Ese nga Kadrush Radogoshi

 

Semantika e flijimit

-Vazhdim-

FLIJIMI NË KULTURËN SHQIPTARE

Në kulturën shqiptare, qoftë ajo mitiko-legjendare apo historike e hasim një shumësi mënyrash të flijimit. Simbolika e flijimit për Drurin e jetës mund të mbulojë me semantikën e vet shumicën e flijime-ve në kulturën shqiptare. Gjatë shekujve të kulturës njerëzore në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti janë krijuar modele të ndryshme të flijimit dhe të heronjve të flijuar. Brenda modeleve pastaj janë krijuar tipa e nën-tipa të ndryshëm. Në varësi nga shkaqet, motivimi, forma, qëllimi, lëmi etj. mund të krijohen tipologji të ndryshme të aktit të flijimit. Modeli më i lashtë i flijimit në kulturën shqiptare është ai magjik-mitik dhe pasuesi i tij folklorik. Historia shqiptare gjatë shekujve krijoi modelin e saj të flijimit. Modeli historik i flijimit u krijua si domosdo historiko – ekzistenciale në varshmëri nga faktorë historikë, po edhe nga tradita kulturore mitiko-folklorike. Modeli mitik-folklorik dhe ai historik morën e dhanë te njëri tjetri në mënyrë të ndërsjellë, kush më shumë e kush më pak. Me krijimin e letërsisë artistike shqiptare u krijua edhe modeli letrar i flijimit, i cili është ndërtuar mbi dy modelet e para, por që nuk mbetet një sintezë e thjeshtë e tyre.

MODELI MAGJIK-MITIK DHE FOLKLORIK I FLIJIMIT

Këtë model të flijimit, siç e kemi theksuar edhe në fillim e trajton antropologu anglez Xhejms Xhorxh Frejzer në librin e tij ”Dega e artë”. Edhe pse ky antropolog i shquar nuk e ka njohur gjuhën shqipe dhe kulturën tonë, sjell dëshmi, të cilat na bëjnë të besojmë se flijimi për Drurin e Jetës në Kopshtin e Shenjtë të Nemisë i ka rrënjët në kulturën e lashtë ilire, ndërsa nimfa Egeri, që jetonte në Liqenin e këtij Kopshti dhe në burimin që rridhte nën rrënjët e Lisit të Shenjtë të Dodonës, nuk ishte asgjë tjetër pos pararendësja magjike e figurës mitike shqiptare, Zanës.
Folklori shqiptar është i pasur me shembujt e flijimit të njerëzve për t’i zbutur shpirtrat e këqij apo qeniet e ndryshme mitike si kuçedra, katallanë, diva etj. Për ta lëshuar burimin e ujit, kuçedra kërkon nga një njeri në ditë për ta ngrënë e në variante tjera pos njeriut i shtohet edhe ndonjë byrek apo ndonjë gjellë tjetër. Në të gjitha rastet, pas flijimesh të tilla del në skenë heroi që do t’i kundërvihet kuçedrës dhe do t’i shpëtojë njerëzit nga flijimet e shumta.
Derisa në shumicën e përrallave shqiptare flijimi dhe kundërvënia zënë të njëjtën hapësirë, në këngën legjendare ”Gjergj Elez Alia” mbizotëron kundërvënia, si forma më e lartë e flijimit në emër të mbrojtjes së nderit të familjes si themel mbi të cilin është ndërtuar jeta e etnosit shqiptar. Kodi moral i shqiptarëve ishte shumë rigoroz, ai sugjeronte më parë vdekjen se jetën e shfytyruar moralisht. Në këtë kontekst spikasin shembujt e shumtë të flijimit të gruas shqiptare, duke u hedhur në humnerë vetëm për të mos rënë gjallë në duart e armikut, qoftë ai mitik apo historik.
Motivi i flijimit të gruas së re e të bukur në themelet e Kalasë së Shkodrës apo në themelet e Urës së Shenjtë afër Gjakovës, është dëshmi e një akti të lartë të flijimit, mbi të cilin zë fill qytetërimi shqiptar. Filozofia e qytetërimit shqiptar është e pikëllueshme sepse është krijuar mbi një përvojë jetësore tragjike, e cila s’ka se si të mos e ketë përmasën e vet heroike, thënë troç, përvoja jetësore shqiptare është një bukuri që vret. Këngët popullore shqiptare, qofshin legjendare apo historike, shpeshherë janë krijuar mbi motivin e flijimit.

