Poezi nga Lumo Kolleshi
ANTILEGJENDË PËR ROZAFËN
Të pata thënë,Rozafë,të mos vije,
Gjelina e vogël me bukurinë mbi re. *
Le të vdisnin vëllezërit urie,
Le të vdisnin vëllezërit të tre.
Dy në tre gjithmonë bëjnë shumë
E shumica gjithmonë merr pushtet,
Për besëshkelurit, prapë të them unë,
S’ia vlente të sakrifikoje dy jetë.
Ti ishe ende lehonë,
Do priste një foshnjë për gji,
Ustallarë kish plot ajo zonë,
Do ngrihej kalaja përsëri.
Le të lidhnin duart vëllezërit,
Të muroseshin në themele të tre.
M’i lodhën themelet besëshkelurit
E besa mbetet gjithmonë kallogre.
_____
* Balada e murimit
KËRKOJ NJERIUN
Një i dehur puthjen la tek unë,
Hepuar iku nga e merrnin këmbët.
Dëgjova se diku ish rrëzuar në rrugë,
Ca degë shelgut mbi lumë iu trembën.
Lisi i shpirtit m’u lëkund atë çast
E vjeshta ma shkopsiti kraharorin,
Mbi letra ulem dhe mendjen e vras:
Si nuk iu ndodha pranë të gjorit.
Një kartë e djegur,më thotë Esenini,
Nuk jep flakë e prush,veç akull i plotë.
Mundohem e lyp të vijë harrimi,
Por ja që çdo gjë s’harrohet në botë .
Ka gjëra që duhen fshirë vërtet,
Siç ka dhe të tjera t’u ndezësh qiri.
Dashuria e ëmbël na solli në jetë,
Prapë si lypsar kërkoj emrin NJERI.
FUNDVJESHTË
Një epitet i penguar mbi gurët e kalldrëmit të vjetër,
Një rimë e brishtë me kërci të ciflosur…
Një metaforë përkulet nën blirin e ndarë nga fletët,
Ca gjethe të lagura rrëmbimthi erës ia merr,
Balsam ia vë gjurit të epitetit të gjakosur.
BAR I KADIFEJTË
Në ledhet e syve të tu përrallorë
Ka mbirë një bar i kadifejtë qerpikësh,
S’e than dot asnjë ngricë e dëborë.
Veç mua do më thash,po të ikësh.
SINTAKSË SHIU
Këputen pikat nga strehët,
Këputen të gjorat me ngut;
Qerpikët zënë dridhen nga ethet,
Një lot i fshehur duket i shkund.
Sintaksa e vjetër e shiut,
Fjali të mërzitshme paska pa fund,
Veç kaq mund t’ju them:loti i njeriut
Të gjitha rrebeshet i mund.




























Leave a Reply