Poezi nga Llesh Gjoka
NE DHE ATDHEU
Atdheu është një pemë e artë
që e mbollën të parët tanë
që e ujitim nga shirat
që kullojnë nga qerpikë zanash
nën dritën e hënës
Që ia tëharrim barërat e këqija
Ia pastrojmë degët, gjethet, kërcejtë
I shërbejmë me pekule
si fëmijës së njomë
me gishtat e gjatë të një dore magjike
që merr formë sërish, gjithmonë
sa herë ne e dashurojmë atë
sa herë ëndrrat i ndriçojmë me emrin e tij:
Atdheu.
Atdheu është një pemë e artë
prej rrathëve të historisë që shëndrit
mbështjellë trungut të saj
Kur lindim, lind edhe ajo pemë
duke shtuar rrathë të rinj
Kur vdesim
ne ikim…
Pema e artë do të jetojë…
LUAJ ME HESHTJEN
Zë nate nuk dua të jem
zëkatje bulkthi në errësirë
edhe kur nata shtërnguar i ka duart
në fytin e gojëtarit të artë
edhe kur mbretëria e shpirtërave
kërkon qetësinë anembanë.
As zë i mbytur nuk mund të jem
në heshtje guri
as melodi e këputur
në telin e shtendosur pa frekuencë zërash
te një dashuri e nemitur.
Nuk mund të jem hije, e pazëshme
e zgërlaqur, shetitëse
rruginave pa jetë.
Isha lindur motit
kur qiejt me bubullima
u bënë refreni i një kënge
që mē ndoqi pas në pakohësi…
Prandaj shpirti rreket, ma kërkon
të lindë diçka e re, e vrullshme
gjeratore e fjalëve të ethshme, turbulente
për dashurinë e mpiksur në gene
dhe për vuajtjet që e përndoqën
të cilat nuk dua të mbyten
në litarin e heshtjes.
Dua ta godas fort timpanin
kur gjithçka e bukur që lind
bëhet gati të vdesë
tamam dhe posaqërisht nga heshtja.
Loja me heshtjen, një lojë që s’më mund
se e shkund si aguridhe
dhe e përplas në murin
që ka krijuar vetë
ditëve pa puls…
Zgjimi i saj më gëzon, nuk më tremb
se është një zë i bukur, i vërtetë
Kur u këndoj gjërave më të dashura
dhe atyre që më mbajnë
si zog fluturues në jetë.
ANDEJ DHE KËNDEJ
Një kishë me kumbonare
një prift para altarit
qirinj që digjen në lutje
kori i murgeshave pa stonaturë
tingujt mistikë të organos
fjalët e përhirshme të psallmeve
thirrjet liturgjike të Papës…
Minarja e xhamisë që prek qiellin
hoxha që këndon suret
besimtarë që falen gjunjas
betimi në Kuran
pelegrinë që shkojnë në Mekë…
Janë rruga për andej…
Një burrë i kollarisur që shkon në parlament
Një zonjë mondane me qen
Një çift që puthet sheshit
Një mjek që hyn në urgjencë
Një mësues që mëson fminë
Një polic që drejton trafikun
Një lypës, një prostitutë
Një punëtor a inxhinjer
E sa e sa të tjerë…
Janë rruga për këndej…
E shkojmë sa andej, këndej
me gjurmë e shtrojmë rrugën
për atë që vjen…




























Leave a Reply