Poezi nga Eva Kacanja
***
Lexojmë njëri-tjetrin,
të ngrysur në heshtje,
si dy hermetikë
të mbyllur në varg,
Ti ëndrrës gëzohesh
në puthje e prekje,
Unë pres mëngjesin,
të shfaqesh në prag…
Sikur…
Sikur ta kuptoje
mjegullën e syrit,
Kur rreket të të shohë,
e loti pengon…
Sikur ta prekje
drithërimën e shpirtit,
Kur rreket të të flasë,
e frika heshton…
Magjinë e dashurisë
si unë po ta ndieje,
Kur digjet nga malli,
e yjet përvëlon…
Sikur mëngjeset
t’i zbardhje më ndryshe,
Si engjëll të më vije,
me krah e dëshirë…
I shtrenjtë si jeta,
për mua do të ishe,
Dhe e gjithe bota
do të ish më e mirë…
O Diell…
“O Diell, O Diell”
Më thua…
E unë,
si dielli hap rrezet e mia,
Ngroh,
Ushqej,
Rris,
Me kujdes,
Dua,
Si dielli,
që jep,
Veç jep,
Nuk merr.
Frikë e madhe,
t’i afrohesh diellit,
Dielli djeg,
Përvëlon,
E në fakt kështu ndodh…
Por kur hyn brenda tij,
Në tjetër dimension kalon,
Në kopsht tjetër prehesh,
Në tjetër gji dehesh,
Në një trup tjetër shkrihesh,
Në tjetër bukë ngihesh.
Aty je vetëm i diellit,
Aty i përket diellit,
Diellit dhe askujt tjetër!
Liria jote,
ka fluturuar,
me pëllumbat e reve të bardha,
E dëshira jote,
përtërihet në guva diellore,
Në ujëra shpirti, të lara.
O Diell, O Diell “
Më thua…
Por ke frikë,
të hysh në bërthamën e tij,
Mrekullisht,
Ta ngjizësh jetën aty,
Si një Perëndi,
Të dashurosh,
Të rritesh,
Të trashëgosh,
Të mos duash kurrë,
të ikësh.
Në atë yll të kuptosh,
Se paqja e shpirtit
Vlen më shumë
se ari i gjithë botës bashkë,
Në atë yll të ndjesh,
Se Uni yt,
Lind dhe vdes në Liri të plotë,
Në Liri të dëshiruar shekujsh,
prej qenies njerëzore,
kaq frikacake,
për të qenë rob i saj.
“O Diell, O Diell”
Më thua…
Eja pra, te Dielli,
Hyr në zemrën e tij,
zbërtheji prangat,
që të tjerët i kyçën fort,
Bëhu Princ i Diellit!
Hapi krahët dhe ngrihu,
I lirë,
Si një dragua,
Mos ki frikë,
Se Miti,
Kësaj bote u krijua…
“Ujvara e Zanave”
M’ ka zgju prap kte nat,
Piskam’ e Ujvars Zanave,
Zo,
Lshoma nji frym me m’ ysht,
Uni m’ ka mbet aty,
gurve mbulu n’myshk.
Oh,
drit e mrekullume qi dhem,
si nji deg e thyeme
Futun n’gjoksin tem,
N’ ty e lash nji krah,
qiellin me mun,
me prek ndopak,
kur teje t’jem larg,
e n’at hapsin t’ përndrime,
Andrrës me i dhan flak.
E kamt,
kamt n’ ujin brisk i kam zhyt,
për mos me harru kurr,
kristaln e asaj qeshjes,
Kur amël kumbon n’ fyt.
Oh,
gryk e ndjenjave t’ përvlume,
dalldisun n’ shpirt
pshtjellun n’ mëni,
Piskama “Ujvars Zanave”,
Si shqipe e rrxume,
Këlthet n’ agoni,
për me e prish
heshtjen e randë t’ idhnis,
e shpirtin me e derdh prap,
n’ at Ujin e qashtër
t’ Dashnis…




























Leave a Reply