Poezi nga Iliaz Bobaj
E FALIM ATDHENË
E falim atdhenë tek tutorët tanë
dhe fjala jonë e trembur rri dhe hesht,
ata atdhenë e falur me lakmi e hanë
dhe copa- copa e kthejnë në lekë.
Na thanë të parët: Atdheu është i shenjtë,
ai mbrohet siç mbrohet çdo shenjtëri.
Ua thamë edhe ne fëmijëve tanë,
po prapë e falim me kaq lehtësi.
E falim atdhenë, se s’duam ta shohim,
në dritë të syrit dritën e së vërtetës,
se jemi kthyer në memecë të fjalës,
në lëpirës të zellshëm të gënjeshtrës.
E falim atdhenë, të na marrë osh mjerimi,
frika kërcënon guximin që të heshtë
dhe mbetemi si një lagje e humbur, e varfër,
që jeton mjerisht me varfërinë e vet.
E falim atdhenë, që të jetojnë mes luksit,
ata që na i bënë dhuratë varfërinë
dhe ikim si këlyshë të rrahur, të trembur,
me një çantë të vogël si kolibe mbi shpinë.
E falim atdhenë,që botës të vdesim,
s’na kthen dot pas as dreq e as zot,
çdo ikje e jona i hap atij një plagë,
atyre u mbush çantat plot e përplot.
E falim atdhenë tek tutorët tanë
dhe fjala jonë e trembur rri dhe hesht,
ata atdhenë e falur me lakmi e hanë
dhe copa- copa e kthejnë në lekë.
HAPËSIRA E JETËS SIME
Në dy shekuj të ftohtë, siç e solli moti.
Shekulli i shkuar, e përcolli dhimbjen tek unë.
Ky shekull dridhet vetë nga i ftohti.
BUZËT E TUA
Aty del buzëqesh hareja,
aty del dhe shfryn dufin kënga,
shpërthen lirikë e artë e shpirtit,
me notat që dalin nga brenda.
Aty rri heshtja midis heshtjes,
si një shtatore e harruar,
përmbi një piedestal të zbehtë,
mendimit duke udhëtuar.
Aty nisin e ndizen zjarret,
me ura dëshirash përflakur,
tek afshi i tyre ngrohet syri,
tek ftohja e tyre bëhet akull.
Aty zhgënjimi fishk blerimin,
si kashtë e thatë zverdhon trishtimi,
kur ngrihen dallgë mbi ato brigje,
pikon përzishëm pikëllimi.
Aty ka portën dashuria,
si fllad i lehtë hyn, del me vrap,
e çmendur krejt nga lumturia
dhe nuk ka zot që ta bëjë zap.
Aty ku nis e ndjen parajsën,
nuk hapet me çdo çelës porta,
tek ato buzë gjithë bota çelet,
tek ato buzë mbyllet gjithë bota.



























Leave a Reply