i retorikës, në këto vargje, na jep përjetimin e efekteve të drejtpërdrejta, që lidhen emocionalisht me shtjellimin artistik të kësaj teme:”O Shqiptar me shtat zemra në gjoks,/me fijen kuq e zi, lidhur te këmba për fluturime/që cepin tjetër të përmalluar, kur e tendosni nga kjo anë, e keni të lidhur fort, te zemra ime! “ Strofa e fundit finalizon shpirtin e poetit, me dëshirën për të penguar shpërbërjen e blerimit njerëzor, dëshirë e endur bukur në ”tezgjahun” e tij poetik.
 
Ky poet nuk përmbahet ndaj mbartësve të kanunit dhe zakoneve të shkuara në kohë, kur zhvillimet e sotme, kanë një hapësirë të gjerë gjykimi e veprimi, për jetën në liri e me të drejta njerëzore. Ndryshe nga normat kanunore, që e kanë quajtur femrën objekt për të lindur fëmijë dhe nderi e dinjiteti i saj, ishte i kushtëzuar nga dhuna deri tek fisheku ne pajë; poeti, njohës i mirë i traditës, shprehet me argumente të qarta artistike, për të dhëne mesazhin, se brezi i ri duhet të eci me ritmin e zhvillimeve bashkëkohore. Gjithashtu vargjet epike të këtij autori, burojnë natyrshëm, me bukurinë e rrallë të eposit tonë, ku trimëria dhe guximi janë të mbrujtura, që në këngët e djepit, ku janë rritur kreshnikët, në shtratin e tyre alpin. Të shkruara me art e bukuri estetike, ato janë modele të bukura për brezat.
 
Në poezitë e tij, kemi kalërimin e një pene, që shkon mbi ylberin e shtrirë mbi ”brezin purpurak” nga brigjet malore, deri lart në qiell, “mbi retë pupëlore”… Fjalori i përdorur, përshtatet mrekullisht me të gjithë elementët letrar, ku bie në sy mjeshtëria e përdorimit figurativ, ku çdo lule është vendosur në vazon e duhur. Në lidhjen e fortë midis figurave letrare, si gjithmonë në krye qëndron metafora kryeneçe: “Në fund mbetjet i nxora nga kafazet ku flinin, retë, lumenjtë, detet, i çova andej nga erdhën, ylberin e lashë mbi brigje, të bënte purpurimin, se më erdhi mesazhi i shenjtë, të kalëroja penën!”…
Poeti natyrshëm “të merr për dore” bashkë me fatin e lindur në një truall të begatë, ku flenë gjithë të mirat dhe bollëku i kësaj natyre, nga më të bukurat në botë. Jo pa qëllim autori jep mrekullinë e këtyre pamjeve, nga shushurima e gjethnajës, gurgullima e ujit kristal, deri te begatia e shpateve pjellore. Duke u kujtuar bijve e bijave të krahinave te braktisura, madhështinë e papërsëritshme të vendlindjes.
 
Përkushtimi dhe perceptimi i talentit të tij, në artin e shkruar letrar, lidhet me shkallën e lartë të profesionalizmit dhe përvojën letrare. Mjeshtëria e përpunimit të vargut, na jep mundësinë të shohim me sytë e poetit të gjithë intenerarin, që përshkon rrugëtimi i tij, që nga: “Lindja me pergamen të programuar/deri te bindja për të plotësuar misionin që i ka vënë koha, /Vetëm kur të plotësoj misionin e kësaj jete, Do të më ndalen, truri, zemra, dhe fryma,/ të flenë në qetësinë e prehjes së përjetshme, duke lënë pas vargje, të shkruar me vetëtima…” Ky krijues, me vlera të patjetërsueshme, si poet, prozator dhe publicist i vlerave kombëtare, është modeli i një njeriu të kompletuar me cilësitë e larta njerëzore dhe intelektuale, të cilat i ka vënë në shërbim të së mirës shqiptare. Mëndja e artë e këtij profesori, e ka kthyer poezinë, në shpatë kundër fenomeneve negative të shoqërisë sonë, që ende vuan pasojat e tridhjetë vjetëve më parë, duke mos dalë dot nga ujërat e turbullta të kohës! Duke trajtuar gjerësisht problemet shoqërore, pena e tij ka merituar respektin, jo vetëm lexuesve vendas, por edhe të diasporës shqiptare të Rumanisë, cilët e kanë pagëzuar me titullin: “Nderi i Kombit”, si shkrimtar me cilësi të rralla njerëzore e kombëtare.
 
