Cikël poetik nga Marjeta Shatro Rrapaj
TRANSFORMIM
Shqisat durojnë pas lutjes,
pas saj lindin vargjet
që zgjojnë dëshirën
të ndjekur nga shpresa e zjarrtë.
Mendimet në ekzistencë vetmie
kërkojnë ndihmë në qiell
te një kryq i vetëm
që përvëlon e drithmon qenien,
të flasë, a të mos flasë.
Hija e jetës zgjatet në natën me hënë
ku flatrat e nostalgjisë
bëjnë dashurinë të triumfojë.
Prej ngazëllimit ndihet
fisnikërisht e transformuar
në sigurinë e çastit
dhe paanësinë e absolutes.
NËN DRITË DIELLI E HËNE
Nën dritë dielli e hëne
Era e mallit flet shpesh për kujtimet,
për gjërat që kurrë nuk i arritëm,
kur nuk kishim shpresë
Kështu kalojmë çaste
duke vështruar pas
me brengë në zemër
me dhimbje në trup.
Melankoli të pashpjegueshme,
dëshira që duken e zhduken
e i nënshtrohemi fatit
duke pritur të panjohurën.
Dallgët e kohës
topiten prej zbrazëtisë së ekzistencës,
bindemi se dëshmitarë të vetëm
Dielli, Hëna, Toka e Ajri.
KOHË PA FORMË
Shqisat e ndiejnë reflektimin e pavlerë.
Pikëllimi i pamatë
kërkojnë gishtat e zjarrtë të fjalëve,
djegin lëkurën e mendimeve.
Ringjallje vizionesh
nga drita e drojtur
në vetëdijen e drejtpërdrejtë
qartësi e tejdukshme që nuk mjafton.
Dita jep imazhet për t’i hedhur në vargje,
për të humbur mes fjalëve,
që treten ajrit si konfigurim
i kohës pa formë…
SPEKTRALE
Fytyra e muzgut na përkëdhel sytë
dhe trishtohemi,
shohim vdekjen e ftohtë të ëndrrave,
qajmë me përvuajtje pa na parë askush.
Për atë që shkon e s’kthehet
në kotësinë e kohës zhgënjehemi,
për pafuqinë para fatit
si kalorës të çmendur humbasim kufijve.
Universit të asgjësë
kështu rrjedh heshtur heshtja,
në teatrin e reflektimeve tona
nga shpirti buron papritur kërkimi.
Zëri i Lara Fabian “perfekt”
shpërndan çastet e dashuruara
me transparencën spektrale
bota shkundet e zgjohet paprekshëm
rend të kapë të pakapshmen.
ZGJIM NGA ËNDRRA
Vjen agimi me këngë në buzë
shoqëruar nga kori i zogjve,
parfumi i luleve erëmira
në horizontin e krahëve të tij.
Gëlon jeta me ritëm misterioz.
Bota bart me vete
trillin e gënjeshtërt të përjetësisë
duke humbur kujtimeve.
Fërfërijnë flatrat
në vrapin e erës…
ROMANTIKE
Univers shndritës,
Pasqyrohet në sytë llamburitës
të përndezur prej ndjenjës,
ku kryqëzohen
shpirtrat e dehur prej dashurisë,
shtrënguar fort në përqafim
pëshpërima fjalësh të ëmbla.
Lutje përjetësimi të pambarimtë,
çast që klith mbi ujëra të bekuara,
ku ushqehet jeta
stolisur bisqesh të reja.
Në ëndrrat profane
erërat e ngrohta hyjnore
flladitin të përjetshmen
akti i përkryer i mëkatit.
Mëkati i Evës e Adamit
për përflakje shprese
të së nesërmes metaforike –
gjithmonë romantike.
AMEN LIRI
Pyes veten:
Ç’është liria në shtëpinë e zotit?
Mijëra fjalë?
Mijëra lutje?
Mijëra pendime?
Apo miliona njerëz,
miliona shpresa,
miliona predikime nga kasnecët?
Aromë temjani,
shenjtërim besimi,
falje për ditët që shkuan
apo bekim për ato që vijnë?!
Liri me zemër drite hyjnore
ndrin orët e vona të natës,
drita e syve të historisë
ndez botën miliona vjetësh.
