Apollon Majkov
Kalendari poetik: Apollon Majkov (1821-1897)
Sot, më 4 qershor, është 205 vjetori i poetit rus Apollon Nikollajeviç Majkov. U lind në një familje fisnike dhe intelektuale; i ati piktor dhe akademik, e ëma shkrimtare e njohur. Në vitet 1937-1841 studioi drejtësi pranë universitetit të Shën Pjetërburgut. Në fillim qe i apasionuar pas pikturës, por më pas u mor vetëm me poezi.
Pati mundësi të vizitonte Italinë, Francën, Saksoninë dhe perandorinë Austro-Hungareze. Kishte miqësi të ngushtë me Bjelinskin, Nekrasovin, Turgenievin etj.
Ja njëra nga lirikat e tij:
NËN SHI
(Под дождем)
Mban mend? Nuk pritej as shiu, as stuhia,
Por na zuri rrebeshi larg nga shtëpia,
Me vrap duke qeshur, të fshihnim tmerrin,
Nxituam të mbroheshim poshtë një bredhi!
Binte shi me diell, ne nën bredhin plak,
Rrinim si brenda një kuvlije të artë,
Pika e shiut binin mbi ne së lartmi
Mu si perlat që këputen nga gjerdani,
Binin ato duke shkëlqyer mbi sup,
Dhe pastaj rrëshqisnin brenda nëpër trup.
Mban mend kur e qeshura jonë pushoi?
Çasti kur mbi ne bubullima ushtoi!
U ngjeshe pas meje duke fërgëlluar.
O i dashur shi! O stuhi e bekuar!

© shqipëroi Maksim Rakipaj
Leave a Reply