Poezi nga Merita Paparisto
Vjeshtë pa shtegëtim
Më vlon në damarë
serenata e një nate vjeshte
fletët pijnë, dehen, ngihen
dhe nuk duan të bien.
Një lejlek i kaltër
këmbë-ngecur në një ëndërr
përplas krahët
dhe nuk mund’ të shtegëtojë…
Valë të nxehta trokasin
në dritaren e puthisur
të kohës…, mbyllet perdja.
Ndjesi
Ai-
nuk harron asnjëherë
të vendosë lule dhe vargje
në gurin e ftohtë të stolit të mungesës.
Ajo-
fshehurazi nuhat dhe vështron
me një kureshtje prej fëmije
si lulëzon dhe erëmon
një burrë i dashuruar.
Do rigjallemi
Është natë…
Mendimet janë ushqimi
i qeve që flenë në grazhd…
dhe truri ripërtyp dëshirat e pakryera.
…………………………………………………
Do ringjallemi… ta dish!
Në tjetër kohë në të tjerë trupa
në po këtë botë të egër, të mundimshme, të paditur
si dënim, këtu mes njerëzve
në këtë botë; mbështjellë akoma me egon
që nuk e mposhtëm dot për së pari…
njëri tjetrin verbërisht
do kërkojmë përsëri, këtu
në udhët që nuk mundëm së bashku t’i shkelnim…
………………………………………………………
Do ringjallemi dhe do rikërkohemi
Ta dish!
deri sa të gjehemi
si dy pikat fundore të një segmenti
që ethshëm dëshiron të bëhet rreth.
@M.P.




























Leave a Reply