Poezi nga Erica Jong
TË DASHURUARIT E MOSHËS SË MESME, II
Ti më hapesh
pak,
pastaj të shtohet frika
dhe mbyllesh përsëri,
një djalë i vogël
që ka frikë se lëndohet,
një gisht i këmbës i prerë cung
në errësirë,
një gisht i prerë
në letër.
Unë mendoj se jam e çliruar
nga frikërat,
e magjepsur, e braktisur
nga thirrja e Bacchae-s ,
sirenës sime,
e lidhur me pemën
time,
me të dy, Circen
dhe derrin e saj.
Por unë gjithashtu
jam e frikësuar,
se e di ku
të degdis jeta.
Shtysa
për t’u bashkuar
për t’u rrëfyer të gjithëve,
pasohet
nga shtysa
për të hequr dorë,
dhe dashuria
dashuria e pavdekshme
duhet të shuhet,
për t’ia lënë vendin
rilindjes.
Ne vijmë
te njëri-tjetri
të pasigurt,
veteranë luftrash të tjera,
me urdhrat e divorcit
në duar,
të cilat do t’i tundnim e shkundnim
në lule.
Por lulet
nuk do t’u rezistonin
tundje-shkundjeve tona.
Ne vijmë
te njëri-tjetri
me shpresë
në duar,
bash me gjënë
që Pandora mbajti
në kutinë e saj
kur të gjitha sëmundjet
dhe dhimbjet e botës
u larguan.
Shqipëroi: Irena Dono



























Leave a Reply