Poezi nga Lumo Kolleshi
PA PJESË
Më thanë të vrapoja dhe i thyeva këmbët,
Kalova mbi gjemba dhe gurë zbathurisht.
Deri në bërryl lakmia kish përveshur mëngët,
Sinorët e lumturisë po ndante natyrisht.
Prita e prita si mali dëborën,
Por ishte verë e toka gulçonte në djersë.
Askush nuk më foli, askush s’më dha dorën,
Veç një zë më tuje : “për ty nuk ka pjesë!”
Kërkova në fund veç një majë shkëmbi,
Prej andej të fluturoja në të zezën humnerë.
Hodha sytë. Atje mizëria më trembi.
Dhe për të vdekur, sinori duhej blerë.
TI, ATJE LARG
T’ju them se sot jam më tym se tymi
I një zjarri që digjet pa prush?
Në skutat e errta ku hyni e dilni,
Mendjen tuaj varfanjake dot s’e mbush.
Kam djegur sot një natë të tërë,
Gjithë ëndrrat i ktheva në hi.
Pashë veten të mjerë, të zhbërë,
Si një fik i hapur në shi.
Dhe ti,atje larg, mbi zjarrin e marrë,
Për ta shuar, i hidhje benzinë.
Më sillje me zogjtë një amore ndër jargë
Dhe unë mbysja me thonj dashurinë.
LARG, SA MË LARG
Në këtë botë murrashe, të paskaj,
Ia prisha kortezisë kurorën.
Kotësinë mbi supe dot s’e mbaj,
Sizifit nuk ia puth më dorën.
Tani e tutje çdo kontratë
U gris, u dogj, mbeti veç hi.
Larg,sa më larg nga njerëzit me mandat,
Strehë kërkoj në Pol te ndonjë ari
STAUJË ABSURDE PËR URREJTJEN
Ia mora urrejtjes një copë shkëmbi të egër,
Daltën për ta gdhendur e thirra me ngut.
Dalta,per çudi,më ikte veç shtrembër,
Një shemtirë e shpifur doli më në fund.
VJESHTË
Nga hiri përtërirë,as vdekja dot s’e tret,
E pashë që sot pa gdhirë,kish ngritur kavalet.
Te pjergulla në shegë po hidhte penelata,
Jeshilja e përzjerë me hire veç të arta.
Shpejtova që t’i nxirrja një gotë raki rrushi,
Tutje te korija i la hapat Vangjushi*.
Nuk di pse luan me mua ky trill kaq i beftë,
Përherë duarartin e takoj në vjeshtë.
*Piktori Vangjush Mio.
ASPAK ÇUDI
Mos të duket çudi aspak,
E kam gjetur brenda ujkut njeriun
Tek luante në pyll me një fëmijë të braktisur,
Siç kam gjetur dhe një tufë ujqish bredharakë
Brenda njeriut shpirtgrisur.




























Leave a Reply