E DOJA SHUMË DEAN!
 
Shkëputur nga libri me tregime dhe novela “LITARI I MALLIT” të autorit Kritaq Turtulli
Botuar në Tiranë, më 2021
 
Po, unë e doja me shpirt Dean, aq shumë e doja, sa mendoja se nuk do doja në jetë tjetër më.
-Do them një sekret:- me pëshpëriti Dea e zgjedhura e ëndrrave të mia.
-Pa hë,- i thashë i llastuar. Eh, kush nuk i do sekretet, aq më tepër nga e dashura e zemrës.
-Mësuese kujdestare do vijë Keti. Sa qejf!- tha Dea dhe largoi me delikatesë krelën e flokut të verdhë që i harlisej në ballë.
Buzëqeshja mu tret, dhe gati i thashë:
‘Ç’të keqe pe nga mësuese Julia që u gëzove me ikjen e saj!’
-Mësuesen Keti mami im e ka shoqe,- tha Dea.
Flokët e mrekullueshëm të Deas ngjajnë të ngrira në niseshte, ashtu siç ngrin nëna ime kortinat, mbulesat e tavolinave dhe shportat e vezëve të punuara me grep.
-Po mësuese Julia?- E pyeta me gjysmë zëri.
-Do lindë bebe.
Mësuese Julia e kuptoi dëshirën dhe shkëndijimin e syve të mi, ndaj hoqi nga banka cinglën Berati dhe, më vuri pranë të ëmblën, topolaken, bukuroshen Dea. Ajo u ul pranë meje si kotele. I pëshpërita:
‘ Dea, Je e bukur si Dea e Butrintit.’ Tërhoqi kokën pas dhe ngriti vetullat e bukura.
‘Vërtet jam si Dea?! Më tha.
‘Më e bukur se ajo,’ i them.
‘Oh, sa mirë,’foli ajo e kënaqur dhe më përkëdheli dorën, fluturova nga gëzimi. Përnjëmend mendova, ja fitova Deas zemrën. Gjitçka e saj më dukej e shenjtë.
-Jam e pleqërisë. Mami im është modhistër në rrobaqepësi,- më tha Dea.
Dea është çupa e Gentianit, shoferit të Kryetarit të Komitetit të Ekzekutiv, mes katër vëllezërve. Më parë i ati punoi shofer në ambasadë.
Dea më vendosi doçkën në sup, më pëshpëriti:-Po ti?
-Më i vogli nga vëllezërit,- i them.
Dea kukulla e klasës, vishej me palltoçka e fustanka prerë e qepur me shije, ngjyra të forta, ku më shumë spikaste e portokallta. Flokë artë, me onde si valë deti, lëkurë bardhë, delikate si lëmesa e qepës. Hunda e bukur i harmanizohej me gojën e vogël si kuti dhe, sa herë qeshte i formoheshin dy gropëza të mrekullueshme. Dea më ngjante me artiste të huaj, fotografitë e të cilave i ruante nëna me kujdes në sëndukun e vjetër. Doçka të vogla, gishta të plotë, ku ndrisin si alabastër thonjtë e vegjël. Delikatesa e Deas më detyroi të mbahesha pastër, të krihesha dhe të prisja thonjtë. Vetëm pantallonave me arnave dhe bluzës të vjetër s’ kisha ç’ tu bëja, ishim të varfër, babai i sëmurë dhe familja jonë me shumë fëmijë vërtitej me rrogën e pakët të vëllait të madh.
Në orën e vizatimit, kur mprihte lapsin me brisk, Dea zhvoshki lëkurën. Klithi dhe vështroi sy shqyer vendin e lënduar ngjyrë portokalli që buisi një bulës gjaku. Sytë e bukur u rrëmbushën nga lotët. Mua gati më pushoi zemra prej ligështisë, m’u lëndua bukuroshja ime. Mësuese Julia e qetësoi, i mjekoi plagën, pa ndarë sytë nga fytyra ime e zverdhur si limua.
Një ditë shtruam babanë urgjent në spital dhe shkova me vonesë në orën e mësimit. Futa çantën prej pëlhure poshtë bankës dhe nxora me nxitim librat. Nga fletorja e leximit ra përdhe një fletë fletoreje. Mësuese Julia u ndodh aty, u përkul ngriti fletën e rrëzuar dhe e lexoi me kureshtje çfarë ishte shkruar në të. U mblodha si eshi prej turpit, vjershën sekrete dhe shumë të shtrenjtë për mua, nuk doja ta lexonte kush. Mësuese Julia vështroi buzagaz pështjellimin tim. U përkul pranë meje dhe më foli në vesh, mos dëgjonte njeri:
