Cikël poetik nga Grigor Jovani
KALI IM PREJ DRURI
Ta kam marrë Trojën dinakësisht nga brenda,
kur të kalova pabesisht kalin tim prej druri.
Por ngjante se të pushtoheshe ta kishte ënda.
Sikur vetë re pre
e dinakërisë së një burri.
Nuk them, më ndihmuan nga Olimpi perënditë,
të dymbëdhjetë Zotat.
Por… ç’ndodhi në të vërtetë qysh nga ai vit?
Kush ishte i pushtuari,
kur u mbyllën portat?!
AKTI I FUNDIT
Ç’ndodh me Njeriun pas mbarimit të Aktit të Fundit,
kur ikin njerëzit dhe sallat zhyten në terr?
Kanë vazhdim veprat? Dhe nëse po, regjisori,
i ngre në Parajsë apo në Ferr?
Besoj se Veprat vazhdojnë. Ja, unë, kaq vite
aktroj me ty në mungesë. Çuditërisht, për së gjalli!
Me të vetmin ndryshim: tani luaj në Ferr,
ku ka veç dimër
dhe digjem ethesh nga malli.
LIVADHET E BLERTA
Pyllit tim të viteve të serta,
pa nga pak, po i duket fundi.
Mandej fillojnë livadhet e blerta,
ku nuk gjendet gardh asgjëkundi.
Do të bëj një vizitë protokollare tek Zoti.
Do më pyesë për livadhet: “Të pëlqejnë?”
Do t’i përgjgjem: “Domosdo!
Por kam një lutje, Imzot, prej idioti:
Më zbo nga Parajsa! Le të hyjë Ajo!”
“Kush ajo?!”
“Ah, mos e kërko, Imzot, tek qitapet e vjetër!
E ke fshirë dhe s’e fute më dot,
kur kërkoi zemër tjetër!”
MOS ËSHTË DASHURI?!
Nëse unë jam tiran, si Pont Pilati
dhe ti e kryqëzuara ime,
si Krisht,
atëhere përse,
në burgjet e mia,
hyn e del vazhdimisht?!
ZEMRA MEMECE
Tani
shihemi vetëm në vjersha.
I kemi harruar takimet në ditët e verës,
në netët e lagështa të vjeshtës,
mesditeve të dimrit, ku gëzonim pak diell.
Zëvendësuam guralecët e lagur në breg,
me ca shkronja të zeza –
zogj shtegtarë,
nxitojnë të humbasin kushedi në kë qiell.
Shtegtoi dashuria jonë brenda ca librash,
shpendë të ballsamosur, raftesh
nëpër biblioteka.
O zot! Të kap mallëngjimi! Të vjen t’i hypësh,
si një kali të xhindosur vrapit…
Fjalë të pafajshme,
të gjymtuara,
varur rresht,
hanxharë të përgjakur në muret e pistë të kasapit.
Dashuria jonë, pa kurm njerëzor dhe pa tesha!
Zemra memece,
komunikojnë nëpër vjersha.
HIROSHMA
Nuk e besoj se kam dashuruar dikur një grua
të tillë, kaq fine. O zot, jo unë!
Por kanë mbetur ca fotografi në mendjen time,
me mbishkrimin kokëfort: data kaq, e vitit aq,
e shtunë…
Kujtime të ngrira. Brenda ca kudratesh të vogla,
të një filmi “Kodak”, në celulozë.
Mjafton t’i prekësh. Do të rrotullohen si gogla:
lëkurë fildishi, dy sy të gëzuar, një trup i hajthëm,
buzë rozë.
Do të shfaqet një breg i kaltërt. Deti i trazuar.
Gëzofi i dëborës në një bjeshkë të largët alpine.
Ku ta fsheh këtë film! Bombë gati në çast
të më shpërrthejë nëpër duar,
me katastrofën e një Hiroshime.
Ta harroj? Po si të bësh në një botë pa ndriçim,
mund të zgjedhësh dimrin, si mënyrë jetese?
E provova! Asnjë fitim nuk kisha
nga natët e ftohta ngjyrë gri. Zhgënjim.
Një ndjesi e hidhur pendese.
Ta flak këtë film! Duhet të shpërndaj në eter
ditët e mia. O zot, janë kaq shumë!
Kam mall për çdo gjë. Për thagmën te fjalët
e tua: “Të dua!”. Dhe filmi… oh, filmi!
Vazhdon të rrotullohet në gjumë.
Vrapon si e çmendur bota në celulozë,
si më parë. Humbet në humbëtirë, si sferë.
Ngrihem somnabul. Drejtpeshoj mbi një tel
si i marrë. Habitem: zog kam qenë a njeri,
që paskam fluturuar si shpend nëpër erë!
Njeri nuk kam qenë. Kushedi, Perëndi!
Kështu shpjegohet që paskam dashuruar dikur
një grua të tillë, kaq fine.
Një ditë shpërtheu dhe bota u mbush me një pluhur
ngjyrë gri. Katastrofë. Një si farë Hiroshime…




























Leave a Reply