Mimoza Ahmeti (Albania)
Poetë të antologjisë poetike, “Takohemi në Jug”
Poets of the Poetry Anthology “Let’s Meet in the South”, Edition II (Albania)
Lindi më 1963. Është poete, prozatore, autore këngësh dhe këngëtare. U diplomua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, 1988-1989, dhe më pas ndoqi një kurs pasuniversitar për skenar filmi në Akademinë e Arteve. Ka mbrojtur doktoraturë për psikoterapi në Vjenë në 2014. Në vitin 2017 mbaroi postdoktoratë në Paris, në Sigmund Freud. Ka qenë lektore në Universitetin Europian të Tiranës, në Universitetin Mesdhetar të Tiranës etj. Robert Elsie e ka cilësuar “enfant terrible” dhe është ndoshta e para autore shqiptare me krijimtari tipike europiane.
Ka fituar çmimin ndërkombëtar “Palma e Artë” të Festivalit të Poezisë San Remo, 1998, organizuar nga RAI. Është poete në mesin e poetëve më të shquar bashkëkohorë shqiptarë. Pas dy vëllimeve me poezi, në fund të viteve tetëdhjetë, ishte përmbledhja me 53 poema, Delirium, Tiranë, 1994, që rroku vëmendjen e publikut. Më pas botoi vëllimet poetike Pjalmimi i luleve dhe Libri i lumturisë. Në prozë ka botuar librat: Arkitrau, Bëhu i bukur, Gruaja halucinante, Tregimet e civilizimit. Në vitin 2017 botoi romanin Tutori, Mapo dhe më 2024 vëllimin poetik
Dormaci. Librat e Ahmetit janë përkthyer italisht,
frëngjisht dhe spanjisht. Gjithashtu ka përkthyer autorë si: Leo Strauss, John Giorno, Dostoyevsky
RINI
O rini
Ti je një shakatore e ëmbël
Ti fillon shumë vonë
Me daljen e zemrës jashtë kuptimeve
Me kthimin e aromës drejt natyrës.
(Cirkuitet e lodhshme abstrakte
Terrori i datës së taksës
Sidomos gjoba e fundit e makinës...)
O rini
Ti fillon kur ecën rishtas njeriu në këmbë,
më në fund i ikën sufokimit të qytetit
numëron qindarkat n’xhep pa frikën për nesër
(Mishi rrudhet ndërsa shpirti shtrihet
në një liri nudo
jashtë rrobës sociale
plakjes racionale...)
O rini,
ti je një shakatore e çuditshme,
na bën seriozë më në fund
kundrejt vetes...
Sepse ti...
Vjen shumë vonë.
RUAJE FLLUSKËN
Ruaje flluskën që të mban ngrohtë
Dhe ashtu i mbrojtur në cipë transparente
Jeto i padukshëm për të shkuar diku
Në një stacion pa tren dhe pa orar
Pasagjer i fundit je, edhe i parë...
Të tjerë erdhën shkuan në përkohshmëri
Për të të dhuruar pakëz histori
Ruaje flluskën dhe plusko mbi ujë
Thonë se shkon larg, pa zhurmë dhe pa bujë...
Në stacion pa trena edhe pa ora
Ku je vetë i fundit edhe prapë i parë..
Shumë profonditet, shumë profanitet.
Bota është një flluskë.
Vetëm jeta Jetë.
TANTUM
Ec ngadalë, hyr në ritëm, jepi vetes të drejtë të rrish
me veten,
Të mendosh halle, nuk është të rrish me veten.
As të vuash, nuk është të rrish me veten.
Të jesh i lumtur, kjo nuk ka dyshim, është të rrish
me dikë tjetër,
që nuk është tjetër, por një më shumë se ti
dhe më shumë se e gjithë bota... për ty.
Po prapë, as kjo, nuk është të rrish me veten...
Ka një kumbim qetësia e shpirtit, një dëgjim krejt të
vetin,
një mrekullim të qashtër, vijues e rrjedhës me ndjesitë
dhe plotësinë,
çfarë pasurie është mbërrimi i vetes, të rrish me veten,
me qenien që nuk gjykon, flet apo vendos,
nuk joshet apo epohet
veçse në frymëmarrje zmadhohet
qetohet...
Të rrish me veten...
është më shumë se çfarëdolloj udhëtimi, zbulimi
i mundshëm a i menduar...
ndenja pak me veten dhe po ndihem
llagar, i kulluar.
KOHË PA TË PARË
Kohë pa të parë,
kohë pa më parë,
sonte ndiej frikë,
pasiguri në k’të dhomë.
Më duket sikur je diku-këtu,
këtu - në të pacaktuarin drejtim,
këtu - në të gjitha drejtimet.
Je pluhur i gjallë që më bie nga supet,
më derdhet nga buzët, qerpikët, flokët,
kaq shumë të kam dashur,
kaq shumë më ke dashur,
sa s’mjaftojnë muajt dhe jetët s’mjaftojnë,
të çdashurojmë,
atë që dashurojmë.
ASGJË PËR TË MË THËNË?
Asgjë për të më thënë,
asgjë për të më dhënë
nuk kanë sytë e tu?
Asgjë për të më thënë,
asgjë për të më dhënë
nuk kanë buzët e tua?
Duart e tua të mira
përse rrinë të mpira?
Asgjë për të më thënë?
Dikur ato më thoshin,
gjithçka duke më treguar,
duke m’i thënë të gjitha.
Dhe ti vetë më thoje,
kaq shumë më doje,
në netët e marrëzisë,
në netët e dashurisë.
Asgjë për të më thënë?
Asgjë për të më dhënë?
Dy koka të varura
në supe të rrëzuar,
dashuri e vdekur.
Të vdekur të dashuruar.

Antologji e takimit “Takohemi në Jug”, (Edicioni II), Sarandë, Albania
Leave a Reply