Poezi nga Engjëll I. Berisha
EDHE YJET TI FIKIN
Kush i paska fikur yjet sonte
e paskan përpi edhe hijen
me siguri dashnorët bedel mos me u pa
të dashuruarit orientohen natën me lehtësi
din edhe me u zgjua me kohë
mos me u harru në gji e me i zanë drita
me u përkundë në ato gremina t ‘buta
nëse nuk rri zgjuar
edhe hana ta vjedh dashurinë
ta shkulin edhe ëndrrën mes muresh
të pa udhët i ngrehin shkallët deri te qielli
i fikin yjet e ta kafshojnë rriskën
e nuk mundesh dy herë në jetë
të vdesësh për dashuri.
E DIELA E LUTJES
Nuk shkova në ritualin e lutjes
nuk më zgjoi asnjë kambanë
nuk e mora bekimin
as nuk e dëgjova predikuesin
prej të thënës, deri te gjykimi
zanafillën e fundin
i lexova në faqet e librave
edhe për mëkatin u lexuaka
shumë thjeshtë, çdo çast i vogël
e prekë nervin
vetëm sa mos e pi helmin
për ato gjëra që kurrë s’do ti kesh
vetëm sa e djeg trurin e bie në çmendi
kjo është ekstazë e të marrëve
se shenjtërorët dehen edhe me mjaltin e egër
pinë ujë ku virgjërat i lajnë këmbët e bardha
sa vështirë është kur ke vetëm dy zgjedhje:
Pasioni. Të duket i lehtë por është i papushtueshëm
Frika. S’mundesh as me e prekë, as me e nxjerrë prej vetit
kur nuk din me zgjedhë
është njësoj sikur çdo ditë me ia nisë jetës
prej fillimit
të dielën edhe Krijuesi mori pushim
edhe mëkati me përtesë trillon këtë ditë
kënaqësi është të rrezitesh i zhveshur
hiqi të gjitha krejt çka ke në trup
lëri me një anë
lëre diellin të bëje punën e vetë
nuk ka nerv të shëndoshë
kur je ngarkuar.
E diela është çasti. Çasti si me e puthë kënaqësinë.
PEZMI NË QERPIKË
E fshehu në fund të detit sekretin
kur erdhën detarët e nxorën ndryshkun
e kishte brejtur koha e uji e shpërlante
krejt çka mbeti ishte një fije qerpiku
mbështjellë në letrën me pakëz vargje
e shpalosin tash pas kaq vitesh
bukuri e pa prekur me etje në buzë
çka se prek shpirtin nuk e prek as trupin
pezmi në qerpikë e tradhton pamjen
vetëm se pezmi i keq i nxjerrë edhe fjalët
mos rri peng i dallgëzimeve
mosha ngjallet e fiket përnjëherë
kënaqu e merr frymë thellë
me jetua me mushkëri me oksigjen
përsëri vjen stina e luleve
sa herë vjen pranvera ato bëjnë dashuri
qe edhe pakëz e po e mbylli rrëfimin
ta kthejmë në det arkën e sekreteve
kripa e guri e mbajnë edhe pakëz
edhe ashtu asgjë nuk po ndodhë
kush i beson dhimbjes
sa herë e ven në spikamë poezia
mos e gris mendjen kot, vjeshta ka ra
nuk e zgjojnë kalimtarët
shiko, po të tradhton qerpiku, po dridhet
asgjë nuk i ngjan më dashurisë,
kjo është bredhje nëpër mjegull
veset e mendjes të trazojnë.