Me përqafimin tënd të ngrohtë
me një kryq të shenjtë
prej mishi, gjaku e fryme
në emër t’atit e t’birit e t’frymës së shenjtë.
IKONA E VETVETES
Si Promete ndryshe nga të tjerët,
ti shkon kundër rrjedhës
e era e fatit të vërtit
rreth flugerit të dështimit
në labirintet e subkoshiencës së ngrirë,
lodhur dilemash,
torturuar mendimesh
ku krisen shpresat
e rritin ankthin zhgënjimet
në mençurinë e çmendur,
kërkon të mbetesh ikonë e vetvetes.
TRIUMFI I NDJENJËS
Ndjenja, një botë e tërë
brenda një mendimi
i nxjerr inatin heshtjes
me ankthet e pasionit të vërtetë,
me mjete të diplomacisë
në shprehitë e përmbysura,
ku pikëza e lotit ftoh tërbimin
sensibilitet nervoz,
pasuria e ëmbëlsive ndjesore
është poezia e jetës
stolisur me lumturi.
ÇAST ILUZIV
Përmbys Bota
ngryset e gdhihet,
pret rilindjen
si hëna që duket e zhduket.
Njeriu përjetë në kërkim
të ngrehinave antike,
muret e palëvizshme
në rrjedhë të historisë,
ndërkallur me natyrën,
nën kupolën e qiellit
në labirintet e mistereve
skalitur kujtesës së kohës,
nën hijen e lashtësisë
që kumbon drurëve shekullorë
duke kumtuar dashurinë
vibrimeve poetike të shpirtit,
duke pëshpëritur mite e legjenda
që ndezin fantazitë,
shuhen ujërave të mendimeve
me klithma gëzimi
ngrihen me flatra dëshirash të reja.
GUSHT I PRUSHTË
Përkunden ndjesitë,
zhytur në kthjelltësi mirazhesh në shpirt
si rryma freskie nën hije pemësh,
ku zjen kënga e gjinkallave.
Mbi barërat e thata rendin karkalecët
mes ajrit të nxehtë që djeg si zjarr,
nga toka e plasaritur dalin turma milingonash
që ndjekin njëra-tjetrën në rrjedhë kohe.
Duke marrë me vete çastet, kujtimet
ndërkohë thërrmohen mendimet
për t’u rikthyer në pluhur
mes përflakjes së dritave e ngjyrave.
Syri i etur për të panjohurën e universit
në të prushtin gusht që sa ka ardhur,
në tejqiejt e galaktikave të udhëtimeve.
PËRZIER ME SHI
Kur të bëhem zog malli,
do të fluturoj mbi degë vetëtimash,
sa herë të bjerë shi –
për të sjellë dritën e shenjtë
të shpirtit lajmëtar të ditës së re,
për ju, o njerëzit e mi…
EPITAF I AJËRT
Ej, njerëz, zgjohuni, dëgjoni,
era e kohës po ju flet:
“Dashuria ngjall vdekjen vetë,
ndaj përlindeni ndjenjën sa të keni jetë…”
PSE?
Pse trazimet e shpirtrave përreth
ma tronditin ekzistencën vazhdimisht?
Pse?
Pse ankthi ma fundos unin vetmitar?
Çfarë ndodh me brendinë time?
Pse nuk më ndahet pikëllimi?
Pse?
Pse vetvetja mallkon dukjen naive
në botën elegante të gënjeshtrës së zbukuruar?
Pse duhet bashkëjetesa me vdekjen e ngadaltë?
Pse?
Shumë pse mendjempirëse
mbyten liqenit të lotëve
në kërkim të sepseve pa pasojë
ditëve të zbrazëta të asgjësë,
që frymojnë me ritmin e kohës
dhe vuan shterpësinë e ëndrrave.
PARAJSA IME
Fjalët e shpirtit
si shkëndija vezulluese
po i mbledh një nga një
si Venusi për të rikrijuar veten nga e para
mbi detin e shkumëzuar të pasionit azur,
duke ndjekur ritmin e një valsi elegant
për akordim ekuilibrues të vazhdimësisë
në kohën e sundimit të marramendjes kolektive
në hapësirat boshe
me psikozën e pandjeshmërisë.




























Leave a Reply