 
313440216_2183138925228125_5658256286496282648_n
 
Moment nga vlerësimi me medaljen “Frang Bardhi” nga Galaktika Poetike ATUNIS
 
Nga shkrimet e tij, kupton, se ky poet, nuk mund të krijojë, nëse vargut të vet nuk i jep shpirt e gojë. Si gjithmonë pena e tij gërmon thellë në mentalitetin e shoqërisë shqiptare, duke u mbështetur fort tek e vërteta, e cila reflektohet në çdo poezi, ku ai stigmatizon botën e errët, të një pjese njerëzish, duke përdoruar pyetjen retorike: “A je njeri i vërtetë?”, duke i hapur rrugën lexuesit, që të zgjedhë vetë mënyrën e interpretimit të mesazhit poetik. Autori thotë: “Gjithçka mundë të bëhesh në jetë,/Por është tepër e vështirë të jesh njeri i vërtetë!”… Thurja e lirikës së tij, me mjeshtërinë më të bukur artistike, me ngjyrimet më të sakta poetike, i jep vendin e merituar dashurisë për shoqen e jetës. Lirika e bukurisë së jetës familjare, është mesazhi më i qartë, se ka vetëm një dashuri, që buron nga zemra e shoqes së jetës dhe shihet në sytë e saj. Ky poet ka zbrazur prej shumë vitesh një krijimtari të pasur me vlera kombëtare, që ruan identitetin dhe origjinalitetin e saj, që frymon se bashku me dertet e popullit te vet.
Poezia e Vulllnet Matos, vjen aq natyrshëm, sa prek mendjen e çdo qytetari kudo ku ndodhet, prek shtresat në nevojë dhe njerëzit me pensione stimuluese. Ky poeti i bën krijimet aq tërheqëse, me gjetjet e bukura artistike, sa që dhe lexuesin e bën të fluturojë në krahët e fantazisë, për t’iu afruar së vërtetës. Kur mbaron së lexuari lirikat e këtij poeti, të vjen në mendje thënia popullore: bjeri pragut të dëgjoje dera… Kjo formë artistike, bëhet e dashur dhe mjaft e afërt për lexuesin.
 
Lirikat e tij, shpesh janë klithma, për qëndrimin e padenjë ndaj femrës, ndaj nënës që rrit fëmijë, duke vënë në dukje, se ngritja e dorës ndaj bashkëshortes, shënon humbjen e dinjitetit burrëror, humbjen e respektit dhe çdo tipar qytetarie. Lirika e bukurisë së jetës familjare jepet si dhuratë për lexuesit dhe është mesazhi më i qartë, se në këtë, jete ka vetëm një dashuri të vërtetë, që buron nga zemra e shoqes së jetës dhe shihet në dritën e syve të saj. Lirikat e tij, vijnë për lexuesin, jo vetëm me bukuri estetike, por dhe me mesazhe të qarta jetësore. Me gjetje artistike interesante, ai stigmatizon lakminë e pasurisë, luksit dhe karrierës së disa personave të korruptuar. Dëshirat poetike të këtij poeti lirik, të zgjojnë shpresat dhe besimin, se e ardhmja do të jetë më e mirë.
Ky shkrimtar i shquar, ndërton në prozë, nga ato tregime të rralla, që mbajnë brenda karakterin burrëror të shqiptarit. Kjo vihet re në tregimin e famshëm të tij: “Fjalët që ndalën mortin” ku dy jetë trimash, dikur , armiq, pajtohen në prag të vdekjes. Ai përshkruan tiparet e njerëzve malësorë, që për nga fuqia e bashkëbisedimit të ndërsjellë të dy burrave trima, arrin të ngelesh pa frymë, që fuqia e fjalës së mençur, arrin të sprapsi dhe vdekjen për disa çaste. Fuqia e frazës gati magjike të këtij mjeshtri, që, siç tregon fotoja e ilustruese, ka ecur mbi mushkë shtigjeve të malësisë së Dukagjinit, për ta dëgjuar ngjarjen nga goja e protagonistit, kuptohet te fraza e ndërtuar mbi bazën e njohjes së vërtetë.
 
Me një përmbajtje heroizmi të pashoq, ai na sjell në ditët tona, heroizmin e Norës së Kelmendit e simbole të tjera të grave trimëresha, për të cilat, më herët ka shkruar poezi të mrekullueshme, për heroizmin e Bubulinës, apo të grave Suliote. Duke u shprehur pathosin: “Ah sa e bukur je moj heroina ime Norë, me atë vdekje të pashuar që më ke në sy! Lum kush shpatën tende merr në dore, të bëhet përjetësisht e pavdekshme si ty!”… Vargje të tillë, janë më shumë se madhështi poetike.
Veprimtaria letrare e Vullnet Matos, shquhet edhe për ndihmesën që u jep ai talenteve te reja, duke redaktuar e bërë gati për botim, mbi 300 libra të krijuesve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Në parathëniet e dy romaneve më të fundit të tij, kam shprehur mendimin tim për këtë mjeshtër të madh të fjalës dhe të stilit. Te romani “Uria”, romancieri Mato, njihet për forcën e jashtëzakonshme të fjalës artistike, me të cilën godet shkakun kryesor. Po kështu te romani “Vajza e Kyçur” dhe “Mësuese Freskita”, bie në sy suksesi i dukshëm i këtij shkrimtari, që me stilin origjinal e të papërsëritshëm, arrin të përshkruajë në mënyrë unike, ngjarje të përjetuara, duke i dhënë dinamizëm dhe energji artistike rrëfimit në prozë.
Pa u futur në analizë të thellë të jetës intelektuale të shkrimtarit Vullnet Mato, dua të shprehem, se krijimtaria e tij, nxjerr në pah përmasat e vërteta të këtij personaliteti poliedrik, që tashmë ka zënë vendin e vet në historinë e letërsisë shqipe. Vepra kreative e
 
Vullnet Matos, gëzon një popullaritet të gjerë midis lexuesve të shumtë, në mbarë trojet arbërore e më gjerë, duke u radhitur përkrah përfaqësuesve më të shquar të letërsisë shqipe. Në këtë prag të 85- vjetorit të lindjes së tij, i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të mbarë!
 
 
Mimoza cobo - 1
 
Nga: Mimoza Çobo
 
 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,256 hits

November 2022
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List