TË DEHURIT
Të bekuarit e ruajnë derën e parajsës
shenjtorët i bëjnë homazh mëkatit
edhe atyre që i dehë jeta
si në gotën e qelqit
kur u jargën buzët e fjalët u mbyten
pa mundur me i nxjerrë
as me e shua etjen në vlim të kallur
se nuk u gjet kush me ua hedh pikat
e ujit të bekuar
për me shkua në parajsë
pakëz më esëll
edhe fati e ka farën e vetë, dikush e mbjellë
ku ta gjejmë atë krua të lajmë mëkatet
ose me pi ujë të pastër
se çdo ditë dikush i prenë damarët
e limfës së helmuar
helmi rrjedh edhe prej tokës
dikush e ka ble ferrin e ka bëre presa
nuk është magji kjo
kush mbet i virgjër pa u prekë
as gota nuk ta fshehë pikëllimin
vetëm sa nuk ke me e ditë
sa mashtrim i thellë është
kur të qajnë me dënesje
e nuk u del loti.
E DEHUR JAVA
Nata e së dielës më tha
dehu dhe ti sonte, ç ‘pret?
Më mori pastaj, më rrotulloi qiejve të saj
ma përplasi mërzinë derisa i thashë
poetin e dehë vetëm dashuria
as të hënën nuk jam esëll
nga dita e parë e javës, e në fundin e saj
e marr shijen në tempujt e librit
midis njeriut, durimit e lëkurës time
e palos shpirtin të mos përulet
në mbrëmje shtrati më bëhet poezi
deri në mëngjes thithë aromë gruaje
të premten derdhemi vetëm nëpër buzë
zgjatemi deri te njëfarë loje
sa të na lëshojë dehja në pikë të natës
para ekranit sikur epiqendër e agonisë
të shtunën më mbërthen me ashpërsi
i ka thonjtë e gjatë
më rrjepë, acarim me mall
kohë sa të duash për lumturi
të dielën tjetër prapë ethet e së hënës
kush i merr vesh të gjitha!
Fare thjeshtë. Serish i nisim të gjitha
sikur nisë java
edhe rrugët janë po ato
çdo ditë për në punë.
LUMI NË MES
Nën hije ti lashë germat prej guri
janë copëza të lojës
tani është rrënuar ura
lumi ndan çdo gjë në mes
kah me ti dërgua tash shkronjat
pa emër e pa adresë!!!
Po i fus në ujin e ftohtë
kur ti marrësh gurët
që ta bësh kështjellën
i lexon koha në murin e saj
kushedi sa të fshira do bëhen ato fjalë
vetëm minuta e ndodhjes e tregon
me shenjën kah ka ra për çdo ditë dielli
e i ka tha
thuaja se s’ka ndodhur asgjë
kur përsëritet koha
fjalët bëhen vetëm përrallë
po ti rri e qetë
se kjo letër
krejt e verdhë prej motit të gjatë
do ta bëjë ritual në syprinën e dhomës
si në legjendë e përsëritur.
S’BËMË ASGJË
Vetëm sa i mbeti asaj pranvere faji
koha e ha kohën e fytyrën ta rrudhë
krejt çka kemi bërë, i kam fshehur
jo se më vjen turp,
po janë të grimcuara si pluhur
janë shpërndarë, ku ti mbledhim
pastaj kurrgjë nuk bëmë
vareshim nëpër buzë tinëzisht
e rrinim nën hije të qerpikut mos me na pa
sikur në fëmijëri kur vidhnim nga pema e fqinjit
kurrë nuk i kafshova mollët
i ruaja si nën gjethe
vetëm sa me e ditë se ku janë
nën ato fletë dushku
ti fshiheshe në qerpikun me cep
po ai të dridhej
si shenjë fajësimi
skaj drurit të moçëm
sa fshehtësi kanë kopshtet
nuk treguan as për trupin e njomë
si ç’ vishej me faj
nuk flisnin as për lëkuren e butë
e bardhë
s’kuqej kur gërvishtej
nëpër lëvozhgën e drurit
me heshtje
sa keq,
kaq e njomë ishte
ndizej si prushi
e lisi edhe më tej është aty
nuk tregon lisi plak
jo
ai e mban fjalën
vetëm ne nuk jemi aty
janë fjalët e këta rreshta
që mbesin në letër me heshtje.




























Leave a Reply