Cristina Peri Rossi
Kalendari poetik: Cristina Peri Rossi 12 nëntor 1941
Sot, më 12 nëntor, është 81 vjetori i lindjes së shkrimtares, poetes, përkthyeses dhe gazetares nga Uruguaji. Në vitin 1972 u vendos në Spanjë ku punoi nëpër revista të ndryshme si redaktore. Tema e parapëlqyer prej saj, si në prozë edhe në poezi është dashuria. Pas vitit 1972 mërgoi në Spanjë për shkak të diktaturës ushtarake. Pas vitit 1975 mori dhe shtetësinë spanjolle.
Ja një poezi prej saj:
MONTEVIDEO
U linda në një qytet të zymtë
anijesh dhe mërgimtarësh
një qytet jashtë hapësirës
pezull mbi një keqkuptim:
një lum i madh sa deti
një rrafshinë e shkretë si pampa
pampa e hirtë si qielli.
U linda në një qytet të zymtë
jashtë çdo harte
larg nga kontinenti që i përket
i shkëputur nga koha
si fotografi e vjetër
që është nxirë.
U linda në një qytet të zymtë
me kopshte mbuluar nga fierët
me shandanë të gjelbër
kundërmim të fortë lulesh kacavjerrëse
lulesh të dehura
jargavanësh.
Në një qytet
tangosh të trishta
kurvash plaka dy nga dy
detarësh endacakë
dhe një bar që quhet City Park.
Por pa dyshim e dua
me një dashuri të dëshpëruar
këtë qytet të vështirë
me anije të ngecura në cektinë
me kurva që nuk u shiten
lypsave që recitojnë Bodlerin.
Qytet që ndër ëndrra më çfaqet
i afërt dhe njëherësh i largët
qytet poetësh francezë
tregëtarësh polakë
ebanistësh galicianë
dhe kasapësh italianë.
U linda në një qytet të zymtë
pezull në kohë
si ëndërr e paplotë
që përsëritet gjithmonë.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply