Poezi nga Iliaz Bobaj
TEK BUZËT E TUA
Aty del buzëqesh hareja,
aty del dhe shfryn dufin kënga,
shpërthen lirikë e artë e shpirtit,
me notat që dalin nga brenda.
Aty rri heshtja midis heshtjes,
si një shtatore e harruar,
përmbi një piedestal të zbehur,
mendimit duke udhëtuar.
Aty nisin e ndizen zjarret,
me ura dëshirash përflakur,
tek afshi i tyre ngrohet syri,
tek ftohja e tyre bëhet akull.
Aty zhgënjimi rri tek pragu,
si kashtë e thatë zverdhon trishtimi,
kur ngrihen dallgë mbi ato brigje,
pikon përzishëm pikëllimi.
Aty ka portën dashuria,
si fllad i lehtë hyn- del me vrap,
e çmenduar krejt nga lumturia
dhe nuk ka zot që ta bëjë zap.
Aty ku nis e ndjen parajsën,
nuk hapet me çdo çelës porta,
tek ato buzë gjithë bota çelet,
tek ato buzë mbyllet gjithë bota.




























Leave a Reply