Poezi nga Rudina Muharremi Beja
SINKRON
Akrepat shtyjnë kohën trokut të lehtë
unë, emocionet radhis në një frazë
Natyra, pamjet i zhvendos beftë,
era oborrit përkund një kolovajzë.
Përreth meje, parfume të kulluara
Qetësi e bekuar që kaherë më mbështjell…
fjala e mirë, mbillet si farë me shpresë
që bashkë me lulet në pranverë të çelë
VALLE CIGANE
Shtohen tallazet erës së marrë
vozitur në një det me lopata të shtrembra
për të kapërcyer mjegullën e kafshuar buzëqeshjen,
për të vrarë më shumë thellësisë në heshtje…
Mërmërijnë pulëbardhat,
zbrazën klithmat në frymë psherëtimash,
gjykimit në një rreth të valles cigane.
NË TRI KOHË
Nganjëherë,
përhumbej hapësirave
rrokullisur plasaritjeve të së shkuarës,
çelur stisjeve të stinëve të thata,
udhëkryqeve,
ku çdo kah qarkullimi është i errët.
E nganjëherë,
në tablonë e së ardhmes,
ku shkëlqimi i roztë në pëlhurë mezi shquhej,
penguar grisë së reve…
Në mes qëndronte jeta,
ajo e vërteta…
Çapitej ajo pa zë ndjesive,
agut gjymtyrët ende pa shpirë,
drita këmbën sapo vënë në shteg,
mëngjeseve, ku trëndafili i vesuar shkëlqente,
e vështrimi i tij të mbetej mbi lëkurë,
rrezes në skajet më të fshehta të së tashmes,
ku lumturia fliste përmes puhisë së erës,
e gjithçka përreth bëhet bëhej më e bukur.
HIJE
Uturijnë mendimet e bëhen lëmsh
brenda botës gjithnjë e më të murrme,
monologëve pafund
stepjes në të – të dëshirave,
psherëtimave të nënzëshme,
thurimës së një dritareje,
ku ecejaket e hijeve
bujtin botën e të gjallëve…
LUTJE
Lutem në Zot,
Atij që frymën ma fali,
ka ca mot!
Mëshiromë…!
Çliromë nga prangat e kësaj jete,
që n’padrejtësi, çdo ditë më ndjell…
Një botë e rremë, më tërheq zvarrë
ku askush s’doli, veç se i vrarë
Dhe prap s’kuptojmë…
Vrapojmë…,
pa ndalur kurrë, t’falenderojmë…
Më fal, O Zot!
Për egon, që s’e ngopim dot…
Për pleq e t’mjerë që anës rrugës, shteren n’lot!
Për jetimët,
që një dorë të ngrohtë
kurrë s’e kan rrok,
Tek unë, përleshem me sfidë të rradhës, e qahem kot!
Më fal, O Zot!
Thellë m’ka kaplu pendimi im!
Asgjë nuk marrim nga kjo botë…
Mëshirë kërkoj…!
Bëje të drejtë rrugëtimin tim
e mëshiromë me dashuri, Zoti im!




























Leave a Reply