Poezi nga Dhimitër Nica
VITET QË IKIN
Çdo vit që ikën më le kujtime
e më duket si një fund maratone,
zëra të malltë më zgjojnë ëndërrime
e zbresin nga shekujt, si krisma jehone.
Vitet që ikin më lenë edhe plagë,
kur shoh përpara, më mungojnë njerëz,
midis tyre edhe nëna me babanë
dy ikona të patretshme, nga brezi në brez...
Vitet që ikën më bën më të bukur
dhe ngado ma kanë shtuar pasurinë,
mendjen dhe kokën më shumë ma zbardhën,
mendimin e poqën, e rritën poezinë,
e fisnikëruan burrin e më rritën fjalën!
NJË ËNDËRR MBI NJË LULE
Ç'bëhet me një ëndërr të bukur?
Kur shpirti mbushet e zemra gufon!
Po mbi një lule ç'mund të bëj një flutur,
apo thith nektar e krahët zbukuron?!
Po mbi buzët e njoma,pse dridhen të miat
dhe një vesë të fshehur e nxjerrin qepallat?
Kanë kaluar vite,i harrova shirat,
pak nga pak po çelin, rizgjohen, ringjallen...
E kisha mbyllur krejtësisht si kapitull,
thosha se kyçe e mentesha ishin ndryshkur...
Një ëndërr e thellë,një ëndërr e uritur,
m'i çeli sërish krejt llozët e vyshkur....
Dhe çelën e ndritën,si një djalë i ri,
me dridhje të re, si njëzet vjeçar!
Nuk ishte kapriçio ky tërmet në gji,
kjo thithje e bukur mbi lulen e rrallë!
Zoti ma kish taksur,më thoshte "hallall!..."
LOTË BURRI
Jashtë ka dalë dielli,
diku nëpër fusha po çelin lulet.
Pranvera po hedh ngado penelin,
zogjtë po harbojnë, po ringëllojnë
e mbi supe ulen...
Përsëri ne...
Dhe vetëm ne, mbetëm njëlloj!
Pa punë, pa bukë,
pa shtëpi e para...!
Pranvera po shpërthen e përqafon ngado,
por ne larg vetes e jashtë krahëve na la...
Dhe vitet kalojnë pa fletë e katalog
e shkallët rrisin në mijëvjeçarin e tretë...!
Janë në hyrje, janë në prolog,
pas mbjellin dhimbje,
mbjellin lot e stres!
O njerëz, pse zbarkoni kaq dhimbje?
Pse lejoni shigjeta në trupa të mishtë,
pse ngulni thika në zemra të brishta...?!
Lotët e burrit,
nuk janë lotë e krokodili!
Nuk janë lot,
që rrjedhin në kolltuqe parfumerish,
lot të harruarish e lot të përkëdhelurish
në vatra mëndafshi e salla mondanash,
nuk janë lot burdellosh e lot laramanësh...
Janë lot burri, janë lot mali,
janë lot i ashpër guri,
janë lotë të egër lisi,
që djegin e ndezin si vetëtima zjarri,
që dalin nga rrënja e Zeusit,
nga syri dhe irisi...
Nga këta lot, digjen e shterohen,
thahen e harrohen,
krejt detet e gjithë oqeanet...!
Leave a Reply