MODELI HISTORIK I FLIJIMIT

Historia shqiptare, duke qenë histori e një populli të rrezikuar shekuj më radhë është e mbushur me shembuj të shumtë flijimi. Heronjtë e flijuar shqiptarë janë çuditërisht të ngjashëm me para-ardhësit e tyre mitikë dhe antikë. Po të bënim një tipologji të thjeshtë të heronjve shqiptarë do të dallonim dy grupe të mëdha heronjsh, të cilët ndryshojnë vetëm për nga mënyra dhe mjetet me të cilat i kundërvihen së keqes, së shëmtuarës, së ultës, shpërnderueses, ndërsa janë të gjithë të njëjtë në vetëdijen e plotë gjatë aktit të flijimit.
Në grupin e parë hyjnë heronjtë luftëtarë të guximshëm, të cilët pararendësit e tyre mund t’i gjejnë te heronjtë homerikë apo te vet Prometeu. Shembuj të këtij tipi heronjsh ka shumë në historinë shqiptare dhe është e pamundur të përmenden të gjithë, por ndër më emblematikët janë: Oso Kuka, i flijuar në kullë të barotit në Vraninë, Mic Sokoli, i flijuar në grykë të topit në Slivovë. Nëse këta dy heronj i krahasojmë me dy yje madhështorë në qiellin e flijimit shqiptar, atëherë Adem Jasharin mund ta krahasojmë me diellin e madh, i cili e ndriçoi ndër-gjegjen e përgjumur shqiptare dhe e vrau njëherë e përgjithmonë politikën e zhurmës së madhe patriotike e të veprimit liliputan, politikën e qyqarllëkut dhe të lëmoshës. Flijimi i tij, i vëllait të tij Hamzës, i babait Shaban dhe i pesëdhjetë e ca Jasharajve të tjerë, është një shembull madhështor i flijimit, para të cilit dimensioni i madhështisë së flijimit mitik na duket më i vogël, figurën e Jasharajve nuk e zë asnjë mit. Atë e zë vetëm historia më e re e Kosovës. Në këtë kontekst të flijimit kosovar, në epopenë e fundit, nuk mund të harrohen emrat e shumë heronjve të shkruar në radhorin e përjetësisë shqiptare, i cili mund të fillojë me emrin e secilit prej tyre, mund të fillojë me emrin e Fehmi e Xhevë Lladrovcit, të Ismet Jasharit, komandant Kumanovës e të përfundojë me emrat e Luan e Shkëlzen Haradinajt, Shaban Golës, Elton Zherkës, Përmet Vulës, Yll Morinës, Ilir Sobës e shumë e shumë heronjve, të cilët e derdhën gjakun për lirinë e atdheut, dhe, ky gjak i tyre, deshën e s’deshën shpirtrat e ferrit në politikën shqiptare, është shndërruar në peshore të pagabueshme, ku maten vlerat e përjetshme dhe sfidohen jo vlerat.
Në grupin e dytë të heronjve hyjnë pas-ardhësit e intelektualit, parashikuesit dhe mjekut mitik Eskulapit apo të Sokratit në aktin e flijimit, pra, në grupin e dytë hyjnë intelektualët e shumtë shqiptarë, të cilët u flijuan për shkak të ideve apo aplikimit të tyre në jetë, duke u dënuar me burgime të gjata, duke u mbytur në tortura, apo duke qenë pre e atentateve. Në luftën Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998 dhe 1999 nevoja për mjekët shqiptarë ishte e madhe, disa prej tyre nuk qenë në gjendje të flijonin qoftë edhe një qime floku dhe ashtu, si gjithmonë në këto raste, mbetën të tërhiqen zvarrë në botën e anoni-matit, por pjesa e ndërgjegjshme e mjekëve shqiptarë u vu në shërbim të popullit të përndjekur e të torturuar, po edhe të luftëtarëve të plagosur. Flijimi i mjekëve Izet Hima, Lec Ukaj, Hafir Shala, Shpëtim Robaj, por edhe Flora Brovina na e kujtojnë flijimin e Eskulapit mitik. Ngjashmëria është e plotë: Flijimi për ta shpëtuar jetën nga kthetrat e vdekjes. Këta emra mjekësh janë pasardhës të denjë të Eskulapit mitik dhe çekan që rrah fort mbi ndërgjegjen e fjetur të një pjese të mjekëve shqiptarë.
