Poezi nga Rudina Muharremi Beja
Përulje
Shurdhuese kjo heshtje,
aq sa hapat ia ndjej milingonave në ikje,
zhurmën, myshkut e likeneve,
trishtimin, pikës së shiut,
flladin që përkëdhel një narciz të brishtë,
e përuljen e Zotit që më zbret në shpirt.
GRUA!
Grua
Merr me vete pak prej të shkuarës
aq sa shpirti yt i lirë të fluturojë
të kapërcejë pragun e dëshirave të heshtura
valsit të erërave kudo nëpër qiell,
pa shqetësimin drithërues të së sotmes,
pa ankthin e të nesërmes,
veç rend ashtu si madhështi
simfonisë së pranverave të tua,
të përjetshmes
që jetën para teje përkul!
***
Ndoshta
secili prej nesh ngjan me një dallëndyshe,
që rend me trishtimin mbi pendë të një lamtumire,
për t’u kthyer, sërish…!
Që e nesërmja të vijë më e bukur
Trëndafilat s’ kundërmojnë më si më parë,
dhe zogjtë fjalët i kanë ngatërruar
ndërsa honet, thellohen…
Thellohen e ngrenë re mjegullash
kujtesat drithshëm për t’ i përmbysur
ndoshta, për të na bërë më të padukshëm…
Mërzia pushton tërë skutat e mendimeve,
krejt skutat e shpirtit, pamjet m’i zbeh
kujtimin e largët të shkëlqimit të syve
teksa bota, me taka të larta,
ngut hapin mbi dhimbjet e të tjerëve
shpërfillëse ndaj kohërave të rrëzuara.
Numëroj ditët që hapin s’ e ndalin
gris nga kalendari dhe një tjetër fletë,
që e nesërmja të vijë më e bukur,
që trëndafilët të shfaqen sërish plot diell
dhe flakërima e buzëqeshjes plot jetë.
SHKALLËT
Qarkuar zhurmash, zgjoj edhe sot mëngjesin
brenda, ndiej boshin e së djeshmes,
lodhjen e vonë,
zhgënjyer nga pagesa lajkatare…
Sërish ngjit shkallët e një teatri të rremë,
të pakohë, pa të ardhme,
ku buratinë të tjerë të pafajshëm
kafshojnë pilula të hidhura hipokrizie,
lakmisë që s’ngopet,
orëve që s’ndalojnë
duke lënë pas një jetë, ndonëse më të varfër
por një mijë herë më të mirë…




























Leave a Reply