-Bukur Altin, vazhdo shkruaj. Mësuesja e di kujt ja kushton vjershën.
U bëra lulëkuq dhe mallkova veten për pakujdesinë e pafalshme. Por mësuese Julia më ngushëlloi.
-Përse mërzitesh. Shpirti i bukur i këndon së bukurës.
Fjalët e ngrohta të mësuese Julias më mbushën shpirtin. E adhuroja. Mungesa e saj më krijoi angështi në shpirt, e në klasë boshllëk. Por e qetësova veten, kisha Dean dhe mësuese Julia do bëhej me bebe të mrekullueshme siç është vetë.
Mësuese Keti punonte në sekretarinë e shkollës dhe gruaja e Ajarit, shefit të tmerrshëm, të degës së punëve të brendshme. Sa herë i hyja në zyrë më mbërthente shikimi i akullt, e gozhduar nga toni acarues i zërit kur më shqiptonte mbiemrin:
-Ah, ti je ai i Bardhushëve, e, e, e, hë, kështu!
Mësuese Keti hyri në klasë hap rëndë. Me të dy duart e shëndosha shtrëngonte në gjoks regjistrin. Veshur me këmishë ngjyrë kaki mbërthyer deri në grykë si kinezët. Ishte koha e revolucioneve kulturore kineze dhe ne u bëmë si ata, me pantallona e xhaketa kaki. U ngritëm në këmbë me komandë. U ndal në mes të klasës me shpinë nga dërrasa e zezë. Përfshiu me vështrim të rëndë gjendjen dhe ia bëri:
-Hëm…m…m, uluni!
La regjistrin në tavolinë dhe tha:
-Jam Keti, do zëvendësoj mësuese Julinë. Morët vesh?
Dea e gëzuar më kapi nga dora. Syri vigjilent i mësuese Ketit e pikasi dhe tha:
-Në interes të mësimit do bëj disa lëvizje të nxënësve në banka. Ja, për shembull, me nxënësin Bardhushi, i, i, i kush ka qenë më parë në bankë?
-Unë,- kërceu cingla Berati.
-Shumë mirë. Ngrihu vajzë dhe shko në vendin e atij djalit dhe ai të vijë këtu,- urdhëroi mësuese Keti:-Hajt lëviz, ikën ora e mësimit.
Largimi i Deas dhe ardhja cinglës Berati më trishtoi. Çuditërisht me mua ndryshimet përfunduan në klasë. Mësuese Keti u rehatua në karrige dhe vështroi klasën e kënaqur. Vendosi me ceremoni syzet e mëdha optike dhe zë kumbues bëri apelin e nxënësve. Kur erdhi radha te emri im, zëri iu bë i rëndë dhe ton zgjatur si oshtimë:
-Altin Bardhi…i…i…i!
-Këtu,- brofa në këmbë.
Ajo rrëzoi syzet mbi hundë. Më këqyri sikur më shihte për herë të parë dhe mërmëriti:
-Ah, je ti I bankës! Ulu, ulu.
S’e kuptoja përse mësuese Keti kërkonte të grisej me mua, kur isha nxënës me nota shumë të mira dhe jo mbetës si cingla Berati që fut gishtat në hundë, i bën qyret topka dhe gjuan shokët e klasës.
Dy orët e para mësuese Keti bëri pyetje të shpejta, kontrolli. Ngrija dorën, por ajo s’i hidhte sytë nga unë, pyeste nxënësit e tjerë, vinte nota të mira dhe mërmëriste e kënaqur:
-Shumë mirë, shumë mire!
Me thënë të drejtën fillova të ndjehesha i shkujdesur, më la të qetë. Në pushim Dea mu afrua dhe, mu lut të përsëritnim së bashku mësimin. Më tha, mos mërzitem, por unë e dija sa e ndjeja shumë ikjen e saj. Në orën e tretë, në lëndën e leximit letrar për detyrë kishim të komentonim një skicë të një tregimtari të realizmit socialist që bënte fjalë për të varfrit dhe të pasurit.
Mësuese Keti mëshoi dorën e mbledhur grusht mbi faqen e hapur të librit të leximit dhe foli me ton solemn:
-Kush do na flasë për realitetin e hidhur, gjakatar të regjimin të kaluar hë, kush!?- shikimi i brodhi në klasë, u ndal te unë:- Ja, ti Bardhushi…i…i…i për shembull ç’ mund të na thuash?
