Mario Benedetti
Kalendari poetik: Mario Benedetti (1920-2009)
Sot, më 14 shtator, është 103 vjetori i lindjes së Mario Benedetti-t, poet, eseist, shkrimtar dhe dramaturg uruguaian. Prindërit e tij qenë mërgimtarë italianë; për mbijetesë filloi punën qysh në moshën 14 vjeçare dhe arriti me qënë ndër poetët më të dëgjuar latino-amerikanë. Pas grushtit ushtarak të shtetit të vitit 1973 u detyrua për shumë vite të jetonte larg Uruguajit. Vend i vogël Uruguaji, por ka nxjerrë poetë me famë botërore dhe jo vetëm Mario Benedetti-n, por edhe Idea Vilariño, Eduardo Galeano etj. Ja përzgjedhja ime për sot:
PËRSE PO QESH?
(jam kurreshtar ta di)
Në një foto të saktë
të një gazete të përditshme
çfaqet zoti ministër
i mundësive të mëdha.
E pashë të gëzuar
plot hare
dhe zgërdhihej
surrati i tij.
Jam kurreshtar
zoti ministër
përse qesh
për çka po qesh?
Nga dritarja jote
shikon plazhin
por ti kasollet
i shpërfill.
Bijtë e tu
kanë vështrim hijerëndë
por të tjerët
kanë vështrime të trishta.
Këtu, nëpër rrugë
madje ndodhin gjëra
që nuk mund të thuhen.
Studentët
dhe puntorët
do t’i vendosin
pikat mbi i.
Prandaj të them,
zoti ministër,
përse qesh,
për çka po qesh?
I njeh ti,
më mirë se kushdo
ligjet e hidhura
të këtij vendi.
I rreptë je
me këtë popull,
përse me të huajt
je kaq servil?
Tradhëton e shet
trashëgiminë tonë
ndërsa gringot
na bëjnë të paguajmë trefish.
Dhe pastaj shesin
ty dhe të tjerët
ata që i adhurojnë
dhe matufët pleq.
Prandaj të them
zoti ministër
përse qesh,
për çka po qesh?
Nëpër rrugë
policët e tu vrasin
dhe ata që vdesin
janë njerëz të thjeshtë.
Ata që mbeten gjallë
dhe qajnë me zemërim
sigurisht që mendojnë
hakmarrjen.
Nëpër biruca njerëzit e tu
i bëjnë të vuajnë
dhe kjo për ty nuk është mirë.
Në fund të fundit
je direku i një anijeje
që po fundoset.
Ndaj jam kurreshtar të di,
zoti ministër,
përse qesh,
për çka po qesh?

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply