Anna Maria Antonietta Sarra (Itali)
Poetja Anna Maria Antonietta Sarra lindi në vitin 1964 në Teano në provincën e Caserta (Itali). Ajo ështē autore e disa librave me poezi dhe është vlerësuar me shumë çmime kombëtare.
SI QIELLI NË UNIVERS
Kur me fjalë, pa zë
do të jetoj përsëri
në atë botë që gjithmonë më rrethon
dhe në mendime imagjinatash të udhëtimit
do të fluturoj
me krahët e dallëndysheve emigrante,
në çdo vend do mbështetem
e do të ndalem, jetën do shikoj
me zemrën e një udhëtari të varfër.
Dhe do të vëzhgoj yjet
në kupën qiellore të madhe
muzikën përbrenda do të dëgjoj,
këngëzat e lashta që kthehen
si kaktuse endacake
dhe hënën do të përqafoj
e ndrojtur me përshpërimë të lehtë
duke thirrur muzat
lidhur me brezat e kometës
të cilat për një çast
qiellin tim të përhumbur do të përshkojnë
i largët, i tretur, i magjepsur
në kaltërsinë e thellë
të netëve të errëta e të pa gjumë.
Kur në fjalë të patheksuara tingujsh
përmes poezive të imagjinuara do të jetoj
dhe do të jem atje në një pikë të pafundësisë në hapësirën e madhe boshe
për të parë si çdo mbrëmje
ritmin tim të ngadaltë
me vetë kohën që tani ka kaluar
e vetëm atje dhe jo më tej
shpirti im i vetmuar do të pushojë.
Nën tingujt pa zë pezull rri
mes faqeve të jetës sime
e vetme me atë tregim të lehtë e të pëshpëritur
për të reflektuar atë “unë”
që gjithmonë ka qenë në mua
porsi qielli në univers.
*Kjo poezi është vlerësuar me Çmimin Letrar “Quasar “National UniVersi” – 2023, Lavdërimi Galaktik Ercole.
VËSHTRIMI I VERBËR I KOHËS
Përmes vështrimit të verbër të kohës
udhëtime mbrapsht të stinëve të kaluara
kam parë… dhe qesha
hidhërishëm u qesha
fitoreve të fituara me djersë
me lotë prekëse që nuk rrodhën kurrë.
Qesha…
qesha kur pashë të kalonte
dhe brenda vetes shpesh veten pyesja:
A mund ta anulojë ritmin tim të ngadaltë?
A do ta mjegullojë kujtesën time nesër?
Jo! Kurrë nuk do të mundet ta fshij
veten time
ajo bredhje e heshtur, reflektim
nën vështrimin shumëvjeçar të kohës
ku gjithmonë do të ketë: një fjalë, një zë,
një tingull të përjetshëm të kohës
për të rikujtuar harresën e një çasti.
*Kjo poezi është vlerësuar me Çmimin “Alda Merini – (Botimi XI – 2023), Accademia dei Bronzi, Pllaka e Presidentit.
LIMONAT
Si fenerë të ndezur
varen limonat
në degët e gjelbra të pemës së heshtur
e mbushur me bollëk.
Shpërthen misteri i së shkuarës
në kimera me ngjyra të shkëlqyera.
Zbret aroma e ëmbël e hidhur si infuzion
nën vështrimin e qetë
të luleve të portokalleve me yje
dhe degëzat rrethojnë
lëvoren e shndritshme.
Pulsuese është frymëmarrja
që ndjen të nesërmen
një fllad ëndrrash të braktisura
iluzione balsamike
të erërave të pashpjegueshme
që vendosen në mënyrë delikate
si pika vese
mbi frytin e ashpër të dashurisë
me aromën e lashtë të limonit.
*Kjo poezi është vlerësuar me Çmimin “Decumani” (2023)
Përktheu: Angela Kosta, poete, shkrimtare, publiciste dhe Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press.





























Leave a Reply