Poezi nga Alma Zenellari
UVERTURË NËN SHI
Sot, binte shi i ngrohtë,
Puthte ajrin
Dridhej,
Pikonte,
Këmbëve të mia,
Mbështillej
Kërcenin balerina piklash me fustan të ujtë..
Kërceja dhe unë nën çadër e lumtur,
Pemët vështronin qerpiklagura,
Këmishëngjitur puthitur lëkurës së tyre...
Një uverturë e bukur,
Ngrihej butë butë qiellit të lagësht,
Shoqëruar nga buzëqeshja ime,
Nga dashuria ime e zëshme,
E çiltër për Ty.
Ti ishe aty
Në pritje të ëndrrës së ylbertë .
I bukur !
PËR NJË MIMOZË ...
Çeli sërish mimoza..
Si zonjëz e bukur , si grua lozonjare,
përkund trupin si fëmi ,
Qesh e luan me tingujt e fshehtë
të erërave të ngrohta,
të erërave tinzare.
Dehet nga një puthje ,
Dehet nga një prekje
Shtrin gjymtyrët e lumturuar nga rizgjimi...
Po si lulëzoi kështu kjo mimozë ,
si asnjëherë tjetër?
Lulëzoi kaq fort
Veshur me këmishë diellore,
Flet e qesh,
Buzëqesh
Po cila mrekulli e rizgjoi
Me trup e krahë të brishtë
Me fytyrë të re lulëzuar.
Pranvera e re i fal fjongo të gjelbërta
të mbledh diejt e vegjël mbi kaçurrelat e saj rebel .
I zgjat gishtat mbi flokët e artë,
e puth me buzë prej ajri.
Pranë saj si petal i ngrohtë
çel syri i kaltër i një zogu...
KUR SHTEGTOJNË ZOGJTË
Vogëlush o vogëlush, pa shiko se si ndrin dielli.
pa shiko se çfarë po thotë, dallëndyshja lart tek qielli?
Ajo s’do që të iki, nga foleja tutje larg
dhe pse shoqet e thërrasin, bishtgërshërat bëhen varg.
Dallëndyshja ci ci ci, që tani sikur ka mall.
për folenë nën çati, një pikë lot derdh nën qepallë.
“ Ikim shpejt se po vjen dimri, zogjtë e vegjël s’durojnë dot,
do të kthehemi sërish, kur të vijë behari i ngrohtë…
Vogëlushi më nuk luan, thotë: të lutem ti mos shko,
dallëndyshja në qiell shkruan “vogëlush mos na harro…
( Nga libri "Zogjtë çukisin gërma")
Leave a Reply