Prozë poetike nga Jerida Kulla
Vula është dashuria
Një ditë tjetër iku, ashtu si kanë ikur simotrat e saj. Iku, nuk ka për t’u kthyer prapë. Ikën rrezet e para të Aurorës. Era që fërshëllen në degët e zhveshura të pemës, të rikujton ëmbël ditët e fundit të vjeshtës së tretë. Ndoshta nesër do të fishkëllejë të njëjtën melodi, po me një oktavë më lart, deri sa zëri t’i ngjiret nga të thirrurat: “Ikuuuuuuuuuuuuu!”
E njëjta përgjumje përtace shoqëroi edhe këtë ditë. Tërheq hapat zvarrë si somnambul, duke vrarë atë që ndoshta është vrarë më parë, ndoshta rri e frikuar në një qoshe, duke pritur çastin për të dalë, për të parë me sy tjetër atë që deri tani nuk ka mundur ta shohë.
Vetja ka nisur të luajë shah me veten. Të gjithë ushtarët i ka nisur në drejtim të deltës së lumit, ku eritrocitet dhe leukocitet po bëjnë përmbytje në zonat e thella të mbitrurit, duke kënduar ninullë. Si ndryshohet përditshmëria, ku pakohësinë po e vret kurrkundi me boshësinë e mendimit?!
Zemra ka nevojë të largojë për pak kohë radhët e mendimeve, të vendosura një mbi një si rrobat e ndera në diell. Nuk është e lehtë të shkëputësh rrobat nga teli, kur mbi të rrinë si gardianë kapëset e drunjta.
Forca e rëndesës dhe shtypja nga elektroshoku mbushin me ankth atë që nuk është gjë tjetër veçse mbajtëse e asaj që thith trupi. Si llavë vullkani, që ngrihet lart dhe përfshin çfarë gjen para, presioni kërkon të shkatërrojë gardhin e fundit, diafragmën, për të kapur lirinë që e mbajnë të burgosur.
Pas kapjes së lirisë, e përkëdhel me frikë, sikur do t’i thyhet në mijëra copa. Kërkon t’i japë një puthje të lehtë në faqet trëndafil, por nuk guxon, pasi petalet e trëndafilit mbyllen dhe faqja rrethohet nga gjembat. Imagjinon se si do të ishte kjo puthje në një hapësirë tjetër, ndoshta në vendet ku bora tregohet shumë bujare me tokën. Atje këmbët çdo ditë e puthin atë e ajo lazdrohet nëpër faqet, majat apo takat e këpucëve.
Nga pritja, puthja nxehet e shkrin akullin në zemër. Shkaktohet përmbytje e gjaku lëviz i lirë në trup, pa pasur frikë nga dridhja e kapilarëve rakitikë.
Aorta bëhet trime e jep leje kalimi, pa kontrolle vizash e vulash. Vula e vetme është dashuria.
Fundi është afër
Era luan me gjethet, me krahët e lodhura të pemëve. Duan të shkarkojnë peshën e madhe që e kanë mbajtur për ditë me radhë. Ca nga lodhja, ca nga dëshira për t’u ndier të lira, filluan të zhvishen krejtësisht.
Turp nuk u vjen, pasi dhe ato duan të jenë sa më dekolte në këtë botë moderne; duan të tërheqin vëmendjen e njerëzve me lakuriqësinë e tyre.
Sa keq më vjen për to! Në shpirtin tim, thellë-thellë, në një qoshkë, nga ku vetëm zëri i ndërgjegjes dëgjohet, ndihet një gërvimë e lehtë, e pakapshme, që i ngjason fëshfërimës qetësuese të gjetheve në një natë vere. Lakuriqësia ka nxjerrë në pah moshën e kohës: rrudhat e njëpasnjëshme që vitet i rreshtuan si ushtarë të pabindur, zgavrat e shumta, ku shiu dhe dielli ndërtuan shtëpinë e dhembjes.
Dikur, të veshura, dera e shtëpisë qëndronte e mbyllur, kurse tani e vizitojnë shumë qenie, që lënë kartëvizitën kudo.
Njerëzit kalojnë zhurmshëm, pa pyetur për qetësinë e këtyre vizitorëve të rinj.
Ushqimi më i preferuar i tyre janë bisedat e kapura përgjysmë nga tentakulat, tepër të specializuara, të vendosura diku në kokë, midis syrit dhe ballit, midis kokës dhe trupit, midis…
Gjithë qenia e tyre është tentakulë. Pemët kujtuan se u lehtësuan, duke hequr petkat zbukuruese. Sa mendjelehta! Preferuan miqësi të re.
Jeta e njerëzve varet nga jeta e këtyre pemëve fatkeqe.
Kërrusja e tyre po prek dhe qeniet më të larta të rruzullit, njerëzit.
Fundi është afër…




























Leave a Reply