Manuel Scorza
Kalendari poetik: Manuel Scorza Torres (1928-1983)
Sot, më 9 shtator, është 115 vjetori i lindjes së poetit të shquar peruan. Për shkak të gjendjes politike në Peru, u largua në moshën 20 vjeçare dhe jetoi mbi dhjetë vite në Uruguaj, Meksikë dhe Spanjë; pas më shumë se dhjetë vitesh, u rikthye në atdhe. Por sërish u shtërngua të mërgonte, për shkak të veprimeve të tij në përkrahje të bashkësisë indigjene. U vendos në Paris, ku filloi të jepte leksione në Shkollën e Lartë Kombëtare në Saint Cloud.
Humbi jetën tragjikisht në një aksident ajror në vitin 1983. Ja një poezi prej tij:
LETËR POETËVE TË ARDHSHËM
Nesër, ndoshta poetët do t’i pyesin
përse nuk lëvdojnë bukurinë e vajzave;
nesër, ndoshta poetët do t’i pyesin
përse në poezi
ka rrugë të gjëra
nga të cilat vjen zemërim i ndezur.
Përgjigjem:
Vajtime kemi dëgjuar gjithkund,
gjithkund nga mur dallgësh të zeza jemi rrethuar.
Dhe poezia duhej të ishte
një varg pikëlash vese?
Shkrepëtimë rrufesh duhej të qe.
Deri sa dikush vuan
s’më duket i bukur trëndafili;
kur dikush shikon bukën me zili
gruri s’ka si fle;
deri sa shiu bën qull lypsat
zemra ime s’ka gëzim.
Poetë, vriteni trishtimin.
Me dru t’i biem deri sa ta vrasim.
Mos rrëfeni histori dashurish zambakësh.
Keni gjëra më me vlerë
se vajtim i dashurive të humbura:
Zhurmërim i popullit që zgjohet
m’i bukur është se vesa!
Metal i ndritur i zemërimit të tij
m’i bukur se shkuma e detit!
Njeriu i lirë
m’i dlirë se diamanti!
Poeti zjarrin duhet të çlirojë
nga hiri i burgut të tij.
Poeti duhet të ndezë flakën
ku të digjet kjo botë e zymtë.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply