Zhuljeta Kalemi (Shqipëri)
Poetë të antologjisë poetike, "Takohemi në Jug"
Poets of the Poetry Anthology “Let’s Meet in the South”, 3rd Edition (Albania)
Lindi në Sarandë. Ka përfunduar shkollën e mesme “Hasan Tahsini”, Sarandë. Është perfeksionuar si krijuese gjatë viteve studentore. Ka filluar të shkruajë poezi qysh kur ishte nxënëse e shkollës nëntëvjeçare.
Cikle me poezi të saj janë publikuar vazhdimisht në portale, si dhe në gazeta të ndryshme letrare, atëherë kur ka shpalosur shënjimin e vet si krijuese origjinale; gjithashtu janë publikuar edhe në disa gjuhë të huaja. Është pjesëmarrëse në disa antologji në të cilat janë përfshirë poetë shqiptarë dhe të huaj.Zhuljeta është një poete e re, e një stili të veçantë bashkëkohor. Poete e meditimit të hijshëm.
SHEKULL - HARRIMI
Qielli mbushur me copa mermeri,
alabastër, që pëshpëritin acar.
Rrjedhat e tij nën lëkurë këndojnë,
trupit ngulfohen e shpërthejnë.
Ndjenja me kohë të ndryshme,
si kryqe të thyera ndër dhimbje
Këngë-frymë si shekull-harrimi
Formë pa përmbajtje që bie nga qielli.
PUTHJE LETRASH
Kisha pa mure, lagur me balada,
Letra mbushur me kisha.
Shikimi ynë u pa imazheve të gabuara,
Kuptime të dhunuara...
Kryq i gurëzuar në horizontin e parë,
Melodramë mërgatash...
EKSOD NDJENJASH
Horizonti ka ngrirë
në kaltërsinë ku ikin ardhjet,
zgjimet e kuptimit, lutjet,
zgavrat e mia, ardhjet e mia.
Koha pi kuptimin prej mermeri,
aty ku derdhen fjalët, plagët,
i peshon me lule-loti
thellë heshtjes ku puthet malli.
Hapësira të ha me gojën që nuk flet.
Këngë pa fjalë, perëndime pa ngjyra,
që ngrijnë-mermer në pritje
në kaltërsinë ku ikin ardhjet.

Antologji e takimit “Takohemi në Jug”, (Edicioni III), Sarandë, Albania
Leave a Reply