Me shumë dëshirë brofa në këmbë. E kisha mësuar për qejf skicën, e doja me shpirt letërsinë, adhuroja shkrimtarët dhe poetët. Nisa të flisja me pasion për autorin, jetën, për temën dhe idenë.
-Mirë, mirë,- më ndërpreu mësuese Keti:- E shoh, ke mësuar, qenke dhe nxënës i mirë. Por dua më konkretisht, ta ilustrojmë, të dalë kuptimi i plotë: Përse borgjezët pinin gjakun popullit fukara, hë?!
-Ishin borgjezë..,- mërmërita.
-Hem… mirë e the, borgjezë… Familja juaj ka qenë borgjeze, apo jo?
-Nuk e di…
-Nuk e di! Si nuk e di! Prindërit e tu kanë qenë borgjezë, të ligj, të pamëshirshëm!-Klithi.
S’fola. Klasa heshte. Gjendje e nderë. Mësuesja përfshiu klasën me shikim të rëndë dhe vazhdoi:
-Më thuaj ti Bardhushi…i…i…i, si ia pinte gjakun popullit fukara, familja juaj?
M’u tha pështyma në fyt. Nuk dija që prindërit e mi të kishin pirë ndonjë gjak! Babai i sëmurë, nëna shpirt njeriu, i vinte keq të vriste një mizë. Familje e këputur s’ka ku të vejë! U linda i varfër. S’ kisha pirë një herë një lotkë qumësht, të haja një fetë bukë të bardhë me gjalpë dhe reçel si Dea dhe cingla Berati. Nga varfëria e mjerimi u sëmur babai dhe motra. Im atë çuditërisht mburrej me të shkuarën e familjes sime, thotë: ’Nëse quhet qyteti ynë qytet: ‘Parisi i vogël’, me fytyrë evropiane, në radhë të parë merita i përket familjes sonë, për dhuratat e shumta që i bëri. I dhuroi qytetit spitalin të kurohet, liceun të arsimohet, bibliotekën të kulturohet, katedralen të falet të lehtësojë shpirtin…’
-Fol!- më shungulloi koka:- Tregoji klasës ligësitë e familjes tuaj borgjeze, ndryshe ke njësh të madh.
Më vinte të bërtisja, të qaja. Por s’ duhej të bërtisja dhe as të qaja. Klasa më sillej rrotull dhe fytyrat e shokëve dhe shoqeve të klasës gjithnjë e më tepër sa vinin dhe deformoheshin. O zot, vetëm zali mos më binte. Nuk doja të qeshnin me mua. Më dridhej i gjithë trupi. Ajo shpifte, shpifte si dreqi. Le të vinte njëqind njësha, një milion, një miliard. Prindërit e mi ishin më të mirët e zemërbardhët në botë. Një lëmsh i madh mu mblodh në fyt. Përse më torturonte mësuesja Keti me uniformë kaki, kur prindërit e mi kishin bërë veç të mira dhe bamirësi!?
-S’dashke hë!- zëri ishte tmerrësisht i ashpër:- Ke njësh të madh. More vesh. Ulu!
Doja ta kundërshtoja, ndjehesha i pafuqishëm. S’e di ku u ula. Berati më shtyu, gati u gremisa. U ktheva, e pashë me egërsi. Koka më gjëmonte, më vinte të villja. S’më rihej në klasë dhe zilja vononte të binte. Më në fund zilja ra me potere. Rrëmbeva çantën dhe u turra jashtë. Zemra rrihte me furi, sikur do shkulej prej gjoksit dhe do binte përdhe. U ndala një çast të mbushesha me frymë. Dëgjova hapa të shpeshta, dikush në kapi nga bërryli. Ishte Dea e përskuqur.
-Ua moj nëne sa turp! Sa tmerr! Qenke, borgjez i keq dhe unë nuk e dija! S’ jemi më miq, ta dish.
Ah moj Dea, Dea, e ëmbla ime. Unë të doja me shpirt moj Dea, aq shumë te doja, sa mendoja se nuk do doja tjetër më, por fshikullin e fundit të ndëshkimit ma dhe ti moj Dea.
Doja të qaja. Do vdisja po të mos nxirja dertin, por s’duhej të qaja. Babai thoshte: Mosmirënjohja është sëmundja e keqe e qenit.
 
 
kristaq
 
KRISTAQ TURTULLI
 
 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,272 hits

August 2023
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List