Aurora Luque
Kalendari poetik: Aurora Luque 20 shtator 1962
Sot mbush 61 vjeç poetja spanjolle; ka diplomuar për Filologji Klasike dhe nga viti 1988 ka dhënë greqishten e vjetër në universitetin e Málaga-s, ku është pjesë e grupit kërkimor të Përkthimit, Letërsisë dhe Shoqërisë në atë Universitet. Është nderuar me çmime të shumta për përmbledhjet e saj poetike.
Ja përzgjedhja ime sot:
AKUAREL
Ka udhëtime që mbeten në bebëzat e syve.
Pasi pati parë ishullin e Kalipsos, a thua Odiseu
shihte përsëri si më parë? Nuk i pat mbetur një ngjyrë
si një lëmsh i çuditshëm leshterikësh
në bebëzat e syve? Ashtu si në çdo pjesë,
kudo nëpër trup
na ngurtësohen puthje a mërzi, kështu që sytë magjepsen
nga brez i bruztë i detit që ishujt përkund,
nga meduza ametisti, nga bardhësi e anijeve.
Trupi është një kosh ku kujtimet shkarkohen,
si poezia. Por ndoshta sy çuditërisht
të gjelbër papritur vizatojnë
përmbytur në dritë
një grup ishujsh të harruar, mbuluar me pyje.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply