Poezi nga Bertold Breht
ATYRE QË LINDËN PAS NESH
Vërtet jetoj në kohë të zymta!
Fjala e shtendosur është e çmendur. Një ballë i lëmuar
tregon pandjeshmëri. Ai që qesh
ka gjasa të mos i ketë arritur akoma
lajmi i tmerrshëm.
Ç’kohë janë këto, në të cilat
një fjalim mbi pemët është pothuajse një krim
pasi nënkupton heshtjen mbi kaq shumë krime.
Ai aty që po përshkon qetësisht rrugën
ndoshta nuk është më i arritshëm për miqtë e tij
që vuajnë.
Është e vërtetë: fitoj akoma bukën e gojës
por më besoni: është një rast i rrallë. Asgjë
nga çfarë bëj s’më jep të drejtën të ngopem.
Rastësisht më kanë kursyer.
(Kur të shuhet fati im jam i humbur.)
Më thonë: Ha e pi! Ji i kënaqur pasi ke!“
Por si mund të ha e pi, nëse
ajo që ha ia heq atyre që kanë uri dhe
gota ime e ujit i mungon atyre që vdesin atje?
Por gjithësesi ha e pi.
Do me pëlqente edhe të isha i urtë.
Në librat e vjetër shkruajnë çfarë do të thotë i urtë:
të rrish jashtë telasheve të botes e të kalosh
kohën e shkurtër pa frikë.
Edhe t’ia dalesh pa dhunën,
të kthesh të keqen me të mirë,
të mos përmbushësh dëshirat vetjake, por të harrosh,
kjo është quajtur urti.
E gjithë kësaj nuk ia dal:
vërtet jetoj në kohë të zymta!
Ju që dilni nga batica
në të cilen ne jemi mbytur
kujtoni,
kur të flisni për dobësitë tona
edhe kohët e zymta
të cilave ju u shpëtuat.
Ecnim, duke ndërruar me shpesh vendet sesa këpucët,
përmes luftrave të klasave, të dëshpëruar
kur kishte vetëm padrejtësi e asnjë revoltë.
E gjithashtu dimë:
edhe urrejtja kundrejt skamjes
shtrembëron pjesët e fytyrës.
Edhe tërbimi për padrejtësitë
e bën zërin të ashpër. Ah, ne
që donim të pregatisnin truallin për mirësjelljen,
ne nuk mund të ishim të sjellshëm.
Por ju, kur të arrijë çasti
që njeriu të jetë mik i njeriut,
na kujtoni
me mirësi.




























Leave a Reply