Nimā Jushij
Kalendari poetik: Nimā Yushij (1897-1960)
Sot, më 11 nëntor është data e lindjes së poetit të njohur iranian, i famshëm në vendin e tij për stilin e veçantë, modern, të poezive që shkroi. Ali Esfandiāri ishte emri i tij i vërtetë, Nima Yushij ishte vetëm emri i tij i artit. Në Iran mbahet si ati dhe themeluesi i poezisë së re iraniane. Shumë vepra të tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, etj.
Ja një poezi e tij në shqip me rastin e 125 vjetorit të lindjes së poetit të shquar iranian:
RETË
Re përmbi shtëpinë time
re mbi botën mbarë.
Nga shtegu i ngushtë fryn me furi
një erë që sjell shkatërrim, trishtim dhe mpirje.
Shkretuar e gjithë bota
si ndjesitë e mia.
O ti fyelltar,
që udhën ke humbur trallisur nga melodia jote,
ku je?
Ka re mbi shtëpinë time,
re të mbushura, gati për të derdhur lotë.
Kujtoj ditët plot dritë si mes gishtash më rrëshkitën,
dielli më çfaqet tej në horizont mbi oqean,
por bota mbarë është e pezmatuar, nga era fshikulluar
dhe udhës ai tjetri vazhdon t’i bjerë fyellit,
rrugë e gjatë edhe atë e pret
në këtë botë mbuluar nga retë.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply