Eduardo Galeano
Kalendari poetik: Eduardo Galeano (1940-2015)
Sot më 3 shtator, do të mbushte 83 vjeç Eduardo Galeano, shkrimtar, gazetar, eseist dhe poet uruguajan. Një nga personalitetet më të vlerësuar në letërsinë amerikano-latine. Prejardhja e tij ndahet ndërmjet Uellsit, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë. Karrierën si gazetar e filloi në gazetën Marcha, me të cilën bashkëpunonin pena të shquara si psh., nobelisti Mario Vargas Llosa, Mario Benedetti, etj. Pas grushtit të shtetit në vitin ’73 e arrestuan, por mundi të arratisej dhe u vendos në Argjentinë. Pas grushtit të shtetit në Argjentinë u detyrua të arratisej sërish, sepse e kishte emrin në listat e skuadroneve të vdekjes dhe shkoi në Spanjë. Në vitin 1985 u rikthye në atdhe ku jetoi deri në fund. Librat e tij janë përkthyer në mbi 20 gjuhë; kam edhe unë disa shqipërime prej tij; ja një prej tyre:
EH SIKUR
Eh sikur të ishim të denjë për shpresën tënde të dëshpëruar.
Eh sikur të kishim guximin të rrinim më vete dhe guximin të rrezikonim bashkë, sepse s’ka ç’duhet një dhëmb jashtë gojës dhe një gisht jashtë grushtit.
Eh sikur të mundnim të ishim të pabindur, sa herë marrim urdhëra që na poshtërojnë dhe na dhunojnë llogjikën.
Eh sikur ta meritonim të quheshim të çmendur, siç u quajtën të çmendura Nënat e Plaza de Mayo* kur çmendurisht kundërshtuan të harronin ditët e amnezisë së detyruar.
Eh sikur të ishim aq kryeneçë sa të vazhdonim të besonim se ia vlen të jetojmë, sado që na kanë dëmtuar, por jemi ende gjallë.
Eh sikur të ishim të aftë të ecnim rrugëve mes erës, paçka se rrëzohemi, paçka se na tradhëtojnë dhe humbasim, sepse historia vazhdon, përtej nesh dhe kur ajo thotë lamtumirë, në të vërtetë na thotë: mirupafshim.
Eh sikur të ruanim sigurinë që mundemi me qënë bashkëvendas dhe bashkëkohës me të gjithë ata jetojnë me etje për drejtësinë, për bukurinë, kudo të jetë lindur, sepse shpirti nuk i njeh kufijtë e hartave gjeografike dhe caqet e kohës.
shënim –*Madri di Plaza de Mayo është një shoqatë e nënave të të zhdukurve (desaparecidos) gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë në vitet 1976-1983.

© shqipëroi Maksim Rakipaj




























Leave a Reply