Te shqiptarët figura sokratike është parë herë te njëri e herë te tjetri intelektual njëzet e katër shekuj më vonë në gjykime të montuara. këta intelektualë shqiptarë akuzoheshin nga Anitët, Meletët dhe Likonët shqiptarë, pra nga hajdutët në ekonomi, nga mediokritët në kulturë e letërsi dhe nga demagogët dinakë në politikë. Ishte shumë irelevante se kush ishin gjyqtarët që gjykonin ”në emër të popullit”, serbë apo shqiptarë, sepse një gjë ishte e qartë: ata ishin antishqiptarë dhe anti intelektualë. Pjesa e tyre shqipfolëse edhe sot mund të na sorollatet në jetën tonë publike e politike me maskën e tejdukshme të antikomunizmit e të patriotizmit, po pse jo edhe të kozmopolitizmit si mundësi e re për ta vendosur prapanicën e tyre në ndonjë karrige. Tri gjykimet e Adem Demaçit s’kanë se si të mos na e kujtojnë gjykimin e Sokratit, ndërsa 28 vjetët e jetës së kaluar në burgjet sllavo-komuniste na e kujtojnë gotën e helmit, por më tepër Prometeun të mbërthyer me hekura dhe vuajtjet e tij të pambarim.
Njëzet e katër shekuj apo 2393 vjet më vonë, në Prishtinë u gjykua përsëri Sokrati, kushedi për të satën herë. këtë radhë Sokrati ishte shqiptarë nga Dardhari i Madh i Dukagjinit dhe quhej Ukshin Hoti. Akuza banale, ngjashmëria e tërësishme, fund e krye. Ndryshimi edhe kur duket se është i madh, nuk është i tillë. Vërtet gjykatësit e Sokratit antik ishin të të njëjtit popull, pra ishin grekë, ndërsa në rastin e gjykimit të Sokratit shqiptar gjykatësit ishin serbë edhe akuzuesit formalë ishin serbë. I vështruar nga ky aspekt gjykimi dhe dënimi na duket më tepër prometeik, por, kur nuk harrohet fakti se përpara akuzuesve formalë fshiheshin politikanë smirëzinj e të zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie dhe mediokritete kulturore e shkencore nga rradhët e shqipfolësve, të cilët nuk mund t’i durojnë njerëzit me potencë të madhe morale dhe intelektuale çfarë ishte Mr. Ukshin Hoti, problemi është më tepër Sokratik. Apologjia e Sokratit antik dhe Apologjia e Sokratit shqiptar të njohur me emrin Ukshin Hoti janë identitike. Anitët, Meletët dhe Likonët pas 24 shekujsh nuk ishin vetëm serbë, por edhe shqipfolës dhe mjerë shqipja, që e flasin edhe njerëzit e tillë!
Sokrati antik ua përkujton akuzuesve po edhe ndëshkuesve të tij turpin dhe dënimin që i pret në të ardhmen, të njëjtën gjë e bëri edhe Sokrati shqiptar në Apologjinë e tij. Si në Rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, profecia doli shumë e saktë. Ngjashmëri tragjike me një bukuri të llahtarshme brenda. Gjaku i derdhur nga mijëra luftëtarë trima, Gota sokratike e helmit e pirë nga shumë intelektualë shqip-tarë, vuajtjet e Laokoontëve shqiptarë të shkaktuara nga gjarpërinjtë e dalë nga deti i tradhtisë, Eskulapët shqiptarë të vrarë nga rrufetë e “Zeusit serb”, vuajtjet e Prometeve shqiptarë, akuzojnë politikanët e Kosovës, të cilët jo vetëm që s’u turpëruan nga qyqarllëku i tyre, por morën guximin të akuzonin dhe të kërkonin nga Zeusi të gjuante me rrufetë e tij kriminale.
Të gjitha këto flijime mund ta akuzojnë edhe klasën e re politike, nëse me dashje apo pa të fillon të shkelë idealet në emër të cilave u bënë të gjitha flijimet. Një popull, i cili nuk e çmon sa duhet flijimin si aktin më të lartë dhe më fisnik në jetën njerëzore apo lejon, që pjesëtarët e papërgjegjshëm të tij nën maskën e moderimit të tallen me të, duhet të brengoset seriozisht për të ardhmen e tij, e cila do të jetë e errët nëse nuk përpiqet të korrigjojë vetëdijen kolektive të tij, apo kodin e tij moral, qoftë i shkruar apo i pashkruar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,205 hits

February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List