Poezi nga John Keats (1795-1821)
THUA QË MË DO
Më thua se më do, por çuditshëm zëri yt
Më i përkorë më duket se i një suore
Që këndon në heshtje lutjen e mbrëmjes
Ndërsa kambana bie, bie dhe cyt;
Oh, më duaj e dashur prej mendjes!
Thua që më do, por me një buzëqeshje
Të ftohtë si një agim në prag ngrice
Sikur të jesh suora e San Kupidit
E shtrëngon javët e shenjta me rite.
Oh, më duaj e dashur prej shpirtit!
Thua që më do, por buzët e tua
Ngjyer si koralet nuk thonë vetëdije
Më tepër se korali që rri në thellësi
Që kurrë nuk hapet fundit në hije…
Oh, më duaj e dashur ashtu si di ti!
Thua që më do, pastaj dora jote
Nuk e shtrëngon ëmbëlsisht dorën time
Ka vdekur ajo si statujë e mermertë
Ndërsa imja djeg zjarr e shkëlqime …
Oh, më duaj e dashur ashtu si di vetë!
Oh, pëshpëritmë ndonjë fjalë të zjarrtë!
E buzëqeshem sikur djeg zjarri e dashur
Shtrëngohu te unë me deshirë dhe endje
Puthjen e zemrës tënde të ndjehem i flakur;
Oh, më duaj e dashur me sy e me mendje!

Shqipëroi: Sinan Vaka
Leave a Reply