Shtëpia Botuese "Klubi i Poezisë", Tiranë publikon librin "Pelegrinë të vonuar" (12 Pelegrinazhe në nderim të shkrimtarëve martirë shqiptarë) të autorit Rexhep Shahu
Falenderim
“Shpirtndriturit Anastas Lakçe, që mundëson botimin e librave të mi”, shkruante poeti ynë kombëtar Naim Frashëri për mbështetësin e tij që ia mundësoi botimin e librave.
Kështu po dua ta shkruaj edhe unë falenderimin e përzemërt për njeriun e mikun e mrekullueshëm Flamur Hoxha. Por meqenëse ka më shumë veprimtari vec librave, po tregoj më gjatë edhe se nuk di të shkruaj shkurt.
Nese do ta ndërtonim një piedestal për mirënjohjen, që i mungon rëndë shoqërisë tonë, mbi të do të rrinte hijshëm e me dinjitet humanisti, deputet i parlamentit shqiptar Flamur Hoxha për kontributin e tij për librin e për nderimin e shkrimtarëve martirë.
Me mbështetjen e tij pa kushte, pa diktime a ndërhyrje janë organizuar 12 pelegrinazhe në nderim të shkrimtarëve martirë shqiptarë, janë botuar mbi njëqind libra të vecantë të munguar në bibliotekën shqipe, bashkë me 62 numra të revistës illz, janë organizuar disa promovime veprash e autorësh, janë zhvilluar disa mbrëmje poetike në nderim të mjaft shkrimtarëve të njohur dhe është mbështetës i këtij libri të vecantë.
Libri Pelegrinë të vonuar është një kronikë modeste me fotografi për 12 pelegrinazhe shkrimtarësh në nderim të shkrimtarëve martirë e për disa promovime të ndryshme.
Flamuri e ka kuptuar me kohë fuqinë e librit si kujtesë e botës si deshmi e pazhbëshme e kohës. Ai e di vuajtjen e linçimin si fëmijë i pafaj i dënuar me internim e linçim, e kujton mungesën e kafshatës së bukës, peshën e rëndë të mungesës së vëmendjes, peshën e rëndë të vetmisë, të mungesës së krahëve të përqafimit, mungesën e dorës së nënës a babait që të përkëdhel flokët e fëmijërisë e fytyrën e pafajësisë dhe prandaj ai ka vite që ka zgjedhë ta ndërtoje fronin e mirësisë, ka zgjedhë të jetë një mecen modest për letrat shqipe, një fisnik që ndihmoi të pohohen e nderohen shkrimtarët martirë shqiptarë si asnjëherë në historinë e tyre me pelegrinazhet në nderim të tyre dhe me promovime të veprës së tyre.
Flamuri nuk është rregull është përjashtim, përjashtimi më i bukur që ka ndodhë në dekadat e pluralizmit në Shqipëri. Ështe shfaqja më e bukur e sipërmarrësit shqiptar në mbështetje të librit e shkrimtarëve martirë.
Për bashkëpunimin e ngushtë, përkrahjen e përhershme e sigurinë edhe në këtë udhëtim nderi për të nderuar veten tonë e shkrimtarët martirë shqiptarë falenderoj përzemërsisht mikun tim Izet Duraku tek i cili mbështetem që nga viti 1994. Miqësia e Izetit është një nga privilegjet më të bukura që më ka ofruar fati dhe jam thellësisht mirënjohës për këtë gjë. Izeti më ka ofruar sigurinë gjithmonë, më ka nxitur më shumë të dyshoj, të mos përjashtoj dhe me ka mesuar të duroj.
Falenderoj me përzemërsi e përulje secilin nga shkrimtarët shqiptarë që u bënë pelegrinë të vonuar në këto udhëtime nderi e dinjiteti për të nderuar shkrimtarët martirë shqiptarë.
Secili shkrimtar pjesëmarrës në këto pelegrinazhe me praninë e tij ka shkruar një kryevepër.
Faleminderit të gjithëve për këtë punë të bukur, ia kemi shpëtuar nderin nderit.
Ne kemi patur, kemi e do të kemi gjithmonë nevojë për shkrimtarët martirë, ata nuk kanë nevojë për ne. Ata dëshmojnë për ne, janë prova e fatkeqësisë dhe tmerrit që kaluam. Ata na shpëtojnë edhe prej turpit. Ata sakrifikuan për ne pa ua kërkuar ne, ata vazhdojnë të na bëjnë dritë në udhën tonë që të shpëtojmë nga nata e e gjatë e komunizmit edhe pse ne i dënojmë më së shumti me arrogancën e heshtjes e mospërmendjes.

Autor: Rexhep Shahu
Leave a Reply